Deputetë, kryetarë e anëtarë të BDI-së e qortojnë Ali Ahmetin për sjelljen e Grubit përmes një letre publike

Në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit, transmeton Portalb.mk.

“Duke patur parasysh gjendjen e krijuar organizative për brenda BDI-së gjatë një periudhë dyvjeçare, jemi të detyruar të ngrejmë zërin dhe të reagojmë që atë të cilën e kemi krijuar me mish e me shpirt, pra Bashkimin Demokratik për Integrim, ta kthejme në pozitën siç zhvillohej plot 18 vite- pra mirë të organizuar dhe mirë të strukturuar”, shkruhet në letrën e publikuar edhe nga kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

Lista e nënshkruesve udhëhiqet nga Izet Mexhiti, pasuar nga Nevzat Bejta, Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Merita Koxhaxhiku, Visar Ganiu, etj.

“Debat politik brenda partisë për tejkalimin e kësaj situate; Përgjegjësi dhe llogaridhënie nga mbajtësit e pushtetit ekzekutiv; Apelojmë që të ndërpritet “lufta” politike brenda llojit; I bëjmë thirrje anëtarësisë dhe strukturave partiake që të angazhohen në evitimin dhe tejkalimin e këtyre dukurive dhe të kësaj situate; kërkojmë nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti që të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak”, kërkojnë nënshkruesit.

Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

“Në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake! Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike është bërë pronë individuale! Nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake! Zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegje të individit Artan Grubi! Nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vite! Për shkak të mosfunksionimit të jetës organizative të Bashkimit Demokratik për Integrim, ne konstatojmë se ka rënie të mbështetjes për partinë (zgjedhjet e fundit në Tetovë)! Sjellja arrogante dhe diletante e ekzekutivit në krye me Artan Grubin, kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve!”, vlerësojnë anëtarët e pakënaqur.

Letra e plotë është publikuar edhe nga Izet Mexhiti, Visar Ganiu, Blerim Bexheti, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button