Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për Fitër Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Stevo Pendarovski në urimin me rastin e festës së Fiter Bajramit u dëshiron qytetarëve që këto ditë festive t’i kalojnë në paqe dhe harmoni përplot me lumturi dhe gëzim dhe duke shpërndarë dashuri me të afërmit.

“Pa dallim të përkatësisë fetare, etnike dhe politike të kemi mirëkuptim dhe respekt ndaj bashkëqytetarëve tanë”, thotë Pendarovski në urim.

Kryetari i kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi uroi festën e Fitër Bajramit, duke u dëshiruar qytetarëve që ndjenja solemne dhe rrezatimi i ngrohtë depërton në zemrat dhe shtëpinë e secilit.
“Shpresoj se në periudhën që e lëmë pas, arritëm të nxjerrim më të mirën nga vetja. Se arritëm të ndajmë me të afërmit, me të njohurit dhe nevojtarët fjalë shprese, vepra solidariteti, respekti dhe mirëkuptimi, por mbi të gjitha, të ndajmë tryezën dhe gjithë që kemi. Mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe. Për shumë vjet Ramazan Bajrami!”, thuhet në urimin e Xhaferit.
Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka uruar besimtarët myslimanë me dëshira për paqe, lumturi dhe mirëqenie në çdo shtëpi.
“Festat janë ditë kur anëtarët e familjevem fqinjët, miqtë janë së bashku dhe ndajnë respekt, mirëkuptim, solidaritet të ndërsjellë. Pikërisht në këto vlera, ne së bashku, e ndërtojmë edhe shoqërinë tonë të barabartë për të gjithë dhe me këtë veçanti e integrojmë shtetin në familjen evropiane të popujve dhe shteteve. Vazhdojmë së bashku të vendosim themele të reja në marrëdhëniet e ndërsjella!”, thekson Kovaçevski në urim.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti me rastin e Fitër Bajramit ka përcjell urimet më të sinqerta për paqe, mbarësi dhe begati në familjet tuaja.
“Le të ruajmë me përkushtim freskinë shpirtërore që na e solli muaji i bekuar i Ramazanit, frymëzimin për praktikimin e veprave të mira, përforcimin e respektit dhe humanitetit ndërnjerëzor. Ju qofshin të pranuara agjërimi dhe të gjitha lutjet e bëra! Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju!”, thotë në urim Ahmeti.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka uruar besimtarët me dëshirë që çdo familje të mushet me dritën e Zotit.
“Uroj që vlerat që na mëson islami, mos të harrohen me mbarimim e këtij agjërimi dhe të kujtohen vetëm për Ramazanin e vitit tjetër! Uroj që këto parime të jenë udhëzim për çdo orë e për çdo ditë për secilin nga ne!”, potencon në urim Taravari.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka uruar besimtarët që ditët e Bajramit t’i kalojnë në harmoni e dashuri familjare, pa i harruar edhe ata që kanë nevojë më shumë për buzëqeshje dhe mbështetje.
“Si festë e sofrës së përbashkët familjare, si festë që i freskon lidhjet brenda komunitetit e brenda familjes, që sjell dashuri ndër njerëzit, që e ngroh zemrën e skamnorit e të bonjakut, Bajrami edhe këtë vit na vjen për të na mbrujtur me ngrohtësinë që e përcjellin urimet e përqafimet e festës. Duke u lutur që Perëndia ta ketë pranuar agjërimin e muajit të shenjtë, uroj që ditët e Bajramit t’i kaloni në harmoni e dashuri familjare, pa i harruar edhe ata që kanë nevojë më shumë për buzëqeshje dhe mbështetje”, thuhet në urimin e Gashit.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në urim thekson se pikërisht këto festa janë mundësi që t’i theksojmë vlerat e përbashkëta tradicionale të cilat na kanë lidhur me vite, ndërsa ato janë mirëkuptimi, solidariteti, toleranca.
“Besimi në Zot e bën çdo njeri shpirtërisht më të pasur dhe më të përgatitur që të ballafaqohet me të gjitha pengesat që i dalin përpara. Njerëzit, pa dallim të religjionit, kur janë të bashkuar dhe kur kanë besim të fortë munden së bashku të bëjnë një të nesërme më të mirë për vete dhe për të afërmit e tyre, për fqinjët dhe për bashkëqytetarët e tyre”, thekson Mickoski në urimin me rastin e Fitër Bajramit.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit edhe kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, përmes një postimi në rrjetet sociale uroi besimtarët mysliman.

“Festa e Fitër Bajramit karakterizohet me vlera të shumta solidariteti dhe respekti, andaj në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, Gëzuar festën gjithë besimtarëve mysliman! Ju uroj agjërim të pranuar dhe me dëshirë që kjo festë të përcillet me shëndet, harmoni, e gëzime të shumta për Ju dhe familjet tuaja”, ka Thaçi në urimin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button