Stadiumi i Tetovës në gjendje katastrofale, askush nuk merr përgjegjësi

Xhama të thyer, mbeturina gjithandej dhe mbishkrime që i japin një pamje dhe mesazh jo të mirë. Këto janë vetëm disa nga elementet të cilat e identifikojnë stadiumin e qytetit të Tetovës, rikonstruimi i të cilit është premtuar nga viti 2013 nga kryetarja aktuale e komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Premtimi i njëjtë u përsërit edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017 kurse Arifi periudhën e fundit vazhdimisht ka theksuar seriozitetin e kompanisë që do të realizojë punimet se kjo do të realizohet, por në terren nuk është marrë asgjë konkrete. Zëdhënësit e komunës dhe sektori për veprimtari Publike nuk përgjigjen në pyetjet e gazetarit të Portalb.mk dhe ia ‘hedhin topin’ njëra tjetrës, kurse kryetarja Arifi pa përgjigje konkrete.

Stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe me grumbuj mbeturinash përreth tij. Qyteti i Tetovës ka ekipin që disa herë është shpallur kampion shtetëror sa i përket futbollit ku hera e fundit ishte muaji maj i këtij viti. Ishin pikërisht  funksionarët e BDI-së të cilët e ngritën kupën kur KF “Shkëndija” u shpall kampion, mes të cilëve ishin: Ali Ahmeti, Teuta Arifi, Kreshnik Bekteshi, Talat Xhaferi, Artan Grubi, kurse sot ky stadium vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme për sa i përket kushteve.

Kryetarja e Komunës, Teuta Arifi gjatë ditës së shënimit të punimeve në Bulevardin Bllagoja Toska (27 gusht) tha se rikonstruimi i stadiumit do të realizohet, por pa qenë konkrete.

“Unë mendoj se sot jemi me një projekt të madh edhe me një projekt masiv i cili është në realizim e sipër. Ashtu siç kemi realizuar këto projekte duke u falënderuar partneriteteve serioze në këtë rast me qeverinë, duke u nisur nga fakti që kemi partneritet serioz me një kompani shumë serioze, jam e bindur se kompanitë do i rrinë fjalëve dhe obligimeve që kanë marrë”, tha Teuta Arifi.

Zëdhënësit e komunës dhe sektori për veprimtari publike ia ‘hedhin topin’ njëra tjetrës

Gazetari i Portalb.mk, prej datës 12 gusht ka kontaktuar me zëdhënësit e Komunës së Tetovës për të marrë përgjigje për çështjen e stadiumit,  si nëpërmjet emailit ashtu edhe përmes telefonit. Fillimisht zëdhënësit na thanë se për këtë duhet të kontaktojmë me sektorin për veprimtari publike. Kontaktuam me personin përgjegjës, i cili atë kohë na tha se është në pushim, dhe se do të kthehet javën e ardhshme.

E pritëm, dhe e kontaktuam përsëri, kësaj radhe na tha se për këtë duhet të kontaktojmë me zëdhënësit e komunës, kontaktuam edhe këtë here por përsëri përgjigja ishte e njëjtë. Nga këtu kontaktuam edhe me shefen e kabinetit të Komunës së Tetovës të cilës ja përcollëm shqetësimin, e njëjta tha se do e përcjell mesazhin deri te kryetarja e komunës dhe se do të kthejnë përgjigje, por nuk ndodhi.

Përsëri kontaktuam me sektorin për veprimtari publike, nga ku na thanë se për këtë përgjigje mund të japin zëdhënësit e komunës. Zëdhënësit e Komunës herën e fundit me 26 gusht premtuan se do na kthejnë përgjigje por edhe kjo nuk u ndodhi, deri sa kryetarja e Komunës së Tetovës, Tetuta Arifi në një konferencë për shtyp tha se kjo do të realizohet, por pa përmendur detaje të tjera.

Kjo është gjendja e stadiumit të Tetovës nga jashtë, sepse brenda hyrja ishte e pamundur gjatë kohës që gazetari i Portalb.mk ishte në vendndodhje:

This slideshow requires JavaScript.

Maratonë premtimesh për renovimin e stadiumit, kryetarja Arifi këtë fillimisht e premtoi në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe tani përsëri në vitin 2021.

Në programin parazgjedhor të vitit 2013 të kryetares aktuale të komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në dy vende premtohet renovimi në standardet evropiane të këtij stadiumi.

“Stadiumi i qytetit (renovim si dhe mbushja e standardeve për FIFA) pasi Tetova ka mbi 3 klube dhe ka nevojë për një stadium të mirëfilltë” shkruan në programin e fushatës parazgjedhore “Ndërtojmë së bashku” në vitin 2013.

Meqenëse gjatë mandatit të parë të Arifit ky premtim nuk u realizua, me plot bindje të njëjtin premtim ajo e dha në debatin e Kallxo.com në bashkëpunim me Portalb.mk, ku në mes të tjerash garantoi se përkundër (mos) veprimeve të partnerit privat, ajo premton realizimin e këtij projekti në emër të komunës së Tetovës.

“Mendoj se brenda mandatit të ardhshëm ky premtim do të kryhet, së bashku me partnerin privat. Unë premtoj në emër të kryetares së komunës dhe në bazë të marrëveshjes që e kemi me partnerin privat” tha Arifi në vitin 2017.

Sot, jemi në vitin 2021 dhe në fund të mandatit të dytë të kryetares Arifi ndërsa ky premtim ende nuk është realizuar. Megjithatë, Arifi dy muaj më herët deklaroi se me dëshirën e mirë të partnerit privat, ky premtim sipas saj, do të realizohet.

“Mendoj që, duke u nis nga serioziteti që e kanë ata si kompani dhe interesimi, dëshira e tyre për të bërë më të mirën  për sa i përket stadiumit dhe qytetit të Tetovës, gjithsesi se do të gjejnë formën dhe mënyrën për ta kryer këtë” tha Arifi për Klan Maqedoni, më date 16 qershor.

“Në fakt është një çështje për të cilën gjithsesi se të gjithë e kemi të qartë se është edhe dikush tjetër i obliguar në këtë drejtim, duke u nis nga ky seriozitet, unë jam shumë e bindur se ata do ta bëjnë këtë” shtoi Arifi.

Të njëjtën fjali Arifi e përsëriti edhe para 3 ditëve, pa shtuar detaje të tjera.

Ndërkaq, stadiumi i Tetovës me statusin e vet është objekt i nivelit shtetërorë i cili vite më herët i është kaluar komunës së Tetovës me vendim të qeverisë dhe më pas u kalua në partneritet publiko privat. Portalb.mk mëson se partneri privat sipas marrëveshjes duhet të investojë 7 milion euro në dy stadiumet e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button