Vonohet referendumi kundër lojërave të fatit në Tetovë, Antibixhozi: Presim të mbahet para vjeshtës

Nuk ka ende datë konkrete për mbajtjen e referendumit për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet në Komunën e Tetovës. Ndonëse kjo nismë u prezantua në fund të vitit të kaluar, Këshilli Komunal i Tetovës ende nuk ka harmonizuar qëndrimet e tyre dhe të vendos se kur do të mbahet i njëjti. Kryesuesi i Këshillit Komunal, Besar Durmishi thotë se kanë lënë edhe një takim gjatë këtij muaji së bashku me Lëvizjen Antibixhoz, që të diskutohen të gjitha detajet që referendumi të mos dështojë. Antibixhozi nga ana tjetër thotë se ka vonesë në këtë drejtim nga ana e Komunës dhe se presin që referendumi të mbahet para vjeshtës, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar pesë muaj që nga mbajtja e debatit publik ku u shpalos ideja për inicimin e referendumit lokal për largimin e lojërave të fatit nga vendbanimet, data për të njëjtin nuk është caktuar ende nga ana e Këshillit të Komunës së Tetovës.

Për këtë, kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi thotë se kanë biseduar me të gjithë koordinatorët e partive politike në këshillin komunal dhe iniciuesit e nismës, Lëvizjen Antibixhoz, por që kanë lënë edhe një takim tjetër, në mënyrë që të diskutohen të gjitha hapat, që referendumi të jetë i suksesshëm.

Besar Dumrishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Dumrishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Që të del e suksesshme qoftë procedura e referendumit qoftë procedura e iniciativës qytetare, kemi lënë edhe një takim të radhës ku do ta mbajmë diku me 20 maj, bashkërisht me të gjithë koordinatorët e partive politike dhe Lëvizjen Antibixhoz, do ulemi edhe njëherë do i diskutojmë të gjitha mundësitë dhe hapat të cilët do i ndërmarrim. Për të qenë referendumi i suksesshëm pavarësisht se çfarë votojnë qytetarët, dalja duhet të jetë mbi 50 përqind. Për këtë arsye kemi biseduar edhe kohën kur është e arsyeshme që të mbahet referendumi edhe a do të mundet që edhe partitë politike shqiptare dhe maqedonase, sektori civil, OJQ-të por edhe qytetarët bashkërisht, a do të mundet që të nxjerrim bashkërisht 51% të qytetarëve”, tha Besar Durmishi.

Ai sqaroi se kanë bërë analizë të gjitha shpenzimet që i takojnë Komunës së Tetovës, kanë bërë analizë edhe të gjitha ciklet zgjedhore ku kanë parë se si ka rrjedhur e gjithë procedura. Ai tha se ky referendum do t’i kushtojë komunës përafërsisht prej 6.5 deri në 8 milionë denarë.

“Në RMV janë mbajtur 4 referendume të tilla, 3 prej tyre nuk kanë arritur që të kalojnë cenzusin (të jetë dalja mbi 50%) ndërsa një ka arritur por nuk është realizuar. Për këtë arsye ka nevojë ende të debatohet që kur të marrim një hap të tillë të del i suksesshëm, të mos e bëjmë për shou mediatik dhe në fund të dështojë”, tha Besar  Drumishi.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtjes edhe të një debati publik në këtë drejtim. Por, për këtë nuk janë dakord nga Lëvizja Antibixhoz, ata thonë se debati publik është mbajtur njëherë.

Jushi Emurllai nga kjo lëvizje theksoi se nuk ka ngatërresa në këtë drejtim, por se ka vonesë të qëndrimeve të Komunës rreth mbajtjes së referendumit.

Jushi Emurllai nga "Lëvizja Antibixhoz". Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Jushi Emurllai nga “Lëvizja Antibixhoz”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ne para disa ditëve patëm takim me këshilltarët e gjithë partive politike që janë në Komunën e Tetovës dhe hasëm në mirëkuptim dhe përkrahje unanime të të gjithë partive politike. Tash kemi lënë edhe një takim për caktimin e datës për caktimin e datës për mbajtjen e referendumit. Nuk mund të mbahet më debat publik dhe konkluzionet i janë dorëzuar Komunës së Tetovës. Referendumi është në pritje për të kaluar në Këshillin e Komunës së Tetovës ku të gjithë partitë unanimisht e kanë përkrahur”, tha Jushi Emurllai .

Emurllai theksoi se takimin e radhës e kanë lënë për caktimin e datës së mbajtjes së referendumit, që të jetë koha më e përshtatshme.

“Që mos të kapin pushimet edhe se ka një pjesë ligjore ku nga dita që kalon në këshill ka 45 ditë ku më së voni duhet të mbahet referendumi. Prandaj kemi lënë edhe një takim të caktojmë një kohë të përshtatshme ku të gjithë qytetarët e Komunës së Tetovës të jenë në qytet.  Mos më kap për fjale mendoj se para vjeshtës do të mbahet, kemi mundësi ta mbajmë para vjeshtës, tash kohë të caktuar fikse nuk kemi”, tha Jushi Emurllai .

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.

Ndryshe, propozim ligji për lojërat e fatit  ku parashihet që hapësirat afariste, gjegjësisht vendet për pagesë në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme është në procedurë parlamentare. Ky ligj, ngjalli reagime të shumta në opinion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button