Zyrtare: Alimi vishet kuqezi (Video)

Shkëndija bën goditjen e rradhës në merkato, duke angazhuar reprezentuesin e Maqedonisë, Armend Alimin. Kumanovari pas pesë viteve kthehet në kampionatin vendor dhe bëhet përforcimi më i ri i ekipit pasi sot (e enjte) ka arritur akordin me presidentin e Shkëndijës, Lulzim Imerin për t’iu bashkuar skuadrës ‘kuqezi’. Alimi ka firmosur kontratë dy vjeçare dhe menjëherë është prezantuar si futbollist i Shkëndijës, duke shprehur kënaqësinë për arritjen e marëveshjes.

“Jam shumë i lumtur që më në fund e realizuam këtë transferim. Jam i kënaqur nga kryesia, nga kushtet që më ka ofruar klubi i Shkëndijës. Shpresoj se do t’i shpaguaj në mënyrën më të mirë në teren tifozët dhe gjithë ata që shpresojnë që Shkëndija të jetë në vendin ku e meriton me qenë”, deklaroi gjatë prezantimit përforcimi i ri i Shkëndijës, Armend Alimi.

Alimi dhe presidenti i Shkëndijës, Lulzim Imeri
Alimi dhe presidenti i Shkëndijës, Lulzim Imeri
Armend Alimi pritet të jetë një prej futbollistët kryesor të ekipit në sezonin e ri, nëse meren parasysh kualitetet dhe përvoja e madhe ndërkombëtare. Rjedh nga shkolla e futbollit të Bashkimit të Kumanovës, ku do të mbahet mend si kapiteni më i ri në historinë e kësaj skuadre. Më vonë luajti për ekipin tjetër kumanovar, Milanon, ndërsa në vitin 2009 transferohet në Kroaci te Istra 1961. Pas dy viteve të suksesshme në kampionatin kroat, në vitin 2012 Alimi kalon në Suedi te Orebro, ndërsa së fundmi luajti në Qipro me Nea Salamia dhe Ermis Aradippou. Paraqitjet e mira në kampionatin qipriot bënë që të ketë oferta nga skuadra të ndryshme, mes të cilave edhe Omonia, mirëpo Shkëndija fiton betejën për mesfushorin kumanovar dhe arrin ta angazhojë në rradhët e veta. Armend Alimi është futbollisti i shtatë që i bashkohet Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht ‘kuqezinjtë’ firmosën me Zajko Zeba-n, Jani Urdinov-in, Mevlan Murati-n, Ivan Mitrov-in, Martin Kavdanski-n dhe Sedat Berishën.

Lajme të ngjashme

Back to top button