Muhamed Zeqiri në bankën e të akuzuarit, gjykata miratoi aktakuzën

Gjykata Themelore e Shkupit e ka miratuar aktakuzën ndaj Muhamed Zeqirit. Këshilli për vlerësimin e aktakuzës, duke vepruar sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër M.Z., i cili akuzohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, ka marrë vendim për vlerësim me të cilën hodhi poshtë kundërshtimet e paraqitura, duke pranuar aktakuzën, transmeton Portalb.mk.

“Sipas përshkrimit në aktakuzë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer vepër penale të vazhdueshme – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 dhe neni 45 i Kodit Penal. I akuzuari, si zyrtar – Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së, me qëllim ka kryer dy veprime të lidhura me kohën që paraqesin realizim të shumëfishtë të të njëjtës vepër. Në periudhën nga prilli 2021 deri në mars 2022, ai, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik dhe në dy raste, pa kryer procedurë përkatëse për prokurim publik, në të cilën në mënyrë konkurruese do të zgjidhej një person juridik për realizimin e aktiviteteve të nevojshme, ai ka lidhur dy kontrata me dy persona juridikë si ofrues të shërbimeve”, thonë nga Porkuroria.

Nga Prokuroria shtojnë se më datë 04.05.2021, i pandehuri, pa kryer procedurë të prokurimit publik, me ndihmën e shtetasve të dyshuar kroatë, të paarritshëm për organet e rendit, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një person juridik në vlerë prej 795.000 euro pa TVSH në kundërvlerë të denarit. Ky person juridik, në të cilin një nga shtetasit e dyshuar kroatë është bashkëthemelues dhe menaxher, është themeluar njëzet ditë para lidhjes së Marrëveshjes. Pas lidhjes së marrëveshjes, personi juridik ka lidhur Marrëveshje për shërbime konsulente për procedurën e vlerësimit të vlerës, me shtetasin e dytë të dyshuar kroat, në shumë prej 130.000 euro në denarë. Gjatë periudhës kritike, në disa raste janë paguar mjete nga llogaria e Qeverisë së RMV-së në llogarinë e personit juridik, me çka për personin juridik është arritur përfitim i konsiderueshëm pasuror kundërligjor në vlerë të përgjithshme prej 57.932.100,00 denarë, që paraqet shumën sipas kontratës së rritur për 18% TVSH, ndërsa për të cilën shumë është dëmtuar buxheti i RMV-së.

Marrëveshja e dytë, sipas akuzës, ka të bëjë me shërbimet konsulente për mbështetje në procesin e privatizimit potencial të Hekurudhave të RMV-së Transport Sh.A. Shkup dhe është nënshkruar në muajin e ardhshëm, gjegjësisht më 23.06.2021, me person tjetër juridik si ofrues i shërbimeve (konsulent).

“Marrëveshja është nënshkruar me vlerë të përgjithshme prej 772.400 euro në kundërvlerë të denarit pa TVSH. Në llogarinë e këtij personi juridik, Qeveria e RMV-së në bazë të faturës së dhënë fillimisht ka paguar avans me vlerë prej 11.284.162 denarë për mbajtjen e mbledhjes fillestare me personin juridik, gjegjësisht për fillimin zyrtar të projektit, a në bazë të edhe katër faturave tjera janë paguar mjete buxhetore me vlerë prej 26.247.138 denarë, vlerë për të cilën është dëmtuar buxheti i RMV-së”, thuhet në akuzë.

Me veprimet e përshkruara, sipas akuzës, Zeqiri ka përfituar në mënyrë të paligjshme mjete në vlerë të përgjithshme prej 89.385.255 denarë (mbi 1.4 milion euro), vlerë për të cilën e ka dëmtuar buxhetin e shtetit.

Duke marrë parasysh rrethanat, ndaj të akuzuarit është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button