Reçicë e Vogël, Ademi edhe Arifi aktualizojnë temën e shkollës vetëm gjatë fushatave zgjedhore

U premtua për 8 vite, kontrata u nënshkrua vetëm 1 muaj më herët, ndërsa punët për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kanë filluar. Në kontratë thuhet qartë se punimet duhet të përfundojnë në afat prej 11 muajsh nga dita kur të fillojnë, megjithatë kjo ditë nuk specifikohet. Sekretari shtetëror në ministrinë e Shoqërisë informatike publikisht i premtoi gazetarit të Portalb.mk se punët për këtë shkollë do të fillonin më së voni me datë 8 qershor, kjo nuk ndodhi, shkruan Portalb.mk.

Çdo cikël zgjedhor aktualizohet tema për shkollën fillore në Reçicë të Vogël. Por, e njëjta temë harrohet në momentin e përfundimit të zgjedhjeve dhe kështu kjo shkollë këtë vit i mbushi plot 8 vite nga koha kur premtohet nga partia më e madhe shqiptare në vend, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Premtimet

  • 2013- Zgjedhjet lokale

Programi i vitit 2013 kandidates të atëhershme për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, parashihte ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël.

Kjo nuk ndodhi.

  • 2017- Zgjedhjet lokale

Meqenëse shkolla e premtuar në vitin 2013 nuk u realizua, kryetarja Arifi të njëjtin premtim e dha edhe gjatë fushatës për zgjedhje lokale të vitit 2017 në debatin “Debat për nime” të organizuar nga Portalb.mk.

Gazetarja Jeta Xharra: Sa herë e keni premtuar ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël?

Teuta Arifi: E kam premtuar një here, aq premton njeriu, jo më shumë.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni përsëri?

Teuta Arifi: Absolutisht po.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni për ta kry shkollën apo për lejet?

Teuta Arifi: Premtoj se do të kryhet, për shkak se buxhetimi nuk do të vije nga Komuna e Tetovës.

  • 2020- (Janar) menjëherë pasi u caktuan zgjedhjet e prillit.

Edhe pse kaluan 3 vite dhe aspak nuk u përmend ndërtimi i kësaj shkolle, disa ditë pasi u sigurua se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin prill, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi kontratën për ndërtimin e shkollës.

Sipas asaj kontrate, shkolla parashihej të hapej në shtator të vitit 2021. Megjithatë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, për pesë muaj rresht as një fjalë nuk është thënë për ndërtimin e kësaj shkolle.

2020- (Maj) disa ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e qershorit

Menjëherë pasi Portalb.mk informoi se punët për shkollën fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kishin filluar, ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” njoftoi se ka nënshkruar vendimin për zjedhjen e kompanisë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”.

“Sot me kënaqësinë më të madhe e nënshkruajta✍️ Vendimin për zgjedhjen e Operatorit ekonomik (Kompanisë) me ofertën më të lirë për ndërtimin e objektit të ri shkollorë për nxënësit e SHFK “Naim Frashëri”, të Reçicës Vogël, komuna e Tetovës. Punimet fillojnë së shpejti!” shkruan ministri në Fejsbuk.

Adem Avziu.
Adem Avziu.

Ndërkaq, pikërisht këtë ditë sekretari shtetëror në ministrinë e Shoqërisë Informatike gazetarit të Portalb.mk në “Fejsbuk” i tha se punimet për këtë shkollë do të fillojnë më së voni me datë 8 qershor, dhe se kjo tashmë ëshë “punë e kryer”.

“I nderuar, sa për informacionin tuaj dhe te publikut me te gjere. Procedura e shkollës fillore ne Reçice te vogël veç me ka përfunduar, është be përzgjedhja e operatorit ekonomik i cili do e realizoje ndërtimin e shkollës, Ministri i arsimit z. Arbër Ademi e ka nenshkruajtur vendimin për përzgjedhjen e operatorit ekonomik, ne këto momente qe po ju shkruaj vazhdon te rrjedhe afati i ankesave! Ne afat prej 10 diteve duke i respektuar te gjitha procedurat ligjore ky vendim do jete i plotfuqishëm! Edhe njëherë ju njoftoj se shume shpejte, jo me vone se 12 dite do i shihni punimet ne ketë vend” kështu ju drejtua sekretari shtetëror gazetarit të Portalb.mk.

Punimet ende nuk kanë filluar!

Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.
Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël – 25 qershor 2020.

Sot ishim në teren për të inspektuar se a kanë filluar punët për ndërtimin e kësaj shkolle dhe informojmë se punimet nuk kanë filluar kurse vendi ku duhet të ndërtohet shkolla, duket në gjendje të tmerrshme.

Kontaktuam ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të marrë përgjigje në lidhje me atë se kur janë paraparë të fillojnë punimet, të njëjtit nuk na kthyen përgjigje madje një nga personat përgjegjës me emrin Florentin Murtezi nuk përgjigjet në thirrjet telefonike, as mesazhet e redaksisë tonë e as në e-mailin zyrtar të ministrisë, kështu duke u bërë shembull i funksionimit në mënyrë jo-transparente.

Ndryshe, ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, Tetovë, është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button