I pashmangshëm dështimi i sezonit, Kodra e Diellit afër privatizimit
Kryeministri Zaev dhe ministri Bekteshi, paralajmëruan mundësinë e privatizimit të plotë apo të pjesshëm të Kodrës së Diellit. Të njëjtit janë të bindur se kjo do të sjellë rezultatet e pritura. Lëvizja “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” thanë për Portalb.mk se përshëndesin iniciativën, megjithatë, ata kërkojnë transparencë totale në këtë proces, në mënyrë që, siç thonë ata, “Të mos instalohet Elem 2 me ose pa qëllim”. Dimri afrohet, kurse në mungesë të borës artificiale, Kodra e Diellit sërish rrezikohet nga një sezon i dështuar, shkruan Portalb.mk.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një konferencë për shtyp sot potencoi se kjo çështje është punë e kryer sepse sipas tij, privatizimi i plotë apo i pjesshëm i Kodrës së Diellit është vendosur para krizës me virusin korona.
Bekteshi informoi se gjatë vitit të ardhshëm do të publikohet thirrja për dhënie të Kodrës së Diellit në partneritet publiko privat apo privat.
“Para krizës veçse kishim përfunduar përgatitjet dhe studimin e fizibilitetit për Kodrën e Diellit, si dhe për të gjitha objektet turistike që janë në menaxhim të “Elem Turs”. Kemi ofruar Qeverisë së Kovës që bashkërisht të veprojmë për zhvillimin e Kodrës së Diellit, presim përgjigje, në të kundërtën ne gjithsesi jemi të përgatitur dhe gjatë vitit të ardhshëm do të publikojmë thirrje publike për dhënie të Kodrës së Diellit si qendër turistike, me privatizim total të kësaj qendre apo përmes partneritetit publiko privat. Përveç qendrës së skijimit, “Elem Turs” ka në menaxhim edhe disa objekte hotelerike, sipas studimit, objektet hotelierike do të shkojnë me privatizim direkt” theksoi Bekteshi.
Çfarë thonë “Shpëtimtarët” e Kodrës së Diellit për këtë?
Armend Luta nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” përshëndeti lajmin se Qeveria do të marre kompetencat kompanisë “Elem Turs” pasi siç potencoi ai, nga kjo iniciativë vazhdimisht e kanë kërkuar këtë, për shkak të dështimit total të kësaj kompanie në udhëheqjen e Kodrës së Diellit.
“Ne si iniciativë Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit që nga themelimi vazhdimisht kemi kërkuar nga autoritetet qendrore që sa më shpejtë kompanisë Elem Turs ti merret e drejta për menaxhim me qendrën turistike Kodra e Diellit. Arsyet janë të shumta te cilat kane rezultuar me dështimin total te qendrës dhe me humbje të mëdha për çdo vit radhazi. Këto fakte vazhdimisht i kemi shprehur edhe nëpërmjet mediumeve që në një far mënyre ta përçojmë zërin tone deri tek qytetarët dhe të bëjmë presion tek autoritetet rreth kësaj problematike.
Nga ana tjetër, lajmi i fundit i Qeverise për marrjen e kompetencave nga ana e kompanisë Elem Turs ne fillim duket pozitiv dhe për tu përshëndetur, mirëpo ne si iniciativë duke marrë parasysh praktikat e mëparshme edhe ketë vendim e shohim me një rezervë dhe dyshim se si do ecin procedurat e dhënies me koncesion apo partneritetit publiko-privat” tha Armend Luta nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Ndërkaq në lidhje me privatizimin e plotë apo të pjesshëm të Kodrës së Diellit, kërkojnë që kjo procedurë të jetë tërësisht transparente dhe që investitori i ardhshëm të ketë përvojë minimum 20 vjeçare në këtë drejtim.
Luta theksoi rëndësinë e të lartpërmendurave për shkak të asaj që sipas tij i rrezikohemi një skenari “Elem 2”.
“Qëndrimi jonë është i qartë dhe konciz: Investitori i ardhshëm duhet të jetë serioz dhe të ketë së paku 20 vite eksperiencë dhe referencë pozitive në menaxhim me qendra tjera te ngjashme qe kanë treguar sukses dhe zhvillim turistik dhe ekonomik të vendit përkatës. Nuk do të lejojmë në asnjë moment qe Kodra e Diellit të bëhet lojë e pazareve politike ndërmjet partive politike dhe në asnjë moment nuk do të lejojmë instalimin e një “Elemi” te ri qe do të vazhdoje me shkatërrimin e mëtutjeshëm të kësaj qendre turistike. Andaj do të kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të bëjnë publike të gjitha detajet për kushtet dhe mënyrën e marrëveshjes që do realizohet me kontraktuesin e ri me qëllim që të ndjekim çdo veprim qe mos te instalohet një shkatërrues i ri ne Kodrën e Diellit” shtoi Armend Luta.
A ju konvenon privatizimi i plotë ose i pjesshëm bizneseve në Kodrën e Diellit?
Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut këtë të fundit e cilësoi si një ide të mirë, ai potencoi se tash është koha që potenciali i pashfrytëzuar i Kodrës së Diellit të vendoset në funksion.
“Konsiderojmë se është ide e mirë. Në thelb, secila ide që përmban mundësi të reja është e mirë. Nuk dëgjuam se si do të shitet Kodra e Diellit, megjithatë si zgjidhje konsiderojmë se është e mirë sepse atje asgjë nuk po ndodh ndër vite, janë humbur shumë vende të punës. Kodra e Diellit ka potencial i cili meriton të shfrytëzohet” tha Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut.
Një prej personave që gjatë sezonit të dimrit jep vila me qera në Kodrën e Diellit, të cilin e gjetëm përmes një reklame në “Fejsbuk” për Portalb tha se kanë humbur besimin në menaxhimin e shtetit me këtë qendër, andaj çdo investitor i jashtëm është i mirëpritur.
“Ne kemi humbur shpresat apo besimin se shteti mund të investoje apo të bëje diçka në të mirë të Kodrës së Diellit. Ndonjëherë duket e dhimbshme fakti se sikur po shesim diçka tonën, megjithatë, shumë më mirë një i huaj dhe të menaxhoje mirë se sa i yni dhe të shkatërroje” tha ai.
Pse dështoi sezoni i kaluar dhe a e pret Kodrën e Diellit një skenar i ngjashëm si ai vjet?
Një prej arsyeve kryesore se pse sezoni turistik në Kodrën e Diellit dështoi dimrin e kaluar ishte pikërisht mungesa e borës, duke mos pasur alternativë tjetër siç është bora artificiale, shumë biznese që veprojnë në këtë qendër turistike dimrin e kaluar u detyruan të mbyllin bizneset e tyre.
Ish drejtori i Kodrës së Diellit në vitin 2014, për Portalb.mk, premtoi se në nëntor të të njëjtit vit, qendra turistike Kodra e Diellit, do të pajiset me borë artificiale. Arsyeja pse dështoi sezoni i kaluar turistik në Kodrën e Diellit ishte pikërisht mungesa e borës. Shumë herë është premtuar një gjë e tillë, madje nga viti 2014 kur është ndërtuar liqeni artificial, nuk është ndërmarrë asnjë hap tjetër për funksionalizimin e të njëjtit.
“Bora artificiale do të jetë këtë vit, vitin e kaluar filluam me ndërtimin e liqenit artificial, liqeni rreth 50 për qind është gati, shpresojmë se këtë vit do përfundojë tërësisht. Dhe borë artificiale do të kemi këtë vit duke nisur nga muaji nëntor” ka deklaruar ish drejtori i Kodrës së Diellit, Petre Dimitrievski, në date 27.02.2014.
Premtimet e vitit 2014 për këtë çështje, dallojnë shumë pak nga ato të këtij viti.
Bekteshi, ministri i Ekonomisë i pyetur nga gazetari i Portalb.mk në lidhje me atë se kur do të ketë borë artificiale Kodra e Diellit, nuk dha afate, mirëpo tregoi çmimin e të njëjtës.
“Është e paraparë në Studim që të bëhet edhe bora artificiale këtu në Kodrën e Diellit, ne aktualisht jemi duke zgjedhur se cilin model të këtij studimi do ta realizojmë si Qeveri. Unë jam më shumë i mendimit që duhet të shkohet në partneritet publiko privat, bora artificiale do të kushtoje rreth 2 milion euro” tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ndryshe, qendra më e madhe dimërore turistike në vend “Mavrova” nga viti 2018 posedon pajisje për borë artificiale. E njëjta kësaj qendre turistike i ka kushtuar 700,000 Euro, dhe mjetet janë investim i pavarur i ski qendrës “Mavrova”.
- LEXO: Bora artificiale në Kodrën e Diellit sezonin e ardhshëm dimërorë
- LEXO: Peticion për rikthimin e teleferikut Tetovë – Kodër e Diellit
- LEXO: Edhe teleferiku i prishur Tetovë-Kodër Dielli pret shpëtim nga analiza e ELEM-it
- LEXO: Kodra e Diellit, çfarë duhet të bëhet më tej?
- LEXO: Kodra e Diellit, Zaevi hodhi poshtë njërën nga tre alternativat e analizës së fizibilitetit
- LEXO: Ish drejtori i Kodrës së Diellit: Studimi i fizibilitetit plagjiaturë e përpunuar edhe aspak serioze
- LEXO: ESM kërkon që Kodra e Diellit të shitet ose të jepet në partneritet publiko privat, Qeveria vendos