Tetovë, disa lagje për tre ditë janë pa ujë, NPK thotë se sanon ujësjellësin
Në mes të pandemisë kur vendi përballet me variante të ndryshme të virusit Covid-19, qytetarët e Tetovës në disa pjesë të qytetit gati tre ditë nuk kanë aspak ujë të pijshëm si pasojë e defektit në rrjetin e ujësjellësit të Leshnicës që ndodhi me datën pesë janar. Qytetarët ankohen ndërsa nga Komuna e Tetovës për Portalbin thanë se sanimi i defektit është në përfundim dhe se sot uji do lëshohet me të gjithë kapacitetin, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët shprehen të shqetësuar në periudhë pandemie kur pastërtia më shumë se kurrë është e domosdoshme si dhe fajësojnë NPK-në se nuk jep informata në kohë reale.
“Është hera e dytë pa bërë ende një muaj që uji ndalet dhe nuk ka lajmërim në kohë. Përveç kësaj, NPK nuk është aspak korrekte si ndërmarrje me informacionin në kohë reale. Jemi në një periudhë që janë shfaqur versione të tjera të Covid 19 dhe pastërtia është e domosdoshme. Shpresoj që të ndërmerren hapa më të përshpejtuar në sanimin e gypave ose të bëhet një balans mes lagjeve kur bëhet reatriksion, jo një lagje mos ketë ujë me ditë të tëra dhe lagje tjetër të ketë ujë 24 orë. Megjithatë, problemi ujit është i kahmotshëm që uroj që të rregullohet në një të ardhme të afërt”, tha një qytetar për Portalb.mk.
Nga ana tjetër edhe në rrjetin social “Facebook” të NPK “Tetova” në komente lehtë shihet shqetësimi dhe frustrimi i qytetarëve.
Pasi gazetari i Portalb.mk kontaktoi me kanalet e informimit të Komunës për problemin me mungesën e ujit, NPK “Tetova” doli me një njoftim në të cilin thuhet:
“Me datë 05.01.2022 në rrjetin ujësjellës të Leshnicës ndodhi një defekt për të cilin u angazhaum dhe të nesermën defekti u sanua , më pas duke vërejtuar uljen e sasisë së ujit u lokalizua edhe një defekt tjeter si pasoje e rëshqitjes së një pusete kontrolluese të rrjetit ujësjellës që dërgon ujin nga burimi i Leshnicës deri te stacioni i filtrimit në Lisec. Sasia e ujit bashkë me bunaret arin deri me 160 l/s , sasi e cila nuk është e mjaftueshme për furnizimin normal dhe të barabartë për qytetarët tonë, kështu që gjatë natës jemi të detyruar të bëjmë restrikcion edhe atë nga ora 00:00 deri ne 05:00. Punetorët tanë gjenden në teren dhe po mundohen që sa me shpejtë ta sanojnë defektin.”
Nga ana tjetër zëdhënësi i Komunës së Tetovës, tha se sanimi është të përfundim.
“Sot shpresojmë se do të jetë në funksion, na duhen diku rreth tre orë që të sigurohemi që sot të lëshohet uji me full kapacitet”, tha zëdhënësi i Komunës.
Rikujtojmë që edhe në fund të muajit dhjetor pesë ditë nuk kishte ujë të mjaftueshëm, pasi u shfaq sërish problem me ujësjellësin.
Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se kjo çështje ka të bëjë me probleme me të cilat ata janë ballafaquar në të gjitha projektet infrastrukturore, projekte të realizuara pa asnjë standard minimal.
“Ai rrjet i gypave të prurjeve të ujit është projekt skandaloz, para një muaji unë mora informatë nga ndërmarrja publike që janë diku tetë pika kritike të lidhjeve që janë bërë të gypit dhe të cilat në çdo moment mund të plasin. Një ndër ato ne e sanuam para një muaji që ishte veçmë problematike, por tjerat nuk kishim mundësi për shkak të kushteve atmosferike, një ndër ato tetë pika kritike tani ka plasur. Të punësuarit e ndërmarrjes janë në teren, unë besoj se shumë shpejt brenda dy tre ditëve ajo do të rregullohet”, tha Bilall Kasami.
Ndërkaq i pyetur për atë se a ka plan afatgjatë për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, Kasami tha se ato pika janë identifikuar të sanohen dhe mos të ketë probleme të tilla.
“Përndryshe e dimë që Komuna e Tetovës ka pasur edhe disa puse të cilat kanë qenë të shfrytëzuara në këto situata. Fatkeqësisht edhe ato puse nuk janë në shfrytëzim, pra duhet pompat t’i servisojmë të cilat nuk kanë qenë të servisuara. Kam dhënë obligim që edhe ato pompa të servisohen dhe ato puse të vendosen në funksion që në momente të tilla qytetarët të kenë ujë të mjaftueshëm”, shtoi Kasami.
Çfarë premtoi Kasami para se të merrte mandatin për sigurimin e ujit të mjaftueshëm për qytetarët?
Kasami në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
“Prandaj ne jemi angazhuar që të përpilojmë edhe një plan të detajuar se si do të zgjidhet çështja e ujit për pije, ku kemi angazhuar ekspert të lëmisë të cilët na kanë informuar për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” çështjen e ujit për pije në Tetovë duhet investim në rrjetin e shpërndarjes, që nënkupton një investim prej diku 14 milion euro nga të cilat 4 milion e 300 mijë euro për rrjetin primar, diku 8 milion për rrjetin sekondar dhe diku 500 mijë euro për ujëmatësit të cilët Tetova për momentin nuk i ka dhe rrjeti i harxhuar i shpërndarjes e bën që Tetova të ketë mbi 50% të ujit në rrjet. Brenda katër viteve Tetova do të ketë “Me ka krejt” ujë për pije. Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurtë sepse nga ai uj ne e sigurojmë jetën”, tha Bilall Kasami me 14 tetor në #Debatpërnime.
Mungesa e ujit në Tetovë nuk është diçka e re. Qytetarët e Tetovës përballen vazhdimisht me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit.