Shkolla në Reçicë të Vogël u premtua 8 vite, pritet të hapet në shtator të 2021

Në fillim të shkurtit hapet mundësia për aplikimin e kompanive që do ta ndërtojnë shkollën fillore në Reçicë të Vogël. Në qoftë se punët shkojnë sipas tenderit që figuron në sistemin për prokurim publik, punimet për shkollën do të fillojnë në fillim të muajit prill. Meqenëse afati për ndërtimin e shkollës është 17 muaj, i bije që e njëjta të jetë gati në shtator të vitit 2021. Ndryshe, kjo shkollë premtohet tash tetë vite dhe nxënësit me dekada janë detyruar të ecin me kilometra për të arritur në mësim, njofton Portalb.mk.

Vetëm 3 ditë më herët Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në faqen e tij të Fejsbuk-ut publikoi vendimin për ndërtimin e objektit të kësaj shkolle, e cila do të ju shërbeje nxënësve të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” të cilët deri sot kanë ecur me kilometra për të arritur në mësim.

Gazetari i Portalb.mk analizoi tenderin e publikuar në sistemin për furnizim publik, dhe informon se në qoftë se punët shkojnë sipas planit të parashikuar dhe nuk del ndonjë pengesë, nxënësit e Reçicës së Vogël vitin shkollor 2021 do të mund ta fillojnë në objektin e ri.

Meqenëse tenderi tanimë është publik, me datë 13 shkurt bëhet hapja e mundësisë që kompanitë të aplikojnë me ofertat e tyre për ndërtimin e shkollës, menjëherë pas kësaj në qoftë se nuk ka ankesa do të nevojiten 1 muaj për të nënshkruar marrëveshjen dhe të përmbyllen punët administrative që më pas në fillim të muajit prill të fillojnë punët për ndërtimin e shkollës.

Afati i paraparë për kompaninë që t’i përfundojë punimet për ndërtimin e shkollës është 17 muaj, andaj në qoftë se punët fillojnë në prill të këtij viti, të njëjtat pritet të përfundojnë në fillim të muajit shtator të vitit 2021.

Ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, Tetovë, është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg  shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Zgjidhja e këtij problemi u premtua disa herë, madje nga fushata e parë parazgjedhore e kryetares Arifi, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë në drejtim të aktiviteteve ndërtimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button