Skejtparku përsëri pa përkujdesje, rrezikon të shndërrohet në “xhungël” (FOTO)

Një ndër parqet e vetme në Tetovë, “Skejtparku”, ka mbetur përsëri pa mirëmbajtje nga autoritetet komunale. Kullosa të gjata rrezikojnë të shndërrojnë parkun përsëri në një zonë e cila vetëm park nuk mund të quhet, këtë e tregojnë pamjet nga terreni të cilat janë dëshpëruese. Shoqëria civile tani e katër vite kërkon mirëmbajtjen e kësaj hapësire, por autoritetet nuk kanë bërë mjaftueshëm, Komuna e Tetovës premton zgjidhje së shpejti, shkruan Portalb.mk.

Në hapa të udhëheqësisë së kaluar për sa i përket përkujdesjes së Skejtparkut afër stacionit të Autobusëve në Tetovë, po ecë edhe udhëheqësia e re komunale, e cila me ardhjen në krye të Komunës nuk mori as edhe një hap për mirëmbajtjen e kësaj hapësire. Ndonëse udhëheqësia e kaluar gushtin e kaluar bëri rikonstruimin e kësaj hapësire, kjo e reja nuk po gjen vullnetin për mirëmbajtjen e saj, të paktën deri tani.

Rritja e kullosave dhe barit në park ka filluar në pamundësojë shfrytëzimin e hapësirës së gjelbër për rekreacion apo piknik. Madje aty vërehen edhe mbeturina të ndryshme si dhe dëmtim i objekteve të pakta për rekreacion.

Sipas Social Cultural Space Tetova, vullnetarët e të cilës vazhdimisht kanë bërë thirrje për mirëmbajte të kësaj hapësire, madje edhe vetë kanë ndihmuar në pastrimin e saj, sot shprehen se mirëmbajtja e skate parkut  “Skatova” (Skejtova) tanimë është problem gati 4 vjeçar, dhe ekziston që nga ndërtimi në korrik të vitit 2018.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të mirmëbahet dhe të instalohet ndriçim, për shkaqe banale ku persona të papërgjegjshëm gjatë mbrëmjeve dëmtonin ambientin (thyerje të shisheve, lënia e mbeturina, dëmtime të objekteve, etj.) mirëpo kërkesat mbeteshin pa përgjigje, veprime konkrete apo të rregullta. Ne vazhdojmë të kërkojmë dhe presim këto intervenime modeste, ndërsa shpresojmë që organet kompetente të aplikojnë ndryshimet: vendosje e ndriçimit, mirëmbajtjen e rregullt të gjelbërimit, si dhe aktivizimin e patrullave të rregullta të policisë, në veçanti në orët e mbrëmjes për të ofruar siguri dhe që të parandalohen keqpërdorimet e këtyre llojeve. Për më shumë, presim që aty të shtohen objekte për praktikim të sporteve urbane, me qëllim që të përkrahet dhe zhvillohet kjo kulturë”, thanë nga Social Cultural Space Tetova.

Ndër të tjera, pas rikonstruimit në verën e kaluar aty mbetën dy shtylla brenda parkut në të cilat ende nuk është instaluar ndriçimi publik. Nga Komuna e Tetovës  nëntorin e kaluar thanë se kjo do të bëhet së shpejti, por kaluan pesë muaj dhe kjo nuk ka ndodhur ende.

Sot, nga Komuna e Tetovës në koordinim me NPK “Tetova”, premtuan zgjidhje deri të mërkurën për rregullimin  e parkut, ndërsa për instalimin e ndriçimit publik nuk ka afat të caktuar.

“Mirëmbatja e sipërfaqeve të gjelbra nga “Parqe dhe Gjelbërime” kryhet sipas planit. Për lokacionin e lartëshënuar kositja e kullosës do të bëhet gjatë ditëve në vijim, pas festave, ditën e martë apo të mërkurë. Te këto shtylla ka pasur defekt në përçuesin e rrymës elektrike. Në ditët vijim do të sanohet edhe ky defekt”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kështu duket kjo hapësirë sot:

This slideshow requires JavaScript.

 

Ndryshe, kjo hapësirë së bashku me atë në ish Radio Tetova u realizua para katër viteve nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button