Komuna e Tetovës thotë se është duke kërkuar mjete për sanimin e ujësjellësit të Leshnicës

Komuna e Tetovës është duke kërkuar mjete për sanimin e ujësjellësit të Leshnicës, defektet e së cilit dimrin e kaluar e lanë pa ujë disa ditë një pjesë të qytetarëve të Tetovës. Kështu u shpreh kryetari i komunës, Bilall Kasami, i pyetur nga Portalb.mk se a kanë filluar punët për rregullimin e këtij problemi, duke rikujtuar se kohë më parë Kasami premtoi se do të sanohet gjatë pranverës.

Tetova përdor dy rrjete të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit.

Ujësjellësi i Leshnicës, dhjetorin dhe janarin e kaluar vazhdimisht pësonte defekte, pasojat e të cilit drejtpërdrejtë i ndjenë qytetarët, duke mbetur pa ujë dhe me kufizime të mëdha të ujit.

Kur u paraqitën problemet, atëbotë Kasami këtë rrjet të ujësjellësit e quajti skandaloz dhe të realizuar pa standarde, ndërkaq premtoi se në pranverë do të bëhet riparimi i tërësishëm te rrjetit të ujit.

Tani që pranvera është këtu, i pyetur nga Portalb.mk, për këtë premtim, ai tha se ditët në vijim do të dilet në terren për të parë se ku duhet të intervenohet. Megjithatë diçka konkrete në këtë drejtim ende nuk ka.

Foto: Bilall Kasami
Foto: Bilall Kasami

“Sa i përket problemit me ujin, janë dy dimensione. Dimensioni i parë është në gypin e prurjes së ujit nga lokacioni i Leshnicës që aty ka një studim, raport të realizuar nga UNDP për një segment diku 700 metra i cili është problematik dhe duhet të riparohet. Ne jemi në kërkim të mjeteve financiare për realizimin e punëve ndërtimore atje. Gjithashtu është dashur që të përmirësohen kushtet dhe ditët në vijim ne do të dalim në terren të vlerësojmë pjesën tjetër të gypit të ujësjellësit deri te filtër stacioni që të shohim ku ka nevojë më shpejtë të intervenohet që mos të na përsëritet problemi përsëri dimrit. Për momentin nuk është në shfrytëzim ujësjellësi i Leshnicës. Sa i përket rrjetit të distribuimit, jemi në fazën e përzgjedhjes së kompanisë e cila do të bëjë studimin e fizibilitetit për humbjet e ujit që pastaj të shkojmë në fazën e dytë të intervenimeve aty ku duhet me urgjencë, që të zvogëlojmë në maksimum humbjet e ujit në rrjet”, tha Bilall Kasami.

Kasami ndër të tjera, dimrin e kaluar përmendi edhe lëshimet teknike dhe revizion të projektit të ujësjellësit, por edhe për këtë diçka konkrete ende nuk ka për opinionin.

“Një nga ato elemente të revidimit të projektit ka të bëjë me daljen në terren, me ekspertë të lëmisë do dalim në terren të shohim si është realizuar, në dokumentacion nuk mund të vërtetojmë atë të cilën është në terren, prandaj ditët në vijim me plotësimin e kushteve atmosferike do të dalin ekspertët në terren do vlerësojnë se a është realizuar në bazë të projektit”, tha Bilall Kasami.

Çfarë premtoi Kasami para se të merrte mandatin për sigurimin e ujit të mjaftueshëm për qytetarët?

Kasami në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

“Prandaj ne jemi angazhuar që të përpilojmë edhe një plan të detajuar se si do të zgjidhet çështja e ujit për pije, ku kemi angazhuar ekspert të lëmisë të cilët na kanë informuar për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” çështjen e ujit për pije në Tetovë duhet investim në rrjetin e shpërndarjes, që nënkupton një investim prej diku 14 milionë euro nga të cilat 4 milionë e 300 mijë euro për rrjetin primar, diku 8 milion për rrjetin sekondar dhe diku 500 mijë euro për ujëmatësit të cilët Tetova për momentin nuk i ka dhe rrjeti i harxhuar i shpërndarjes e bën që Tetova të ketë mbi 50% të ujit në rrjet. Brenda katër viteve Tetova do të ketë “Me ka krejt” ujë për pije. Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurtë sepse nga ai ujë ne e sigurojmë jetën”, tha Bilall Kasami me 14 tetor 2021.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Mungesa e ujit në Tetovë nuk është diçka e re. Qytetarët e Tetovës përballen vazhdimisht me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit kohë pas kohe. Kjo me raste vjen edhe nga gypat e vjetër në disa pjesë të qytetit. Një pjesë e gypave të rrjetit të ujësjellësit të Tetovës përmban fibra të azbestit, material kancerogjen i cili në disa vende është larguar nga përdorimi tani e disa vite. Këta gypa të vjetër janë arsye që shumë ujë humbet në rrjet dhe nuk arrin te qytetarët. Rastet më të fundit të kufizimeve ishin gjatë periudhës së kaluar kur në mes të dimrit rrjeti pësoi defekt dhe qytetarët mbetën pa ujë me ditë të tëra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte, kështu duke lënë qytetarët shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe me kufizime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button