U vendos gur-themeli i Korridorit 8 në Tetovë

Sot në Tetovë u vendos gur-themeli i Korridorit 8, nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade e cila vazhdon në Gostivar – Bukojçan- Trebenisht – Strugë dhe Qafë Thanë. Të pranishëm ishin nga ekzekutivi, legjislativi, ndërmarrje shtetërore, komuna, diplomat etj. Reagoi Lëvizja Besa, ku kryetari i Tetovës, vendit ku u vendos ky gur-themel vjen nga kjo parti dhe nuk ishte i pranishëm në ceremoni, thonë se projekti ka dyshime për keqpërdorime, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski theksoi se e pozicionin gjeostrategjik dhe Korridorin 8, vendi bëhet rrugë e pashmangshme transporti si në rajon ashtu edhe më gjerë.

“Gur-themeli i Korridorit 8 nuk është vetëm fillimi i një infrastrukture të re rrugore, është edhe gur-themeli i investimeve të reja, hapja e tregjeve të reja, mundësi për bashkëpunime të reja si p.sh. si ndërmjet kompanive vendase, ashtu edhe ndërkombëtare. Ndërtimi i Korridorit 8 nënkupton më pak kosto për transport, transport më të shpejtë, lidhje dhe integrim të Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillim ekonomik dhe rajonal të vendit Ndërtimi i Korridorit 8 nënkupton lidhjen e vendit me vendet e tjera evropiane, do të thotë investime të huaja, zhvillim ekonomik i vendit, transferim më i shpejtë i njerëzve dhe mallrave, turizëm i zhvilluar dhe mbi të gjitha rrugë të sigurta dhe të besueshme për qytetarët”, tha kryeministri.

Shaun Kenny kryetar i Bechtel theksoi se partneriteti Bechtel dhe Enka jep rezultate të mira për klientët.

“Kjo do të na mundësojë të kemi punëtorë lokal të cilët do t’i shfrytëzojmë edhe në projektet e ardhshme infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut”, tha Kenny.

E pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Price Aggeler e cila theksoi se ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për vendin, por edhe për Ballkanin, Evropën dhe SHBA-të.

“Kjo është më shumë se sa investim i thjesht në rrugët e Maqedonisë së Veriut, kjo është investim në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendeve të lidhura me Korridorin 8 dhe më gjerë. Jam e bindur se besim ndërtimet do zhvillohen shpejtë dhe në mënyrë të suksesshme duke i sjellë njerëzit e këtij rajoni më afër së bashku, më shpejtë”, deklaroi ambasadorja.

Për këtë reagoi Lëvizja Besa, ata thonë se ashtu si çdo projekt tjetër, i cili nis mes shumë dyshimeve, keqpërdorimeve e të panjohurave, kjo qeveri, sot e nisi edhe projektin e radhës – korridorit 8.

“Si për çudi, ky projekt, nisi pikërisht në autostradën Tetovë – Gostivar, autostradë kjo, e cila, ndërtimin e saj e pati gjysmak, dhe që ishte dhe është turp ta quash autostradë. Ndërtimi i kësaj autostrade, nis ende pa bërë asnjë konsultim të vetëm me banorët, tokat e të cilëve do të duhet të shkatërrohen për ndërtimin e saj. Kjo Qeveri, një autostradë të ngjajshme tash e ca vite më parë, e nisi edhe nga Kërçova për në Ohër, por ndërtimi i kësaj rruge, ka humbur diku mes malesh”, tha Abdush Demiri, sekretar gjeneral i Lëvizjes Besa.

Kujtojmë që më 8 mars u nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Bechtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë. Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.

Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D e fitoi grupi i kompanive “IRD Inxhiniering”, “Elektrasollushëns”, Evrokonsallting” dhe “EPTISA”. Tri nga katër firmat pjesëmarrësve kontestohen për të paktën një çështje ose cenohet besueshmëria e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button