Organizatat qytetare – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut

Organizatat e shoqërisë civile me punën e tyre luajnë rol thelbësor në procesin eurointegrues të vendit dhe si të tilla ata ndihmojnë në shtyrjen e këtyre proceseve përpara. Kjo u theksua në konferencën e sotme të organizuar mbi këtë temë, ku morën pjesë zyrtarë, diplomat dhe shoqëria civile, shkruan Portalb.mk.

Sipas zëvendëskryeministrit për çështje evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Bojan Mariçiq përgjegjësia më e madhe është e Qeverisë, Parlamentit dhe politikanëve, por pa një proces të hapjes, llogaridhënies, konsultimit dhe pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile, ai proces nuk mund të jetë plotësisht i suksesshëm.

“Kjo është arsyeja pse ne patëm disa raunde konsultimesh që nga dita e parë kur nisën negociatat vitin e kaluar. Madje kemi kërkuar nga Këshilli për Bashkëpunim në mes të Qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile që të shqyrtojë mundësitë se si të përfshihen organizatat e shoqërisë civile në procesin e negociatave”, tha Mariçiq.

Ai informoi se është përgatitur analizë që ofron tre opsione për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në këtë proces.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Bojan Mariçiq. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Bojan Mariçiq. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Njëri opsion është përfshirja e drejtpërdrejtë në grupet e punës për të gjithë kapitujt dhe për të gjitha grupimet, është opsioni që kërkon më shumë përgjegjësi dhe angazhim nga organizatat joqeveritare. Opsioni i dytë është konsultime të gjera nën konsultime tematike në vend të pjesëmarrjes në grupe pune, konsultime për çdo grup pune. I treti është një model i kombinuar, ku bëjmë konsultime tematike dhe në disa grupe përfshijmë individë të nominuar nga organizatat e shoqërisë civile” tha Mariçiq.

Sekretarja shtetërore në SEÇ dhe zëvendës kryenegociatorja me BE-në, Drita Abdiu – Halili tha se Sekretariati për Çështje Evropiane ka qenë gjithmonë i hapur ndaj idesë që organizatat e shoqërisë civile të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të kontribuojnë në efikasitetin dhe efektivitetin e progresit të negociatave.

Udhëheqësi i Delegacionit të BE-së në RMV, Dejvid Gir tha se procesi në vetvete kërkon përkushtim të madh të të gjithë aktorëve politikë dhe përkushtim të veçantë ndaj sektorit joqeveritar.

Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Xhei nënvizoi se Maqedonia e Veriut ka vendosur një qëllim ambicioz për të qenë anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030 dhe se tani të gjithë palët e interesuara duhet të punojnë së bashku për të arritur këtë qëllim.  Ajo theksoi se angazhimi i organizatave të shoqërisë civile është thelbësor për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie të procesit të integrimit në BE. Siç tha ajo, organizatat qytetare janë një lidhje shumë e rëndësishme ndërmjet Qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ajo shtoi se organizatat civile mund të ofrojnë njohuri dhe ekspertizë në rrugën drejt transformimit të përgjithshëm të shoqërisë maqedonase në rrugën e integrimeve evropiane.

Eksperti për bashkëpunim me organizatat qytetare në bisedimet për anëtarësim në BE, Momçillo Radulloviç, prezantoi tre modelet për përfshirjen e organizatave qytetarë në bisedimet për anëtarësimin në BE, të cilat i përmendi Mariçiq më lartë.

Konferenca "Organizatat qytetare – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut". Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferenca “Organizatat qytetare – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) njoftoi se përfshirja e sektorit civil në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE është paraparë me Vendimin për themelimin e strukturës për negociata për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, neni 15 paragrafi 4 dhe neni 16, të cilat mundësojnë pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në grupet punuese për përgatitjen e qëndrimeve negociuese.

“Më 28.11.2022, Sekretariati për Çështje Evropiane shpalli thirrje publike për regjistrimin e organizatave të interesuara të shoqërisë civile për krijimin e regjistrit/bazës së të dhënave të organizatave të shoqërisë civile për konsultime për procesin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimi Evropian, ku deri më 10.01. 2023 janë regjistruar rreth 200 organizata të shoqërisë civile”, thanë nga SÇE.

Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i modeleve për pjesëmarrjen e organizatave civile në procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe hapja e diskutimit rreth këtyre temave.

Konferenca u organizua me mbështetjen e Mbretërisë së Suedisë përmes projektit “Mbështetja Nordike për Përparimin e Maqedonisë së Veriut” i cili zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projekti –UNOPS.

Konferenca "Organizatat qytetare – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut". Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferenca “Organizatat qytetare – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button