Restrikcione, erë dhe shije të çuditshme, ende nuk ka zgjidhje konkrete për ujin e pijshëm në Tetovë

Si pasojë e të reshurave të shiut, uji që vjen nga burimet e Leshnicës është turbulluar dhe informojmë qytetarët se stacioni i filtrimit është i ndalur. Kështu lajmëroi dje ndërmarrja komunale NPK “Tetova”. Por, kjo nuk është hera e parë. Çdo vit gjatë periudhës së muajit tetor në Tetovë përpos turbullimit, ujit të pijshëm i vjen era dhe mban shije më ndryshe. Ky problem u paraqit nga viti 2017, pas lëshimit në përdorim të sistemit të ri të ujit. Nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë thonë se nuk ka nevojë për panik pasi analizat tregojnë që uji është i sigurt për pije. Por Komuna mbetet pa përgjigje nëse do gjejë zgjidhje për eliminimin e këtij problemi që shqetëson banorët, shkruan Portalb.mk.

Pse ndodh kjo?

Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Sistemi i Leshnicës është sistem i hapur, që domethënë se merr ujërat e hapura dhe i fut ato në sistem, ndërsa ai i burimeve të vjetra është i mbyllur.

Qyteti ka mungesë të ujit, prandaj përmes stacionit të filtrimit të lëshuar në përdorim në vitin 2017 sigurohen sasi shtesë të ujit, kur rezervarët e Malit Sharr nuk sigurojnë ujë mjaftueshëm.

Uji që merret nga Leshnica, nuk është burim i mbyllur por është ujë sipërfaqësor i marrë nga lumi. I njëjti kalon në disa faza, filtrohet përmes stacionit të filtrimit dhe sillet në rrjetin e ujit të qytetit.

Edhe pse e planifikuar është që stacioni i filtrimit të lëshohet në fnksion nga muaji dhjetor e deri në mars, kur njerëzit, kafshët dhe vegjetacioni ndalojnë lëvizjet atje, kjo nuk ndodh, e njëjta është në përdorim gjatë gjithë viti për shkak të mungesës së ujit.

Kështu, gjatë vjeshtës kur gjethet kalben dhe bien në burimin e ujit, e njëjta më pas shkakton ndryshim të shijes, aromës dhe ngjyrës së ujit. Ky fenomen në Tetovë ndodh nga viti 2017. I njëjti për këtë vit filloi të shfaqet ditëve të fundit ku edhe qytetarët reaguan për të njëjtën.

A është uji i sigurt për pije?

Edhe pse uji mban erë dhe ngjyrë, analizat e bëra nga Qendra për Shëndet Publik (QSHP), tregojnë se uji është i pijshëm dhe i sigurt për pije. QSHP kontrollon çdo ditë cilësinë e ujit në ujësjellësin e qytetit.

Mjeku Ratko Davidovski, nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë për Portalb.mk shprehet se praktika në të gjithë botën thotë se kudo që përdoret uji sipërfaqësor, ndodh ky lloj ndryshimi në erë dhe shije.

Mirëpo ai sqaron se pavarësisht këtyre ndryshimeve, qytetarët nuk duhet të kenë panik, pasi rezultatet nga QSHP thonë se i njëjti mund të konsumohet për pije.

“Analizat bakteriologjike dhe kimiko-fizike janë të mira. Edhe në Shkup më herët analizat që i kemi dërguar janë të mira. Era dhe shija janë kategori subjektive. Ajo që po ndodh është se ky është viti i gjashtë që kemi këtë fenomen në këtë periudhë, në tetor, dhe përfundon pikërisht ne dhjetor”, tha Davidovski.

Kjo dukuri, sipas tij, tejkalohet me klorim të shtuar të ujit.

Çfarë thonë ambientalistët?

Nga organizata mjedisore “Eco Guerila” për Portalb.mk shprehen se problemet me ujin e pijshëm në Tetovë nuk kanë të mbaruar, trashëgohen me vite pa ndonjë epilog me zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.

Nga atje theksojnë problemin se në çdo vjeshtë qytetarët përballen me ujin që ka shije dhe ngjyrë të çuditshme ku organet kompetente japin sqarime se kjo ndodh për shkak të gjetheve që i ndotin burimet.

“Para 2 vitesh Inspektorati Republikan për ambient jetësor pat kërkuar nga NPK Tetova që të bëj rrethimin e njërës nga kaptazhat e ujit në lokacionin e Leshnicës, që të parandalohet ndotja nga kafshët, nga njerëzit dhe nga faktorë të tjerë. Deri më sot nuk e dimë nëse ky vendim i inspektoratit është realizuar apo jo, dhe sa ndikon kjo në ndikimin e cilësisë së ujit të pijshëm”, thanë nga “Eco Guerila“.

Cila është zgjidhja për këtë problem?

Në praktikën botërore, siç sqaron mjeku Davidovski, zgjidhja është të bëhet ozonizimi apo përmes kontrollimit me karbon aktiv.

“Ka dy zgjidhje, (rrjeti i ujësjellësit) të lëshohet në përdorim pas datës 15 dhjetor dhe të përdoren filtra të karbonit aktiv, ata largojnë aromën dhe shijen më të pakëndshme. Ka metoda, gjithçka është e planifikuar, ne duhet t’i bëjmë ato”, tha Davidovski.

Për atë se përse nuk është bërë deri tani që kur ky rrjet u lëshua në përdorim ne 2016 e ne vazhdim, Davidovski thotë se ata si QSHP japin rekomandime në mënyre të përsëritur çdo vit.

“Ndoshta për arsye financiare, ndoshta është pune e shtrenjtë, nuk do te hyj në atë pjesë”, u shpreh Davidovski.

Çfarë thonë autoritetet?

Nga NPK “Tetova” para disa ditësh kur u paraqitën turbullirat nga reshjet e shiut pikërisht në këtë rrjet, thanë se problemi qëndron se ka pak prodhim prej burimeve të vjetra, të njëjtët vit për viti e zvogëlojnë prodhimin e tyre, ku për shkak të ngrohjes globale paraqitet edhe si problem.

“Duhet të gjejmë burime alternative, prandaj u bë edhe Leshnica si burim alternativ. Duhet të mendohet edhe në të ardhmen kjo formë e rritjes së kapaciteteve të rritjes së ujit, por edhe që qytetarët mos e keqpërdorin ujin”, thanë nga NPK Tetova.

Komuna e Tetovës, e pyetur për këtë problem dhe se a kanë plan për zë zgjidhur të njëjtën dhe a ka ndonjë aktivitet të planifikuar në këtë drejtim, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Çfarë premtoi Kasami para se të merrte mandatin për ujin në Tetovë?

Kasami në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

“Prandaj ne jemi angazhuar që të përpilojmë edhe një plan të detajuar se si do të zgjidhet çështja e ujit për pije, ku kemi angazhuar ekspert të lëmisë të cilët na kanë informuar për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” çështjen e ujit për pije në Tetovë duhet investim në rrjetin e shpërndarjes, që nënkupton një investim prej diku 14 milionë euro nga të cilat 4 milionë e 300 mijë euro për rrjetin primar, diku 8 milion për rrjetin sekondar dhe diku 500 mijë euro për ujëmatësit të cilët Tetova për momentin nuk i ka dhe rrjeti i harxhuar i shpërndarjes e bën që Tetova të ketë mbi 50% të ujit në rrjet. Brenda katër viteve Tetova do të ketë “Me ka krejt” ujë për pije. Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurt sepse nga ai ujë ne e sigurojmë jetën”, tha Bilall Kasami me 14 tetor 2021.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Situata me ndryshimin e shijes, aromën dhe ngjyrën e ujit, paraqitet çdo vit gjatë muajit tetor, për arsyet e elaboruara më lartë. Deri sa autoritetet nuk gjejnë zgjidhje afat-gjate për këtë problem, qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me këtë dukuri. Kur ka reshje mund të ndodh që të paraqiten edhe turbullira të ujit nga sistemi i ri, që mund të ketë edhe ndalesë të ujit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button