Ligji për nënshtetësi hyri në procedurë të komisionit amë, opozita maqedonase e konteston sërish: Po keqpërdorët flamuri evropian

Diskutimi në seancën e  Komisionit për Çështje Evropiane, ku në rend dite është Ligji për nënshtetësi, u shoqërua me tensione e përplasje mes deputetëve të opozitës maqedonase dhe shumicës parlamentare dhe propozuesve të ligjit, shkruan Portalb.mk.

Opozita maqedonase fillimisht, nëpërmjet fjalimeve procedurale, tentoi që të pengojë votimin e rendit të ditës, për arsye se amendamentet që kishin parashtruar pak para fillimit të seancës nuk u ishin dorëzuar deputetëve pasi nuk ishin përpunuar ende. Koordinatori i grupit parlamentar, Nikolla Micevski, kërkoi që para fillimit të seancës të marrin informata se çfarë ndodhë me ato amendamente. Ai akuzoi se, po bëhet keqpërdorim i flamurit evropian dhe të procedurave të shkurtuar të cilat, siç tha, bëhen me një qëllim – shmangia e transparencës dhe debatit publik në bazë të të gjitha çështjeve, përfshirë edhe Ligjin për nënshtetësi.

“Përpos që e shkurtoni procedurën, i vendosni flamur evropian dhe e kufizoni kohën e diskutimit në dy ditë, nga ana tjetër planifikoni që të miratohet rendi i ditës dhe të fillojë të rrjedhë koha për shqyrtimin e amendamenteve”, tha Micevski.

Kryetari i komisionit, Arbër Ademi propozoi që të votohet rendi i ditës dhe më pas kur të jenë gati amendamentet të shqyrtohen, duke thënë se në këtë mënyrë është vepruar edhe në seancën për shtyrjen e Ligjit për regjistrim, ku VMRO DPMNE ka votuar dhe nuk ka shprehur kundërshtim.

“Ideja ime, propozimi im drejtuar këtij komisioni, është që ta vëmë në votim rendin e ditës, që ta shohim se komisioni a po përcaktohet që ta shqyrtojmë këtë pikë apo nuk po përcaktohet. Në qoftë se, komisioni përcaktohet se do ta shqyrtojmë këtë pikë do të kërkojmë pauzë, në mënyrë që t’i marrim të gjitha amendamentet dhe t’i shpërndajmë te të gjithë deputetët. Kështu kemi vepruar edhe në seanca të tjera. Pra, po e them në aspektin procedural, kjo është rruga të cilën duhet ta ndjekim”, tha Ademi.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativë, Skender Rexhepi, tha se do ta mbështesin çdo amendament i cili është konstruktiv dhe ka të bëjë me Ligjin për nënshtetësi.

“Le të priten amendamentet, le të punohet 24 orë fare nuk është problem, le të shihet çdo amendament konstruktiv, ne do të japim pëlqimin, ne do të japim çdo amendament konstruktiv rreth propozim ligji, pasi ky propozim ligj nuk është i yni, është i atyre që kanë nevojë për ne. S’kemi nevojë të tensionojnë situatën politike, nuk keni nevojë të pritni ju se numri i shqiptarëve do të rritet në regjistrim, gabim e keni. U dëshmua, gati 20 përqind shqiptarë dolën vetëm në diasporë, imagjinoni këtu, s’kemi nevojë ne për ndihmë për të realizuar këto, mos i ushqeni njerëzit me shovinizëm, por me çështje reale”, tha Rexhepi.

Deputetja e VMRO – DPMNE-së, Gordana Siljanovska e ka cilësuar këtë ligj si jo kushtetues, jo ligjor dhe të shkruar në dy gjuhësi në kundërshtim me rregulloren. Ajo kërkoi që të theksohen direktivat dhe rregullativat në të cilat bazohet ky ligj.

Ndërsa, deputeti i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski, kërkoi sërish që në lidhje me këtë ligj të ketë debat publik.

Opozita maqedonase, partitë VMRO – DPMNE dhe “E majta”,  në lidhje me këtë ligj ka dorëzuar 1006 amendamente, të cilat u përpunuan gjatë zhvillimit të seancës. 1001 amendamente janë pranuar si të rregullta ndërsa, 5 janë cilësuar sit ë parregullta.

Edhe përkundër kundërshtimit të opozitës maqedonase, kryetari i komisionit, Arbër Ademi, e vendosi rendin e ditës në votim dhe i njëjti u votua me 9 vota “për” dhe asnjë “kundër”. Debati rreth këtij ligji, me që është me flamur evropian, është i kufizuar në dy ditë. Më pas ligji shkon në seancë plenare në lexim të dytë.

Ndryshe, me 66 vota “për”, 38 “kundër” dhe 3 “të përmbajtur” Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme e votoi nevojën për miratimin e Ligjit për nënshtetësi me flamur evropian.

Ky ligj fillimisht ishte në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri, por që nga fillimi, ai ka hasur në pengesa të ndryshme në Kuvend. Versioni i parë i këtij propozim ligji të dorëzuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, u kontestua nga Qeveria për shkak se, në të parashihej që nënshtetësia të merrej, mes kushteve të tjera, me dëshminë e tre personave. Ky versioni ishte bllokuar në komisionin amë me qindra amendamente të dorëzuara nga VMRO – DPMNE dhe “E majta”. Pas kësaj edhe grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokuan 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë. Kjo solli në bllokim të punës së Kuvendit. Pas krijimit të kësaj situate, kryeministri Zoran Zaev dhe opozita shqiptare zhvilluan disa takime për të biseduar në lidhje me ligjin për nënshtetësi, të cilat rezultuan me marrëveshje, e cila parashihte që opozita shqiptare të dorëzojë amendamente shtesë për përmirësim të ligjit.

Megjithatë, edhe pas marrëveshjes së arritur mes opozitës shqiptare dhe Qeverisë, ligji ka vazhduar të has në pengesa në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri, ku opozita maqedonase përmes diskutimeve procedurale të zgjatura dhe akuzave, ka pamundësuar debatin mbi amendamenteve të ASH – AAA. Për të shmangur bllokadat e mëtejme, Qeveria i vendosi flamurin evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button