Rruga e Banjës së Tetovës mbetet në gjendje të keqe, afati i rregullimit është zgjatur
Ndonëse ishte paraparë që projekti i UNDP-së me Komunën e Tetovës për punimet ndërtimore për murrin mbajtës të dheut rrëshqitës përgjatë rrugës së Banjës të Tetovës të përfundonte në muajin mars, afati për këtë është shtyrë deri në fund të muajit korrik, shkruan Portalb.mk.
Nga zyrat e UNDP-së në vend për Portalb.mk theksuan se rikonstruksioni i murit mbajtës në “HEC Pena” në gjatësi prej rreth 120 metra realizohet në kuadër të Projektit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut.
“Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, punimet në terren është dashur të ndërpriten deri në formimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike që do të mundësojnë realizim cilësor të objektit, për këtë arsye kohëzgjatja e realizimit është zgjatur deri më 31.07.2023”, thanë nga zyra e UNDP-së në vend.
Muri mbajtës sipas projektit të lartpërmendur të UNDP-së është 120 metra, për këtë pyetëm komunën se a ka zgjidhje afatgjate për pjesët tjera, por nga Komuna e Tetovës deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën në pyetjet tona gazetareske për këtë problem.
Nga ana tjetër, me propozim të Aleancës për Shqiptarët në buxhetin e shtetit për vitin 2023 janë ndarë 3 milionë denarë për këtë mur mbrojtës. Pyetëm edhe për këtë nëse kanë arritur mjetet në Komunë dhe për cilën pjesë do përdoren, por përgjigje nuk morëm.
Rrëshqitja e dheut përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës mbetet problem i pazgjidhur, i cili rrezikon qytetarët dhe shpesh bllokon lëvizjen në atë aks rrugor. Dheu që rrëshqet përgjatë kësaj rruge vazhdon të përbëjë rrezik për qytetarët në vazhdimësi, ndërsa situata rrënohet kur ka reshje të shiut ku dheu dhe gurët dalin dhe bllokojnë komplet rrugën.
Autoritetet deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje për problemin e dheut i cili bllokon rrugën çdoherë që ka reshje. Kjo rrugë, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, ajo megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin.
- LEXO: Muri mbajtës për parandalimin e rrëshqitjes së dheut te rruga e “Banjës së Tetovës” pritet të ndërtohet në pranverë
- LEXO: Edhe këtë dimër do të ketë rrezik nga rrëshqitja e dheut te rruga e “Banjës së Tetovës”
- LEXO: Rruga e Banjës së Tetovës në gjendje të mjerueshme, rrëshqiti dheu dhe plotë mbeturina (VIDEO)
- LEXO: Rruga e Banjës së Tetovës vazhdon të mbetet e rrezikshme, Kasami premtoi zgjidhje