Është arritur marrëveshje për ligjin për nënshtetësi, opozita shqiptare duhet ta përpunojë ligjin dhe ta dorëzojë

Në takimin e tretë të kryeministrit Zoran Zaev dhe opozitës shqiptare, palët kanë arritur marrëveshje sa i përket ligjit të nënshtetësisë. Në deklaratën e dhënë për media pas takimit, Zaev nuk ka ndarë me gazetarët detajet por tha se, beson se kanë arritur marrëveshje dhe atë që sot e kanë dakorduar do ta vendosin në letër, pasi brenda ka edhe formulime juridike, që të mund ta shqyrtojnë se është ajo që kanë diskutuar në të vërtetë, transmeton Portalb.mk.

“Jemi marrë vesh që nëse shumë herët i tregojmë detajet, para se t’i vendosim në letër pasi bëhet fjalë për formulime juridike dominuese brenda, mund të bëjmë perceptime të ndryshme në opinion. Menjëherë do të punohet ligji, besoj se kur ta kemi në letër ne do ta shohim, mundet të komunikojmë në formë elektronike, që ta konfirmojmë se mund t’i ndajmë të gjitha detajet me opinionin. Nuk flasim për detajet vetëm nga aspekti i kujdesit. Jemi dakorduar që të ndajmë me ju se besojmë se kemi arritur marrëveshje, ai është formulimi i vërtetë sepse përfundimisht do ta vërtetojmë kur ta shohim në letër përmes të gjitha aspektet juridike. Propozuesit do ta përpunojmë propozim ligjin, do ta përpunojmë do të na dorëzojnë neve si pushtet ekzekutiv ta shohim, do ta konfirmojmë dhe menjëherë do ta ndajmë me opinionin”, tha Zaev

Edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se janë në rrugë të mbarë të përmbylljes së kësaj çështje. Ai tha se së shpejti opozita do ta dorëzojë ligjin, i cili do të jetë i qasshëm edhe për opinionin.

“Jemi në rrugë të mbarë. Një pjesë të madhe të gjërave që i kemi hapur si temë kemi arritur marrëveshje dhe kuptohet duhet edhe një herë t’i rishqyrtojmë të gjitha pikat e ligjit në mënyrë që të kemi një variant final të cilin do t’ua japim edhe mediave. Me këtë ligj ne synojmë që minimalisht të gjithë qytetarët që kanë jetuar dhe jetojnë prej më shumë se 30 vite në Maqedoninë e Veriut të mos mbesin pa nënshtetësi dhe ta zgjidhim këtë problem njëherë e përgjithmonë. Për këtë, vazhdojmë të jemi në rrugë të mirë për zgjidhjen e këtij problemi dhe shpresoj se shumë shpejtë, në fillim të javës së ardhshme ne do të dalim me qëndrimin tonë përfundimtar, i cili i qasshëm edhe për mediat edhe për gazetarët”, tha Sela.

Duke folur për bllokimin e punës së Kuvendit si pasojë e bllokimit të ligjit për nënshtetësi nga ana e opozitës maqedonase, Sela tha se do të veprojnë çdoherë në këtë mënyrë kur të bllokohen vendimet apo ligjet e tyre.

“Ne që nga fillimi edhe atëherë edhe tani do të jemi të qartë në një gjë, jo se kemi qenë krenar me bllokadën që e kemi bërë por kemi thënë shumë qartë se do të bllokojmë deri në momentin që ligji ynë është i bllokuar dhe ashtu jemi sjellë, në momentin që është hequr bllokada nga ligji ynë për nënshtetësi edhe ne e zhbllokuam ligjin për pakon e pestë të masave ekonomike. Ashtu do të jetë çdoherë kur do të na bllokojnë ndonjë vendim apo ligj që është në procedurë, nuk përzihemi në atë se si votojnë deputetët”, tha Sela.

Ndryshe, Aleanca dhe Alternativa fillimisht propozuan që shtetësia të merret me tre dëshmitarë dhe me njohuri të paktën një prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, duke nënkuptuar për gjuhën shqipe. Kjo u refuzua nga blloku i partive maqedonase dhe VMRO-DPMNE paraqiti amendamente për projekt-ligjin.

Pas takimit të Zaevit me Rexhepin, Aleanca dhe Alternativa hodhën poshtë kërkesën për marrjen e shtetësisë me dëshmitarë, gjegjësisht pranuan se nevojitet ndonjë dokument që të vërtetojë se jetojnë këtu, ndonjë certifikatë fëmije, vërtetim për ndihmë social. Përkatësisht do të listohen disa kushte, dhe nëse njërin prej tyre e përmbushin ata që nuk kanë nënshtetësi do të mund ta marrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button