Tetovë, është hequr pengesa në rrugën “Industriale”, u shkatërrua sepse ishte nga materiali i dobët
Vetëm disa ditë pasi u vendosën, autoritetet komunale janë detyruar të heqin tërësisht pengesën në vendkalimet për këmbësorë në rrugën “Industriale” në Tetovë për shkak se e njëjta ishte shkatërruar, si pasojë e materialit të dobët, pengesë kjo, që u vendos me kërkesë të banorëve të cilët edhe protestuan për siguri më të madhe në këtë rrugë. Nga Komuna e Tetovës, sërish japin premtime për këtë rrugë, shkruan Portalb.mk.
Materiali i cili ishte përdorur në vendosjen e pengesës në vendkalimet për këmbësorë në rrugën “Industriale” në Tetovë u kritikua nga disa qytetarë nga dita kur u vendos i njëjti, ndërsa koha e shpejtë e vendosjes së tij u cilësua si mënyrë e Komunës së Tetovës “për të heshtur protestuesit”.
Kjo ishte gjendja e asaj pengese vetëm një javë pasi u vendos:
Sot që flasim, autoritetet komunale kanë hequr tërësisht atë dhe premtuan se do të vendosin një pengesë të re, e cila sipas tyre, do të vendoset në mënyrë të duhur.
“Pengesa në bulevardin Industrial është hequr dhe tashmë deri të premten e presim lejen nga ana institucioneve kompetente për rivendosjen e saj në mënyrë të duhur dhe e njëjta do të përbëhet prej një materiali të duhur” thanë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq, për premtimet tjera të cilat i dha kryetarja Arifi në lidhje me këtë rrugë, nga Komuna e Tetovës deklaruan se disa do ti fillojnë pas datës 15 mars ndërsa planifikojnë të përfundojnë në fund të këtij viti.
“Për vendosjen e sinjalizimit do të fillojmë atëherë kur do të na lejojnë kushtet klimatike apo më saktë, pas datës 15 mars, me rregullimin e tërësishëm të kësaj rruge kemi planifikuar të përfundojmë deri në fund të vitit” deklaruan nga Komuna e Tetovës.
Çfarë pritet të vendoset në këtë rrugë?
“Edhe pse bëhet fjalë për rrugë tranzite magjistrale, kjo pjesë e qytetit është dendësisht e banuar, dhe në të qarkullojnë shumë fëmijë që ndjekin mësimin në SHF “Kirili dhe Metodi”. Gjatë javës që vjen do të bëjmë edhe vendosjen e sinjalizimit vertikal plotësues si dhe shënimin e vizëbardhave në vendkalimet për këmbësore” deklaroi Arifi një javë më herët.
“Rruga e vdekjeve” në Tetovë, protestuesit: Komuna ka 14 ditë të plotësoje kërkesat tona, boll neglizhencës!
Protestë me 4 kërkesa konkrete u organizua në rrugën “Industriale” në Tetovë me datë 25 janar, rrugë kjo që shpesh herë ka marrë jetë njerëzish ndërsa autoritetet kompetente ende nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e kësaj.