Edhe përkundër premtimit publik të ministrit, MASH hesht përsëri për shkollën në Reçicë të Vogël

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske për shkollën fillore të re në Reçicë të Vogël, edhe përkundër premtimeve publike të ministrit i cili udhëheq me këtë ministri, Jeton Shaqiri. Problemi me këtë shkollë është se në Komunën e Tetovës ende nuk është bërë pranim-dorëzimi teknik i objektit, ndërsa ministria thotë të kundërtën, por nuk përgjigjen për detajet, shkruan Portalb.mk.

Pas lajmit të Portalb.mk para dy ditësh për shkollën e re në Reçicë të vogël ku MASH nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske, të njëjtën ditë (20 qershor) ministri i Arsimit dhe Shkencës- Jeton Shaqiri në emisionin debativ Click Plus (minuta 30:25), duke iu referuar tekstit të Portalb.mk tha se nesër (dje) do të bëjnë komunikim zyrtar për këtë shkollë dhe se është bërë pranim-dorëzimi teknik.

“Unë kam verifikuar dokumentacionin që kam, shkresat që i janë dorëzuar komunës së Tetovës dhe për rastin konkret nga ana e MASH përafërsisht në muajin nëntor-dhjetor në vitin paraprak kur skam qenë unë ministër është bërë pranimi i objektit nga aspekti teknik. Nga ana e ministrisë po ka mbaruar dhe nesër do të bëjmë një informacion të përgjithshëm. Në qoftë se nga ana e Komunës së Tetovës thuhet se cilët janë arsyet, qoftë teknike, do të kemi komunikim, nesër e kemi lënë komunikimin nga sektorët përkatës . Për mua ka rëndësi në qoftë se Komuna Tetovës gjykon se duhet nga ana e dokumentacionit, jemi të gatshëm të fillojë”, tha Shaqiri.

Por, referuar ditës së nesërme siç tha ministri, dje nga ministria e tij edhe pse të kontaktuar nga Portalb.mk, fillimisht na njoftuan se do të përgjigjen në formë të detajuar dhe se do të ketë informacion edhe në ueb-faqen e ministrisë për rastin në fjalë, kjo nuk ndodhi. Nga atje u përgjigjën shkurt:

“Në lidhje me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se për shkollën e përmendur “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël – Tetovë, me datë 07.09.2021 është kryer kontroll teknik/(pranim) nga inxhinieri mbikëqyrës për ndërtime dhe persona të autorizuar nga MASH”.

Portalb.mk, disa herë ka insistuar që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ta dëshmojë me dokumentacion pohimin se është realizuar pranim-dorëzimi teknik dhe të tregojnë se çfarë do të bëjnë në lidhje me kërkesën e Komunës së Tetovës për ndërtimin e murit rrethues të shkollës, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli përgjegjësit e Ministrisë nuk i hapin telefonat dhe nuk u përgjigjen sms-porosive tona.

Nga Komuna e Tetovës ritheksuan se në komunë nuk ka ndodhur pranim-dorëzimi teknik, sipas tyre i njëjti është bërë nga drejtoria e shkollës.

“Në komunë dhe në sektor nuk kemi asnjë dokument të tillë dhe asnjë procesverbal ku është bërë pranim-dorëzimi teknik, mirëpo pranim-dorëzimi është bërë ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë për Arsim, konkretisht nga sektori për investime kapitale dhe drejtorisë së shkollës. Ministria për Arsimit ka kryer objektin, e ka furnizuar me inventar përbrenda dhe tani duhet të shohim hapat të tjerë që duhet t’i ndërmarrim ne si dy institucione”, tha Nazmi Dauti udhëheqës i sektorit për veprimtari publike.

Shkolla në Reçicë të vogël rrezikon edhe këtë vit të mos lëshohet në përdorim, kjo për shkak se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka koordinim efikas me Komunën e Tetovës për procedurat e mëtejme.

Përveç se nuk është bërë pranim- dorëzimi nga ana e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, Komuna ka edhe disa probleme teknike në regjistrimin në kadastër të shkollës.

Shkolla shumë e pritur, premtuar dhe e stërdiskutuar në Reçicë të Vogël u përfundua në muajin shtator, dhe u hap në mënyrë simbolike vetëm për klasën e parë që filloi me 1 shtator të vitit që e lamë pas.

Ndryshe, kjo shkollë u ndërtua pas 9 viteve premtime parazgjedhore. Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button