Bytyqi, Boçvarski dhe Makraduli dëshmuan për Zekirin: Posta duhet të ketë 56 të punësuar, por ka mbi 250

Me propozim të mbrojtjes, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe ish drejtori i Postës, Jani Makraduli, sot dëshmuan në procesin gjyqësor në të cilin, ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”, raporton Portalb.mk.

Dëshmitarët, folën për atë se si ka qenë gjendja në Postën e Maqedonisë dhe Hekurudhat e Maqedonisë, pse është porositur studim fizibiliteti dhe çfarë do të bëhej më të në lidhje me këto dy institucione, të cilat ndër vite kanë punuar me humbje.

Bytyqi: Studimi parashikon që për 5 vite Postat dhe Hekurudhat të jenë profitabile

Në Postë kishte mbi 250 të punësuar, ndërkaq me sistematizimin që parashihte studimi i fizibilitetit, numri do të duhej të ishte vetëm 56, deklaroi Bytyqi para Gjykatës, duke folur për studimin e fizibilitetit për Postën, e cila është lëndë e akuzës.

“Në Këshillin Ekonomik të Qeverisë është hapur çështja e Postës së Maqedonisë, e cila është një prej humbësve më të mëdhenj. Prej kur kam ardhur në pozitë, Postat e Maqedonisë ka pasur humbje prej 2-3 milionë euro në vit. Dhe për këtë, Postat, por edhe Hekurudhat, të cilat ishin humbës, kishin problem me pagesën e rrogave. Për atë duhej të bëhej studim fizibiliteti për atë nëse do të privatizohej ose të yjë në partneritet publik privat. Ne e Këshilluam Sekretariatin me qëllim që të bëhet ristrukturimi i postave”, tha Bytyqi

Ai informoi se studimi i fizibilitetit për Postën e Maqedonisë është mbaruar dhe ndodhet në Qeveri, ndërkaq studimi i fizibilitetit për Hekurudhën ka mbaruar, por nuk është kryer pranimi zyrtar i saj dhe nuk është kryer pagesa.

Në studimin e fizibilitetit ka analizë të gjendjes aktuale, pastaj ka rekomandime që brenda 5 vitesh, Postat të shndërrohet nga humbës në ndërmarrje me profit.

Pasi është kryer studimi, nën organizim të Sekretariatit të Përgjithshëm, përfaqësuesit e kompanisë kanë bërë prezantim të studimit të fizibilitetit, në prani të Bytiqit, Boçvarskit, dhe përfaqësuesve të Postës, përfshirë Makradulin

Sipas Bytyqit, studimi përdoret, megjithatë, çështja ka ngecur pasi që, dy javë pasi që është pranuar studimi, është shkarkuar Makraduli, më pas në vend të tij, erdhi një tjetër [Vasko Stefanov], por edhe ai u shkarkua dhe para një muaj e gjysmë është emëruar drejtor i ri [Bujare Abazi], me atë jemi takuar dhe i kam thënë që ka studim dhe duhet të zgjidhet kjo çështje.

Në lidhje me studimin për Hekurudhat e Maqedonisë, Bytyqi tha se situata është më komplekse.

“Gjithandej transporti i udhëtarëve subvencionohet nga qeveria, pasi që nuk mund të gjenerojë aq të ardhura sa për t’u mirëmbajtur, nga ana tjetër, në aspektin e transportit të mallrave apo kargos, pajisja është vjetërsuar”, tha Bytiqi.

Ai shtoi se me studimin parashihet që për pesë vite Hekurudhat e Maqedonisë të bëhen reputabile dhe profitabile.

“Për ne ishte më me rëndësi të ndalohej dëmi ndaj buxhetit”, tha Bytyqi.

Ai njoftoi se studimi është gati dhe përdoret, pavarësisht se nuk është bërë pranimi zyrtar dhe nuk është paguar.

Në lidhje me atë se çfarë duhet të përmbajë studimi, Bytyqi tha se sekretari i përgjithshëm i ka marrë  udhëzimet nga zyra e tij, pasi që nuk kanë pasur pritje që Sekretariati i Përgjithshëm vetë të japë udhëzime.

This slideshow requires JavaScript.

Makraduli: Studimi kishte të dhëna për mbipunësim të Postave

Jani Makraduli, i cili ishte drejtor i Postat e Maqedonisë së Veriut prej nëntorit të vitit 200 deri në prill të vitit 2022, para gjykatës foli për gjendjen në Posta, e cila ndër vite ka qenë humbëse.

Edhe ai, sikur Bytyqi, tregoi se ka marrë pjesë në prezantimin e studimit të fizibilitetit për Postat dhe tha se ky studim ka hetuar mbipunësim në Postat.

“Në studim kishte të dhëna për mbipunësim për vende jofunksionale. Pra asokohe Posta kishte rreth 240 të punësuar, ndërkaq analiza tregonte se duhen rreth 60. Këto të dhëna ishin komplementare me angazhimet tona”, tha Makraduli.

Boçvarski: Studimi i Fizibilitetit është përdorur në procesin e skriningut

Pas tij, para gjykatës, betimin se do të dëshmojë të “vërtetën” e dha Bllagoj Boçvarski. Gjykatësja e lëndës, Fanka Jançuleva Mihailovska, ashtu sikur dy dëshmitarëve paraprak, edhe Boçvarskit i tha se pavarësisht se është person publik të cilin e njohin, megjithatë për ta respektuar ligjin duhet ta japë letërnjoftimin për ta identifikuar.

Boçvarski tha se me profesion është inxhinier i diplomuar – arkitekt, ndërkaq momentalisht e kryen detyrën e ministrit të Transportit dhe lidhjeve, pas çka, ndërhyu gjykatësi i dytë i lëndës, Osman Shabani, i cili i tha: Sikur Mile? (Duke aluduar në Mile Janakieskin, ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Gruevksit, i cili është i përfshirë në shumë afera dhe lëndë gjyqësore, për çka me vite vazhdon të zvarritet nëpër gjykata).

Atmosfera vijoi me të qeshur, ndërkaq, avokati i Muhamed Zekirit, Mirosllav Vujiq, trokiti dy herë në tavolinë, në shenjë të “mbrojtjes nga mësyshi”.

Seanca vazhdoi me pyetjet e avokatëve të Zekirit, në lidhje me atë se a shërben për diçka studimi i fizibilitetit për Postat e Maqedonisë. Boçvarski tha se studimi ndodhet në Ministri dhe përdoret, madje të dhënat prej atje janë përdorur në procesin e skriningut të RMV-së në Bruksel.

“Shërbimet e tona kishin takim në Bruksel në kuadër të skriningut për këtë temë dhe shfrytëzuan të dhënat nga ky studim”, tha Boçvarski.

I pyetur nga prokurorja se a s’kanë pasur prej tjetër ku t’i marrin të dhënat për gjendjen në Postë, përveç studimit të fizibilitetit, Boçvarski tha se për atë fotografi më të qartë kanë strukturat profesionale.

“Shërbimet profesionale kanë fotografi për atë se si është gjendja, por për hapat e ardhshëm duhet të bëhet studim dhe analizë”, tha Boçvraski.

Në seancën paraprake, gjykimi nisi nga fillimi, pasi kanë kaluar 90 ditë prej seancës së fundit kur është mbajtur.

Prokuroria e akuzon Zekirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zeqiri paraprakisht ka thënë se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pas, për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Gjyqi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button