Marzha tregtare pa efekte në Maqedoninë e Veriut

Vala e shtrenjtimit të produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut nuk ka të ndalur pavarësisht masave të Qeverisë për mbrojtjen e qytetarëve, të cilët ankohen se me të ardhurat që marrin nuk po arrijnë t’i sigurojnë as produktet bazë të konsumit.

Qeveria ka vazhduar deri në fund të vitit masat që kryesisht kanë të bëjnë me marzhën tregtare të fitimit për bukën, sheqerin dhe vajin e lulediellit në 5 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Për vezët, miellin, produktet e miellit, orizin dhe qumështin, ajo do të jetë 10 për qind.

Kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve.

Qumështi nga 60 denarë (1 euro) për litër që shitej para vendosjes së marzhës, tani ka arritur në 85 denarë (1.40 euro), kurse buka nga 30 denarë (50 centë) tani shitet me 50 deri 60 denarë (prej 0.80 deri 1 euro).

Disa qytetarë thonë për Radion Evropa e Lirë, se rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta, po e bëjnë shumë të vështirë jetën e tyre.

“Blejmë ato gjërat ushqimore që janë më kryesore, por çmimet po rriten, për ato produkte me të cilat njeriu ekziston. Ato të paktën të uleshin që të zbutet sadopak gjendja pasi papunësia është e madhe, mos pyet për ne”, thotë Mensur Hoda, punonjës në transportin publik.

“Çmimet do të vazhdojnë të rriten, nuk do të kenë të ndalur. Gjithë paratë po i harxhojmë vetëm për ushqime, edhe atë për produktet ushqimore, pasi për gjërat tjera as që mendojmë”, thotë Vesna, pensioniste.

“Rritja e çmimeve po shihet, por mendoj se Qeveria i ka fajet, ajo duhet ta shoëh nëse populli mundet t’ia dalë në fund me këto të ardhura. Ka njerëz që marrin 6.000 denarë (100 euro). Çfarë do të bëjmë me këto të ardhura?. Kemi rritje të rrymës, ujit, ushqimi është shtrenjtuar shumë”, thotë Ahmet Selimi, i punësuar në sektorin e ndërtimtarisë.

Shoqata e Konsumatorëve thotë se në adresë të saj çdo ditë arrijnë ankesa të shumta nga qytetarët për rritje çmimesh.

“Çmimet e produkteve ushqimore bazë formohen duke kufizuar marzhën tregtare. Por, njerëzit nuk e ndiejnë, çdo ditë ka rritje çmimesh që kanë arritur tavanin. Njerëzit kërkojnë masa urgjente pasi nëse vazhdon kështu, atëherë do të rëndohet edhe më shumë jeta e njerëzve. Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze pasi shumë produkte ushqimore janë më të shtrenjta se në vendet evropiane”, thotë Marija Lonçar, drejtuese e Shoqatës së Konsumatorëve.

Nga Qeveria thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara dhe në këtë kuadër, paralajmërojnë zgjerimin e listës së produkteve ushqimore që do të përfshihen në marzhën tregtare, por nuk e komentojnë rritjen e çmimeve pavarësisht masave të ndërmarra.

Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria ka gabuar me marzhën tregtare pasi nuk dha asnjë rezultat, përkundrazi, sipas tij, kemi përkeqësim të mëtejmë të gjendjes ekonomike.

“Që në fillim kemi thënë se marzha është një masë jo favorizuese si masë ekonomike. Efekti i saj është afatshkurtër dhe kur kalon një periudhë afatmesme që tani edhe e kemi, jep efektet e saj negative. Disa biznese për arsye të përfitimeve të tyre nuk fillojnë të importojnë mallra që kanë marzhën e vogël dhe në mungesë apo në mosarritje të kësaj, ndodh që në tregjet tona të fillojë të paraqitet mungesë e disa produkteve. Me mungesën e këtyre mallrave fillon rritja e çmimeve. Një pjesë e bizneseve marzhën e përdor edhe për kalkulime”, thotë ai.

Ai thotë se vendosja e marzhës jo që nuk dha rezultate, por po e pengon uljen e disa produkteve ushqimore bazë, andaj thotë se do të ishte më mirë që bizneset vetë të rregullojnë çmimet sipas kërkesës së tregut.

“Në disa shtete evropiane, disa produkte, sidomos ato të bukës dhe drithërave kanë filluar të shënojnë ulje të çmimeve. Kurse, te ne, për shkak të marzhës çmimet nuk lëvizin pasi institucionet ekonomike financiare kanë vendosur një limit që po gjeneron të ardhura për bizneset, por jo edhe për qytetarët që po paguajnë çmime të larta”, thekson Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë.

Shporta e konsumit për një familje katër anëtarëshe një vit më parë ishte 34.000 denarë (550 euro), ndërsa në muajin gusht të këtij viti ajo ka arritur në 42 mijë denarë, por nëse i shtohet edhe inflacioni prej mbi 10 për qind, atëherë shporta arrin në 48 mijë denarë.

Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut arrin në 31.000 denarë apo 520 euro, ndërsa paga mesatare në 18.000 denarë apo rreth 300 euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button