Tetovë, komuna nuk ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj protestuesve për “Industrialen” (VIDEO)
Edhe pse u premtua nga ana e Komunës së Tetovës në janar të vitit 2021, kërkesa e protestuesve të rrugës “Industriale” në këtë qytet për ndarjen fizike midis dy drejtimeve të qarkullimit përgjatë kësaj rruge akoma nuk është realizuar. Nga këshilli i protestuesve kërkojnë që kjo ndarje të bëhet urgjentisht , kurse nga Komuna thonë se e kanë buxhetuar ndërtimin e zhardinjeres dhe sipas tyre, me punë do të fillohet pasi të përzgjidhet operatori ekonomik, shkruan Portalb.mk.
Kanë kaluar gati shtatë muaj nga protestat e banorëve të lagjes “Industriale” si rezultat i aksidentit tragjik ku humbi jetën një vajzë 6 vjeçare në po këtë rrugë. Nga Komuna e Tetovës atëherë pranuan të gjitha kërkesat e tyre, kështu duke ju premtuar se për një afat të shkurtër do të fillojnë punët, por sot kërkesa më e rëndësishme e protestuesve vazhdon të mbetet e pa-përmbushur.
Besian Leka nga Këshilli iniciativ për rregullimin e rrugës industriale thotë se deri tani janë plotësuar disa nga kërkesat e tyre si: vendosja e pengesave për zhvillimin e shpejtësisë, sinjalizimi vertikal dhe sinjalizimi horizontal si dhe është bëtë funksional semafori te sh.f “Kirili dhe Metodi”.
Premtimi i pa-realizuar është ndarja fizike mes dy drejtimeve të qarkullimit, gjë që është çështja më e rëndësishme për sa i takon rrugës “Industriale”.
“Pa ndarje, asnjë nga punët që janë bërë nuk kanë kuptim. Ndarja është e paraparë që të bëhet në të gjithë rrugën industriale, ndërsa të lihet hapësirë vetëm në vendkalimet për këmbësorë. Kështu ne do i detyronim qytetarët e sidomos fëmijët që të kalojnë rrugën aty ku është e paraparë, duke e rritur kështu sigurinë edhe për këmbësorët por edhe për shoferët”, tha Besian Leka.
Nga këshilli iniciativ për rregullimin e rrugës industriale kërkojnë urgjentisht që të bëhet ndarja e rrugës pasi që verës rritet rreziku për tu përsëritur aksidentet fatale meqë qarkullimi në komunikacion sa shkon e rritet me ardhjen e mërgimtarëve.
Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk, thanë se kanë bërë planin për ndarjen fizike mes dy drejtimeve të qarkullimit përgjatë Industriales dhe si do të duket e njëjta dhe se me rebalancin e fundit e kanë buxhetuar ndërtimin e zhardinjeres në një pjese te rrugës Industriale, në vlerë prej dy milionë denarë.
“Shume shpejtë do te hapet edhe procedura e prokurimit për përzgjedhjen e operatorit ekonomik dhe pas mbarimit te këtyre procedurave do te fillohet me pune, për të realizuar ndarje fizike mes dy drejtimeve te qarkullimit te rrugës, me çka do te kontribuojmë ne rritjen e sigurisë se këmbësoreve ne komunikacion”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Në një video të siguruar nga Portalb.mk, shihen se si disa vetura që kalojnë nga njëri drejtim në tjetrin përgjatë rrugës industriale, kështu duke shkelur rregullat e komunikacionit dhe duke përbërë rrezik në trafik. Videoja më poshtë paraqet edhe planin nga Komuna.
Rikujtojmë se këto premtime të kryetares Teuta Arifi erdhën pas protestave të banorëve të kësaj lagje, të cilat u nxitën si pasojë e aksidentit tragjik në këtë rrugë ku humbi jetën një vajzë 6 vjeçare. Aksidentet në këtë rrugë janë të shpeshta ndërsa deri tani, autoritetet komunale me vetiniciativë nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mënjanuar këtë.
- LEXO: “Rruga e vdekjeve” në Tetovë, protestuesit: Komuna ka 14 ditë të plotësoje kërkesat tona, boll neglizhencës! (VIDEO)
- LEXO: Përveç pengesave në vendkalimet për këmbësorë, për rrugën “Industriale” në Tetovë, Arifi dha këto premtime
- LEXO: Tetovë, është hequr pengesa në rrugën “Industriale”, u shkatërrua sepse ishte nga materiali i dobët
- LEXO: Komuna e Tetovës nuk mban premtimet për rrugën “Industriale”, nuk përjashtohet riaktivizimi protestave