Pas 9 viteve pritje, shkolla në Reçicë të Vogël u lëshua në përdorim vetëm për klasën e parë (VIDEO)

Shkolla në Reçicë të Vogël “Naim Frashri” e cila premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës gati 9 vite, u lëshua sot në përdorim vetëm për klasën e parë e cila filloi këtë 1 shtator. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se kjo nuk llogaritet ndonjë hapje zyrtare, por kjo është vetëm shënimi i  vitit për klasën e parë e cila e filloi vitin shkollor në po këtë shkollë. Nga ana tjetër punët e përgjithshme të shkollës janë kryer dhe në periudhën në vazhdim, me pëlqim nga Ministria e Arsimit pritet të bëhet bartja e nxënësve të tjerë, shkruan. Arifi tha sekur r të kompletohen të gjitha klasat dhe kuadri i nevojshëm, do të bëjnë edhe hapjen solemne të kësaj shkolle moderne, shkruan Portalb.mk.

Sot me fillimin e vitit të ri shkollor në të gjithë Maqedoninë e Veriut, u lëshua në përdorim edhe shkolla e shumëpritur në Reçicë të Vogël “Naim Frashëri”, por vetëm për klasën e parë e cila e filloi vitin e ri shkollor në këtë 1 shtator.

Të pranishëm në shënimin e vitit të ri për klasën e parë në këtë shkollë ishin kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ish-ministri i Arsimit dhe njëherit deputeti Arbër Ademi, arsimtarë, nxënësit, prindërit dhe banorë nga ky vendbanim.

Kryetarja e komunës, Tetuta Arifi tha se punët e përgjithshme në shkollë kanë mbaruar dhe sot fillohet vetëm me klasën e parë, e cila është planifikuar të fillojë menjëherë në këtë shkollë.

“Sot mos e llogaritni ndonjë hapje apo ndonjë solemnitet zyrtar, po jemi këtu thjeshtë për të shënuar fillimin e vitit për klasën e parë e cila e filloj vitin shkollor këtu. Në ndërkohë deri sa i presim pëlqimet nga ana e Ministrisë së Arsimit për sa i përket angazhimeve të reja, në mënyrë graduale do të bëjmë bartjen e nxënësve tjerë”, tha Teuta Arifi.

Shkolla e sapo ndërtuar ka hapësirë prej 3,500 metër katror dhe i tërë projekti ka kushtuar rreth 1,4 milion euro. Kapaciteti i shkollës është për 560 nxënës në dy ndrime, domethënë  280 nxënës për një ndrim.

“Në këto kohëra të vështira të Covidit edhe krijojmë hapësirë më shumë për nxënësit, po në të njëjtën kohë shkarkojmë shkollën Naim Frashëri e cila ka qenë e stërngarkuar, po një pjesë e nxënësve po ashtu vijnë nga shkolla tjetër në Reçicë të Madhe Përparimi, e cila po ashtu në kuptimin territorial ka pasur nxënës nga kjo shkollë”, tha Arifi.

E pyetur nga Portalb.mk se a do të ketë punësime të reja në periudhën në vazhdim në këtë shkollë, Arifi tha se kjo do të jetë një çështje e kombinimit dhe nëse ka nevojë ministria e Arsimit do të japë leje për angazhime të reja.

“Ajo do të jetë një çështje e kombinimit, varësisht prej asaj nëse ka kuadër i cili ka hapësirë të mbulojë domethënë orë këtu normal nuk do të shkohet me kuadër të ri. Nëse për shembull ka nevojë që të bëhet angazhim i ri atëherë ministria do të japë leje për angazhime të reja. Ai proces, prandaj them kemi filluar vetëm me klasën e parë se ne pëlqimin e kemi vetëm për klasën e parë. Në ndërkohë deri sa vijnë pëlqimet për stafin administrativ e kështu me rradhë ngadal[ ngadalë do të bëjmë edhe bartjen e të tjerëve. Është një proces më i gjatë ai po kryesorja është që ta kemi objektin, mandej tjerat janë procedura administrative”, tha Arifi për Portalb.mk.

Kështu duket shkolla sot:

This slideshow requires JavaScript.

Arifi ju uroi suksese klasës së parë që filloi në këtë shkollë dhe uroi që ata në të ardhmen të jenë më të suksesshmit, shkenctarët, udhëheqësit dhe artistët, të cilët do e nderojnë vendin.

Arifi tha se kur të kompletohen të gjitha klasat dhe kuadri i nevojshëm, shumë shpejt do të bëjnë edhe hapjen solemne të kësaj shkolle moderne.

Sot ka filluar mësimi edhe në shkollat tjera të Komunës së Tetovës, dhe sipas Arifit mësimi ka filluar në rregull në të gjitha shkollat. Ku shtoi se do të respektohen të gjitha masat për sa I përket protokolleve për mbrojtje nga Covid-19.  Arifi tha se shumica e stafit në shkolla janë të vaksinuar, por edhe ata të cilët nuk janë ende të vaksinuar duhet të vaksinohen, përndryshe do të duhet që çdo dy ditë të testohen.

“Po kontrollin me test do e bëjmë për shkak se duhet ta kemi parasysh se ne jemi zonë e cila akoma spitalet i ka në krizë, i ka të tejmbushura prandaj çdo aktivitet që do të çojë në ulje të presionit mbi spitalin mendoj se duhet ta bëjmë këtë gjë”, tha Arifi.

Premtimi 9 vjeçar i cili është riaktualizuar gjithmonë para zgjedhjeve

  • 2013- Zgjedhjet lokale

Programi i vitit 2013 kandidates të atëhershme për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, parashihte ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël.

Kjo nuk ndodhi.

  • 2017- Zgjedhjet lokale

Meqenëse shkolla e premtuar në vitin 2013 nuk u realizua, kryetarja Arifi të njëjtin premtim e dha edhe gjatë fushatës për zgjedhje lokale të vitit 2017 në debatin “Debat për nime” të organizuar nga Portalb.mk.

Gazetarja Jeta Xharra: Sa herë e keni premtuar ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël?

Teuta Arifi: E kam premtuar një here, aq premton njeriu, jo më shumë.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni përsëri?

Teuta Arifi: Absolutisht po.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni për ta kry shkollën apo për lejet?

Teuta Arifi: Premtoj se do të kryhet, për shkak se buxhetimi nuk do të vije nga Komuna e Tetovës.

  • 2020- (janar) menjëherë pasi u caktuan zgjedhjet e prillit.

Edhe pse kaluan 3 vite dhe aspak nuk u përmend ndërtimi i kësaj shkolle, disa ditë pasi u sigurua se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin prill, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi kontratën për ndërtimin e shkollës.

Sipas asaj kontrate, shkolla parashihej të hapej në shtator të vitit 2021. Megjithatë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, për pesë muaj rresht as një fjalë nuk është thënë për ndërtimin e kësaj shkolle.

  •  2020- (maj) disa ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e qershorit

Menjëherë pasi Portalb.mk informoi se punët për shkollën fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kishin filluar, ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, në rrjetin social “Facebook” njoftoi se ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”.

“Sot me kënaqësinë më të madhe e nënshkruajta Vendimin për zgjedhjen e Operatorit ekonomik (Kompanisë) me ofertën më të lirë për ndërtimin e objektit të ri shkollorë për nxënësit e SHFK “Naim Frashëri”, të Reçicës Vogël, komuna e Tetovës. Punimet fillojnë së shpejti!” shkruan ministri në Fejsbuk.

  • 2020 (korrik)-  Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të korrikut

Pasi u premtua në çdo cikël zgjedhor për tetë vite radhazi, punimet për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël filluan me 2 korrik 2020, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Bazuar në kontratën e nënshkruar për këtë të fundit, punimet duhej të përfundonin pas 11 muajsh, respektivisht në maj të vitit 2021, që nuk u bë.

“Atë që e premtojmë edhe e bëjmë. Filluan punimet për ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël” shkruan Arifi në Facebook me 2 korrik 2020.

  • 2020 (dhjetor)- Ministria e Arsimit dhe Shkencës premtoi se shkolla do të përfundoje në qershor të vitit 2021, gjegjësisht katër muaj para zgjedhjeve lokale të tetorit, por nuk u bë as gjatë muajit qershor.

Ndryshe, Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.






Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button