RMV, plani për krizën energjetike këtë dimër do të dobësojë buxhetin

Buxheti i brishtë, që do të peshojë 300 milionë euro, do të duhet t’i rezistojë planit për të përballuar krizën energjetike këtë dimër. Sipas Akademikut Bexheti, nëse mundën të gjejnë para për “Shkupin 2014”, atëherë duhet të gjejnë edhe për krizën, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Sistemi i brishtë ekonomik do të rëndohet më tej nga plani prej rreth 300 milionë eurosh, të cilat këtë dimër do të nevojiten që vendi të përballet me krizën energjetike. Por paratë duhet gjetur sepse rrugëdalje tjetër nuk ka, janë të prerë ekonomistët. Kriza energjetike, së bashku me atë për ushqim po ndodh menjëherë pas krizës me kovid e cila e zbrazi edhe më tej buxhetin, ndërsa borxhi publik në një moment e ka kaluar pragun prej 60% të prodhimit të brendshëm bruto.

Por ajo që është shqetësuese, sipas ekonomistit dhe akademikut Abdulmenaf Bexheti, është se pakoja mund të jetë shumë më e rëndë, duke qenë se parashikohet që të plotësojë nevojat për gjashtë muajt e ardhshëm, në një kohë kur çmimet kanë oscilime drastike në baza ditore.

“Sidoqoftë, edhe me 300 milionë euro shtesë, bëhet fjalë vetëm për pjesën e subvencionimit të amvisërive. Çfarë do të ndodhë me kompanitë e vogla dhe të mesme dhe ata që tashmë po përgatiten të mbyllin objektet e tyre”, pyet Bexheti.

Dikush do të falimentojë, dikush do të përfitojë

Plani i qeverisë për krizën parashikon rritjen për një të katërtën e prodhimit vendas të energjisë elektrike, i cili do të plotësojë nevojat e familjeve dhe bizneseve të vogla. Por problemi mbetet për pjesën më të madhe të ekonomisë e cila energji elektrike blen në tregun e hapur. Që problemi të jetë edhe më i madh, vëren Bexheti, në të njëjtën kohë kemi kompani që prodhojnë fitime shtesë nga energjia elektrike vendase në kohë krize.

Ose thënë thjesht, shteti e subvencionon çmimin e energjisë elektrike deri në 80% për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, por ua shet atë me çmime preferenciale kompanive energjetike, si p.sh. EVN. Më pas këto kompani ia shesin energjinë e prodhuar në vend bizneseve me çmimet e tyre. Dhe kështu, thotë Bexheti, “në kohë krize, dikush bën fitime shumë të mëdha, të pamerituara e dikush duhet të paguajë duke falimentuar ose duke u mbyllur”.

Disa nga kompanitë tashmë po paralajmërojnë mbyllje dhe ikjen jashtë vendit. Maqedonia është në mesin e vendeve të rajonit ku kompanitë e mëdha paguajnë energjinë më të shtrenjtë sepse e furnizojnë me çmime të këmbimit në tregun e hapur që e kanë tejkaluar çmimin prej 700 euro për megavat, që është dhjetë herë më shumë se viteve të kaluara.

Kurse nëse mbyllen bizneset, atëherë do të jetë e vështirë të mbushet buxheti, që do të thotë se nuk do të ketë para as për zbatimin e planit energjetik, e rrjedhimisht edhe energji elektrike për qytetarët. Prandaj Bexheti thotë se huazimet që do të pasojnë për të realizuar planin e krizës energjetike janë të nevojshme, por duhet të dimensionohen mirë.

“Prej kohësh e kemi tejkaluar kapacitetin fiskal. Megjithatë, nuk ka alternativë. Natyrisht, e gjithë kjo do të rrisë borxhin publik, por kur borxhi publik rritej për 15-16% për Shkupin 2014, për këtë krizë nuk ka dilemë”, thotë Bexheti.

Këtë vit dhe dy vitet e ardhshme do të duhet të kthehen rreth 2 miliardë euro kredi dhe gjysmë miliardë euro të tjera për interes. Prandaj shteti do të duhet të marrë përsëri hua, por tani normat e interesit në të gjithë botën janë më të larta, kështu që huamarrja do të jetë më e shtrenjtë.

Sipas të dhënave nga Strategjia e Menaxhimit të Borxhit Publik 2023-2025, këtë vit duhet të kthehen 317 milionë euro, vitin e ardhshëm duhet të kthehen 958 milionë euro dhe në vitin 2024, 644 milionë euro të tjera, pra gjithsej 1 miliard e 919 milionë euro. Vetëm për kamatë këtë vit nga buxheti duhet të paguhen mbi 160 milionë euro.

Masat e ndërhyrjes për të mbijetuar këtë dimër

Sipas Alaudin Zeqirit, profesor në Universitetin e Tetovës, plani për krizën energjetike përbëhet nga masa të ndërhyrjes që duhet të ndërmerren për të mbijetuar dimrin. Thotë se për këtë duhet gjetur para dhe sipas tij plani duhet të plotësojë nevojat kryesore për këtë dimër.

Një pjesë e parave u siguruan pasi BERZH miratoi një kredi prej 100 milionë eurosh për EMV-së për blerjen e energjisë elektrike. Por Ligji i Garancisë është në Parlamenti që është i bllokuar prej muajsh nga opozita e cila kërkon zgjedhje të parakohshme.

Zeqiri shpreson se në fillim të tremujorit të ardhshëm do të vendoset ekuilibri dhe se tregjet e energjisë do të stabilizohen.

“Shpresoj që ato 300 milionë euro, nga të cilat 100 për EMV-në, do të mjaftojnë për furnizim me thëngjill si burim bazë për energji elektrike dhe me gaz natyror, gjegjësisht me naftë për energji termike, me menaxhim efikas. Duhet ta kemi shprehi, të kemi guxim të kursejmë si në mjete financiare ashtu edhe në rrymë”, thotë Zeqiri.

Plani për t’u përballur me krizën energjetike u prezantua dje në  seancën e Këshillit të Sigurimit. Siç tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, qëllimi është që të gjitha amvisëritë të kenë furnizim të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, me avull dhe ushqime, ndërsa të gjitha kompanitë e Maqedonisë të kenë energji elektrike dhe termike, me çmime më të ulëta se çmimi në bursë.

Deri më tani vendi duhej të plotësonte një të tretën e nevojave të tij duke importuar energji elektrike, ndaj këtë vit përfaqësues të qeverisë u shpërndanë në vendet e rajonit.

Pak ditë më parë u mbajt një takim me autoritetet bullgare dhe kompanitë energjetike ku u diskutua që Bullgaria të na furnizojë deri në 5 gigavat energji elektrike në ditë gjatë dimrit, por çmimet dhe kushtet do të përcaktohen më tej përmes grupeve punuese gjatë dy javëve të ardhshme.

Ndërsa disa ditë më parë në Samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd, liderët ranë dakord që të formojnë grupe për krizën energjetike dhe ushqimin për të ndihmuar vendet të kalojnë dimrin më lehtë. Për këtë, ata do të kërkojnë ndihmë edhe nga BE-ja, për t’i dhënë mbështetje për blerjen e energjisë. Ndryshe, pjesë e kësaj nisme janë Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria.

Çmimet e energjisë elektrike në bursa janë rritur për shkak të reduktimit të hidro potencialit që është shkaktuar nga thatësira dhe ndryshimet klimatike, si dhe pasigurisë së madhe në furnizimet me gaz për shkak të invazionit ushtarak rus të Ukrainës.

Ndryshe, rekomandimet për komunitetin e biznesit janë që të fikin ndriçimin dekorativ në fasadave, në objektet e prodhimit, salla dhe zyra, temperatura e kondicionerëve në sezonin e ngrohjes të mos jetë më e lartë se 20 gradë, të fiken të gjithë kompjuterët, të ndërrohen rregullisht filtrat e elementeve të ngrohjes, nëse kompania ka nevojë për ujë të ngrohtë sanitar, të instalohen kolektorë diellorë.

Për institucionet publike, megjithatë, Qeveria ka nxjerrë detyrime.

Poashtu, Qeveria ka obliguar të gjitha institucionet në nivel qendror që nga radhët e punonjësve të tyre të përcaktojnë personat të cilët do të kujdesen për uljen e konsumit të energjisë, në përputhje me rekomandimet e përmendura, duke aplikuar kontrolle të shpeshta gjatë orarit të punës, e veçanërisht pas përfundimit të orarit të punës me synim uljen e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button