Nuk ka ndryshim në katrahurën e stadiumit të Tetovës, “Ballistët” kërkojnë rikonstuim urgjent (VIDEO)

Stadiumi i Qytetit të Tetovës, vazhdon të mbetet në gjendje të mjerueshme, pavarësisht se shumë herë është premtuar rikonstruimi i tij. Në janar të këtij viti, Portalb.mk raportoi për gjendjen e stadiumit për çka pati reagime të shumta në opinion, por sot që kanë kaluar plot pesë muaj, situata është po ajo që ka qenë, autoritetet nuk kanë ndërmarrin asgjë për ta përmirësuar gjendjen e cila është një katrahurë e vërtetë. Në mungesë të reagimit institucional, tifozët e klubit “Shkëndija” filluan fushatën e tyre nëpërmjet të cilës kërkojnë rikonstruimin e stadiumit nga kompania “Ecolog”.

Tetova njihet jo vetëm në vend, por edhe në rajon për dy klubet e saja të futbollit, të shpallura shpesh herë edhe kampionë në nivel shtetëror, por kjo nuk ka qenë motiv për autoritetet të kontribuojnë në krijimin e një stadiumi me standarde. Xhama të thyer, mbeturina gjithandej dhe mbishkrime që i japin një pamje dhe mesazh jo të mirë, janë vetëm disa nga elementet të cilat e identifikojnë stadiumin e qytetit të Tetovës.

Tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija”, kërkojnë që kompania e cila e menaxhon klubin,“Ecolog”, ta bëjë rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

“Ka disa vite që temë kryesore është stadiumi i ri dhe pritjet e gjata ndonjëherë nuk na lënë të qetë, duke mos pasur asnjë informatë konkrete rreth kësaj çështje, detyrohemi të marrim iniciativë e cila patjetër të zbardhet dhe realizohet. Cilat janë pengesat, cili është shkaku dhe problemet që na ndalojnë, për një gjë madhështore që duhet ta gëzojmë dhe shijojmë të gjithë ne? Z. Lazim Destani ne e dimë se ky shkrim do të arrijë deri te ju dhe kërkojmë një përgjigje se kush është fajtori i dëmshëm i këtij projekti gjigand, ne nuk jemi pjesë e politikës, por as kompetent në udhëheqjen e klubit, ne asnjëherë nuk kemi reaguar duke pritur dhe besuar se çdo gjë do të realizohet ashtu siç edhe ju na premtuat”, informojnë nga “Ballistët, të cilët në rrjete sociale kanë filluar fushatën “Ecolog thuaj PO” (për stadiumin), dhe e njëjta shpërndahet nga tifozët e futbollit.

Portalb.mk u drejtua me pyetje përmes emailit zyrtar edhe te kompania Ecolog dhe pronari i saj, Lazim Destani duke pyetur se a ka marrëveshje me komunën dhe se pse i njëjti nuk fillon të realizohet, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk kemi marrë.

Paraprakisht në janar të këtij viti, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se ka një marrëveshje në fuqi me një kompani private që ajo do bëjë rregullimin, rinovimin dhe menaxhimin për një periudhë të caktuar të stadiumit.

“Kompania ka pasur disa hezitime sa i përket disa punëve të cilat është dashur ti bëjë komuna dhe nuk i ka bërë. Jemi në koordinim që ato punë të bëhen dhe kam një bindje që brenda 2022 do të nis meremetimi i stadiumit, jemi në fazën e rregullimit të çështjes së ndriçimit të cilin besoj se shpejtë do e rregullojmë në komunikim edhe me EVN-në që pastaj të vazhdoj edhe faza tjetër e rregullimit të stadiumit. Ka edhe disa dilema të tjera të cilat në bashkëpunim me kompaninë do ti zgjidhim që të mund të ja mundësojmë investimin që e ka paraparë që ajo pjesë të jetë e rregulluar”, tha Bilall Kasami në janar.

Mirëpo para dy ditëve, udhëheqësi i sektorit për veprimtari publike në Komunë, i pyetur nga Portalb.mk se çfarë po bëhet në këtë drejtim dhe se a ka një marrëveshjte të tillë, tha se nuk ka informacione për diçka të tillë.

 “Zyrtarisht si udhëheqës i sektorit për veprimtari publike nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë çështje, në momentin që do të marr informacione patjetër se do të informojmë opinionin”, tha Nazmi Dauti.

Kontaktuam përsëri zyrën për informim në Komunë, por ato nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Stadiumi i Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rikonstruimin e stadiumit Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi që kompania “Ecolog” jo vetëm stadiumin por kompania Ecolog të jetë një partner strategjik i Komunës së Tetovës me gjithë kapacitetin investues që e ka dhe atë kapacitet ta orientojë në zhvillimin ekonomik lokal të Tetovës”, tha Bilall Kasami në #Debatpërnime me 14 tetor.

Rikujtojmë që kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin  2021, por asgjë nuk u realizua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button