Pas dy viteve anashkalim, filloi rikonstruimi i Skejtparkut në Tetovë

Pas dy viteve jo-mirëmbajtje dhe anashkalim nga autoritetet lokale, ka filluar të pastrohet skejtparku afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Ka disa ditë që po punohet për rikonstruimin e kësaj pjese të parkut të dedikuar për të rinjtë. Pas inagurimit të tij, të rinjtë organizonin ngjarje të ndryshme dhe kalonin kohë në të, megjithatë kjo pjesë e parkut, brenda disa muajve u bë e papërdorshme si pasojë e mos-mirëmbajtes nga ana e autoriteteve komunale.

Në qershor, kryetarja Arifi premtoi se gjatë kësaj vere do të punohet që ky skejtpark të kthehet në formë më të mirë, madje ajo tha se në këtë zone do të vendoset edhe ndriçimi publik.

Ky premmtim i Arifit erdhi pasi në mungesë të përgjegjësisë dhe kujdesit nga autoritetet ndaj skejtparkutdisa aktivistë të rinj bënë pastrimin e kësaj hapësire nga mbeturinat, kositjen e barit, lyerjen e ulëseve të cilat ishin vjetërsuar si dhe rehabilitimin e përgjithshëm të tij nga vandalizmi i qytetarëve dhe nga mosmirëmbajtja institucionale. Portalb.mk ishte në teren dhe e ndoqi punën e tyre atë kohë.

“Meqenëse skejtparku është vazhdim natyror i parkut, edhe për atë kemi ndarë buxhet që ta kthejmë në formë. Gjatë verës aty do të punohet. Te skejtparku do të vendoset ndriçim publik, pas kësaj do të shohim se çfarë mund të shtohet së bashku me ndriçimin” tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Kështu duket Skejtparku sot që kanë filluar punimet:

This slideshow requires JavaScript.

Skejtparku ishte i lënë në mëshirë të fatit nga ana e Komunës së Tetovës

Rikujtojmë që Portalb.mk muajin e kaluar ishte te skejtparku në Tetovë, dhe situata ishte shumë ndryshe nga ajo që dukej në fillim dhe pas pastrimit nga aktivistët. Mbeturina, kullosa të gjata dhe degë pemësh ishin tre elementet e para që të bienin në sy në zonën e skejtparkut, grumbullimi i të cilave në disa pjesë edhe e pamundësojnë hyrjen deri tek skejtparku. Gjithashtu ndriçim publik nuk ishte vendosur.

Nga Komuna e Tetovës në muajin korrik nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk në lidhje me premtimet e dhëna të Arifit për këtë zonë.

LEXO: Skejtparku në Tetovë ka mbetur në mëshirë të fatit, Komuna nuk mban premtimin për rikonstruim

Kështu dukej Skejtparku gjatë gjithë muajit korrik:

This slideshow requires JavaScript.

Ka dy vite që të rinjtë dhe sektori civil bëjnë thirrje që kjo zone të mirëmbahet

Përpara gati se dy vitesh, “Social Cultural Space Tetova” ka kërkuar edhe ndriçim në këtë pjesë të qytetit, siguri dhe mbajtje e rendit publik, mirëmbajtje të rregullt të hapësirave të gjelbra e kështu me radhë. Sidoqoftë, secila nga këto kërkesa të tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Nga Social Cultural Space Tetova për Portalb.mk thanë se fillimisht kanë kërkuar mirëmbajtje të rregullt dhe të paktën të ketë ndriçim nga shtyllat e rrugës nëse nuk mundet që të instalohet ndriçim i posaçëm.

“Aty, kohë-pas-kohë, ne kemi bë ndonjë pastrim, si dhe ndonjëherë është kositur bari nga komuna (apo janë mbjell disa bredha), por ne shpresojmë që të fillon mirëmbajtja e rregullt dhe serioze, e pse jo të plotësohet hapësira jo vetëm me ndriçim, por edhe me shtimin e objekteve për rekreacion dhe zhvillim të skejtbord dhe BMX kulturës, si dhe praktikave tjera rekreative urbane”, thanë nga Social Cultural Space.

Arifi e promovoi këtë projekt, por kjo zonë nuk është mirëmbajtur nga ana e Komunës

Në momentin kur u ndërtua ky skejtpark, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte në vendngjarje nga ku u fotografua dhe projektin e promovoi në rrjetet e saja sociale.

Përveç kësaj, ajo në takim i kishte ftuar edhe iniciatorët e këtij projekti, të cilëve në mes të tjerash u kishte premtuar se përmes Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) do të mirëmbahet hapësira rinore, gjegjësisht skejtparku, por nuk mund të themi se e njejta është realizuar.

Ndryshe, kjo hapësirë së bashku me atë në ish Radio Tetova u realizua nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button