Mbi patriotizmin dhe tradhtinë
Gjashtë vjet pas ngjarjeve të përgjakshme të 27 Prillit të vitit 2017, kur nën organizimin e pushtetit të atëhershëm persona të caktuar kryen veprën penale “Cenim terrorist i rendit kushtetues” dhe për këtë më vonë disa u dënuan, disa u amnistuan, disa janë në vuajtje të dënimit e disa janë ende në arrati, nuk mund të thuhet se gjithçka është përmbyllur lidhur me këtë rast eklatant të shkeljes së parimit kryesor të demokracisë: transferit të qetë të pushteti pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Edhe pas gjashtë vitesh, opinioni publik është thellësisht i ndarë për këtë çështje, duke diskutuar pa fund se cilët ishin tradhtarë e cilët ishin patriotë atë ditë me diell, kur turma e organizuar dhe e drejtuar nga pushteti i atëhershëm vendosi të mësyjë në Kuvend, të sulmojë fizikisht deputetët, dhe të tentojë të vrasë deputetin e atëhershëm Zijadin Selën.
Këto dilemat rreth patriotëve e tradhtarëve nuk kanë të sosur. Vite me radhë vazhdon ky debat në nivele të ndryshme dhe lidhur me çështje të ndryshme. Fatkeqësisht, vite me radhë shihen si tradhtarë pikërisht ata që bëjnë të pamundurën që ky vend i vogël të bëhet pjesë e NATO-s dhe e UE-së, ndërsa shihen si patriotë ata që e minojnë këtë proces dhe dëshirojnë ta kthejnë këtë shtet në disa drejtime obskure te të cilat nuk shihet asnjë perspektivë.
Tani, gjashtë vite më vonë nga ajo ditë kur “patriotët” humbën dhe “tradhtarët” erdhën në pushtet, Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s dhe sigurinë e saj e garanton ky pakt i fuqishëm ushtarak, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë u bë e mundur në saje të Marrëveshjes së Prespës e cila në kohën kur u soll, dhe kur u ndryshua Kushtetuta për të akomoduar emrin e ri të shtetit, nga disa u pa si akti më madhor i tradhtisë. Nëse është tradhti që të sigurohet mirëqenia, siguria dhe perspektiva e shtetit si anëtare e NATO-s, atëherë kjo tregon qartë se çfarë pikëpamje të gabuara ekzistojnë në këtë vend mbi tradhtinë dhe patriotizmin.
Me Marrëveshjes e Prespës u hap rruga për në NATO, ndërsa me Propozimin Francez lidhur me Marrëveshjen për raporte të mira fqinjësore me Bullgarinë, u hap rruga për fillimin e negociatave me UE-në. Propozimi Francez u votua në Kuvend dhe kjo marrëveshje ndërkombëtare duhet zbatuar sipas parimit themelor të popujve të civilizuar: Pacta sund servanda (Marrëveshjet duhet të zbatohen). Tani, kur kjo marrëveshje duhet të zbatohet dhe po ndërmerren aktivitete konkrete lidhur me këtë, sërish flitet për tradhti dhe patriotizëm. Sërish përhapen spine të ndryshme dhe të pavërteta që kanë për qëllim vetëm të krijojnë ndasi të reja në opinion, të krijojnë armiqësi dhe ta përforcojnë negativitetin ndaj proceseve euro-integruese.
Kështu për shembull përhapet spin se Grupi i punës i krijuar nga Ministria e Drejtësisë për inicimin e ndryshimeve kushtetuese për akomodimin e kërkesave që dalin nga Propozimi Francez e anashkalon, injoron ose tërësisht e abrogon punën e Komisionit juridiko-kushtetues pranë Kuvendit të RMV, gjë që është tërësisht e pavërtetë. Grupi i punës i krijuar nga Ministria e Drejtësisë përbëhet nga ekspertë dhe nga përfaqësues të paritve politike të cilët do ta formulojnë iniciativën për ndryshime kushtetuese. Ministria e Drejtësisë ka plotësisht të drejtë të krijojë grup punues për këtë çështje duke qenë se Qeveria është njëri ndër subjektet që mund të inicioje ndryshime kushtetuese dhe këtu nuk ka asnjë dilemë juridike. Grupi i punës nuk është zëvendësim i Komisionit juridiko-kushtetues. Këtë spin e përhapin qarqe të caktuara të cilat janë të interesuara të krijojnë edhe më tej armiqësi të bazuara jo në fakte por në frikë dhe në ligësi.
Spini i dytë që përhapet është se Grupi i punës që në këtë fazë do të përgatisë amendamentet kushtetuese, gjë që sërish nuk është e vërtetë. Grupi i punës në fillim do të përgatisë iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës për akomodimin e Propozimit Francez, ndërsa kjo iniciativë do të dalë në votim në Kuvend. Pas votimit të suksesshëm eventual, do të fillojë përgatitja e amendamenteve kushtetuese, që është proces i veçantë. Por në opinion krijohen spine sikur Grupi i punës, i mbushur fund e krye me tradhtarë të përbetuar, do të shkruajnë Kushtetutë tërësisht të re dhe do ta përmbysin këtë shtet. Është për të ardhur keq se si mediume por edhe profesorë të ndryshëm e intelektualë përhapin të pavërteta të këtilla dhe elektrizojnë opinionin duke mbjellë frikë dhe pasiguri, në kohën kur duhet të mbjellin optimizëm.
Gjithmonë ndodh që në kohërat e ndryshimeve të mëdha ajo që më lehtë përhapet është frika. Kur në mjedis ka edhe mosbesim dhe jo-tolerancë ndëretnike, frika bëhet edhe më e madhe dhe njerëzit lehtazi kategorizohen si tradhtarë. Nëse rezultati i kësaj “tradhtie” do të jetë hyrja në UE, atëherë shtrohet pyetja për çfarë luftuan “patriotët”?!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.