Qeveria e RMV-së miratoi pako të re të masave antikrizë, do të ndihmohen rastet sociale, pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të papunësuarit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme miratoi një pako të re të masave, në vlerë prej mbi 350 milionë eurove, për ballafaqim me krizën energjetike dhe atë të çmimeve, transmeton Portalb.mk.

Një pjesë e këtyre masave duhet të kalojnë edhe filtrin e Kuvendit, përkatësisht të votohen nga deputetët.

  • Në kuadër të këtyre masave, rreth 42 mijë qytetarë që marrin asistencë sociale, personat me nevoja të veçanta, prind të fëmijëve me nevoja të veçanta që kanë deri në 26 vjeç, ata që marrin ndihmë për kujdes, persona me sëmundje më të rëndë, prind të vetëm shfrytëzues të ndihmës minimale, do të marrin nga 3000 denarë për katër muaj, apo gjithsej 12 mijë denarë, për çka janë ndarë mbi 8 milionë euro.
  • Gjithsej 6000 denarë për 4 muaj, apo nga 1500 denarë në muaj do të marrin pensionistët që marrin rreth 11 denarë pension. Ndihmë prej 1000 denarë në muaj në katër muajt e ardhshëm do të marrin edhe pensionistët që marrin nga 11 deri në 14 mijë denarë pension. Në atë grupë janë rreth 66 mijë pensionistë.
  • Qeveria do të sigurojë edhe ndihmë për institutet arsimore dhe institutet publike shëndetësore. Shkollat do të jenë në tregun e rregulluar të rrymës, për çka janë siguruar një milionë euro. Ndërsa ndërmarrjet publike shëndetësore do të furnizojnë rrymë nga EMV me çmim dukshëm më të ulët nga ai i bursës.

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, gjatë prezantimit të këtyre masave, tha se me këto mjete, mbështetja e përgjithshme për tejkalim sa më të lehtë të krizës në të gjitha sferat deri më tani arrin në 750 milionë euro.

Mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe likuiditeti i kompanive, theksoi kryeministri, mbeten prioritet.

“Porosia kyçe është se nuk do të harrojmë askënd dhe ta lëmë të përballet vet me pasojat e krizës. Krizën do ta tejkalojmë të gjithë bashkë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se duhet të ketë energjenca, nxemje dhe rrymë, por edhe masa të targetuara për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

“Përsëri menaxhojmë mirë me buxhetin dhe i kthejmë paratë prapa te qytetarët, posaqërisht te kategoritë më të rrezikuara. Kemi bërë konsultime të thella me eskpertët, punëdhënësit, odat ekonomike dhe pensionistët, shkencën,… kemi finalizuar masat për mbështetje të qytetarëve dhe kompanive, por prej sot do të punojmë me më shumë përkushtim për tejkalimin e krizës. Veprojmë me vendosmëri dhe ndërmarrim masa të cilat zbusin krizën”, theksoi kryeministri.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button