Ekipi i kandidatit Biden i kërkoi administratës Trump të nisë ndërrimin e pushtetit

Në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve me koronavirus vazhdon të rritet, ekipi i tranzicionit i ish-Nënpresidentit Joe Biden, fituesi i parashikuar i garës presidenciale, po i kërkon administratës së Presidentit Trump të nisë këtë javë procesin e tranzicionit. Pengesat në këtë drejtim, sipas anëtarëve të ekipit të zotit Biden, do të rrezikonin vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie, raporton VOA.

Rastet me koronavirus po rriten kudo në SHBA. Por ndërkohë virusi është bërë pjesë e një drame politike, rreth asaj nëse Presidenti Donald Trump do të lejojë bashkëpunimin mes administratës së tij dhe ekipit që punon për Joe Bidenin, I parashikuar si fitues i garës presidenciale, e që do të inaugurohet më 20 janar të 2021.

Deri më tani, Presidenti Trump, i cili vazhdon të pretendojë, por pa ofruar prova, për manipulim masiv të votave, nuk e ka lejuar fillimin e procesit të tranzicionit të administratës së re. Anëtarët e ekipit të zotit Biden thonë se kjo po vë në rrezik vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.

Është në interesin kombëtar që ekipi i tranzicionit të njihet me informacionet rreth kërcënimit që paraqet pandemia, në mënyrë që të kuptojë planet e shpërndarjes së vaksinave, të dijë se ku janë rezervat, cila është gjendja me maskat e dorezat. Ka shumë informacione të cilat duhet të shpërndahen. Kjo nuk është një gjë që mund të bëhet në minutën e fundit“, thotë Dr. Atul Gawande, anëtar i bordit këshillimor të zotit Biden mbi çështje që lidhen me COVID-19-n.

Sipas gazetës The Washington Post, hera e fundit që Presidenti Trump ka marrë pjesë në takimet e grupit të punës mbi koronavirusin, ishte para pesë muajsh. Por, javën e kaluar, ai foli mbi kohën që do të duhet për prodhimin e një vaksine kundër COVID-19-s.

“Ky proces do të fillojë menjëherë, do të shpërndahen me miliona doza së shpejti. Ata janë gati në pritje të miratimit përfundimtar”, thotë Presidenti Donald Trump.

Admirali Brett Giroir, anëtar i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin, thotë se informacionet rreth përpjekjeve të administratës Trump për të luftuar infeksionin janë ndarë gjerësisht me publikun, përfshirë dhe me anëtarët e ekipit të zotit Biden.

Dua të jem sa më transparent të jetë e mundur me të gjithë. Kjo nuk është çështje politike. Kjo është një çështje që lidhet me shëndetin publik dhe shpëtimin e jetëve të amerikane. Mendoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, thotë ai.

John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zotit Trump, u bëri thirrje udhëheqësve republikanë të nxisin Shtëpinë e Bardhë të ndajë me administratën e zotit Biden informacione lidhur me virusin dhe sigurinë kombëtare.

Sërish mendoj se duhet që republikanët të shpjegojnë se është e pashmagshme që të ketë një tranzicion dhe se ai duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur“, thotë ai.

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins në SHBA janë regjistruar mbi 11 milionë raste me koronavirus dhe rreth 246 mijë vdekje prej fillimit të pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë në botë të banorëve të prekur me COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button