RMV, filloi debati në komisionin parlamentar për ligjin e ri për nënshtetësi

Komisioni për mbrojtje dhe siguri sot filloi seancën në të cilën duhet të mbahet debat për amendamentet për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për nënshtetësi, me procedurë të shkurtuar, të dorëzuar nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa. Për ligjin, sipas paralajmërimeve, janë përgatitur dhjetëra amendamente pas bisedimeve të deputetëve dhe liderëve të LSDM dhe ASH-së dhe Alternativë, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i komisionit, Mile Talevski e ndërpreu seancën dhe kërkoi që amendamentet e paralajmëruara nga ASH dhe Alternativa t’iu dorëzohen deputetëve, ndërsa vazhdimi i seancës do të caktohet në mënyrë shtesë.

Në seancë, Talevski informoi se deputetët e VRMO DPMNE-së, kanë tërhequr 548 amendamentet e dorëzuara për ligjin. Por, deputetët nga kjo parti opozitare kërkuan për ligjin të mbahet debat publik në të cilën do të thirren të gjithë aktorët relevant dhe të ndërtohet qëndrim i përbashkët nëse propozimet janë serioze dhe mund të propozohen amendamentet. Propozimi nuk u vendos në votim, pasi nuk ka mundësi procedurale për këtë.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se në fund të javës së kaluar kanë marrë disa amendamente nga LSDM dhe ASH dhe Alternativa, por se nuk është kërkuar përfshirja e tyre në harmonizimin e këtyre amendamenteve.

Skender Rexhepi koordinator i grupit parlamentar të ASH dhe Alternativës tha se ligji nuk duhet të politizohet sepse duhet të zgjidhen problemet e një kategorie të qytetarëve që kanë problem institucional.

“Prisni t’i shohin amendamentet. Shumica do të vendos. T’i japim përparësi qytetarëve”, tha Rexhepi.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi tha se ato do ta mbështesin qëndrimin e propozuesit të ligjit vetëm të mos ketë, siç tha, “politizim dhe partizim”, edhe pse edhe ata kanë vërejtje në leximin e parë të ligjit.

Marrëveshja rreth ligjit për nënshtetësi u arrit pasi, kryeministri Zoran Zaev dhe opozita shqiptare zhvilluan disa takime për të biseduar në lidhje me këtë. Këto takime kanë ardhur pasi grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokuan 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë, pasi propozim ligji fillestar i dorëzuar nga ky koalicion u bllokua nga opozita maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button