Zaevit i kanë mbetur edhe disa orë të vendosë nëse do të dorëzojë dorëheqjen, apo do të shkohet në votëbesim

Edhe përkundër ultimatumit të vendosur nga ana e liderit të VMRO – DPMNE-së, që kryeministri Zoran Zaev ta dorëzojë dorëheqjen në Kuvend deri sot në orën 14:30, Zaev ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, shkruan Portalb.mk.

Sipas paralajmërimeve të Mickoskit, nëse dorëheqja nuk dorëzohet në formë të shkruar deri në orën 14:30, atëherë ai do të dorëzojë iniciativë për votëbesim të Qeverisë.

Mickoski pretendon se ka shumicën parlamentare të nevojshme për të rrëzuar Qeverisë. Edhe dje deklaroi për media se ka 61 vota për rrëzimin e Qeverisë së Zaevit. Në lidhje me mundësinë që të bie Qeveria dhe më pas të mos formohet shumicë e re parlamentare, ai tha se duhet të shkohet hap pas hapi.

“Fillimisht, puna e parë, të ngjitemi në shkallën e parë, të mos shohim në shkallën e 27-të. Ta përfundojmë fillimisht punën e parë, më pas ka procedura, ligje, Kushtetutë që duhet të respektohen. Ajo nuk varet më tej nga ne, varet nga ai që duhet ta respektojë Kushtetutës. Mandati i jepet shumicës. Të presim të ndodhë puna e parë, Zoran Zaev të plotësojë premtimin e vetëm që presim të përmbushet, edhe pse personalisht nuk pres. Por, në hënën në orën 14:30, e dorëzojmë iniciativën në parlament dhe më tej ia lëmë kryetarit të Kuvendit t’i respektojë afatet ligjore dhe procedurat që vlejnë”, u përgjigj lideri i VMRO – DPMNE-së.

Në rast se VMRO – DPMNE sot e dorëzon interpelancën për Qeverinë, seanca parlamentare për atë do të duhej të mbahej më së voni deri të enjten, përkatësisht në afat prej tre ditësh nga dorëzimi i iniciativës. Që të votohet mosbesimi i Qeverisë, nevojiten më së paku 61 vota. Për të gjitha opsionet tjera që do të vijonin më pas, si formimi i shumicës së re, apo shpërbërjes së Parlamentit, gjithashtu nevojitet shumicë parlamentare në Kuvend.

Zyrtarisht, Mickoski ka siguruar nënshkrimet e partive Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, Besa dhe “E majta”. Edhe pse ai paralajmëroi se mund të ketë rritje të votave për rrëzim të Qeverisë, deri tani nuk është bërë zyrtare se kush do të mund t’i bashkangjitej.

Ndërkohë, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi (Zejdi), i cili ditëve të fundit përflitej në media se nuk do të nënshkruaj për rrëzimin e Qeverisë, më në fund sot ka folur publikisht duke konfirmuar informatat se nuk do të pranojë që nënshkrimi i tij të jetë në listë me partinë e “E majta”. Në një deklaratë për Alsat, Rexhepi tha se çdoherë do të jetë për rrëzimin e BDI-së, por jo me çdo çmim.

“Në esencë janë nënshkruar katër lista, detajet askush nuk i din por, unë do isha gjithmonë dakord për çdo nënshkrim që të rrëzohet kjo Qeveri, që të bie pushteti i BDI-së. Por, në asnjë rast nuk do të pranoj që nënshkrimi im të rrije ngjit me nënshkrimin e atyre karrierën e tyre politike e rrisin, e zgjerojnë duke na sha neve shqiptarëve, si në aspektin kombëtar edhe atë fetar, këtë nuk e lejoj në asnjë rast”, deklaroi ai.

Rexhepi tha se, fillimisht “E majta”, nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes.

“Të gjithë deputetët kemi qenë të bindur se “E majta” nuk do të nënshkruan. Marrëveshja ishte që do nënshkruaj LDP-ja, Besa, VMRO-ja dhe ne. Në frymën e kësaj u dakordova që do ta jap nënshkrimin dhe do ta jap gjithmonë çdo nënshkrim që duhet të largohet e keqka e quajtur BDI për shqiptarët, por kjo nuk është me çdo kusht. Edhe qëndrimi i Alternativës gjithmonë ka qenë i tillë që ne nuk guxojmë të identifikojmë veten me një subjekt politik i cili është antishqiptar me të gjitha elementet. Kështu nuk e lejoj në jetën time ta njollosë identitetin tim familjar për asnjë çmim”, tha ai.

I pyetur rreth deklaratës së Mickoskit, ku ai ka shprehur bindjen e tij se, Rexhepi do të qëndroj pas nënshkrimit të tij, ai tha se:

“Ai duhet ta testojë bindjen time se sa i rri besnik dinjitetit tim. Nuk i kam borxh as Mickoskit, as Zaevit, as Ali Ahmetit askujt. I kam borxh dinjitetit tim dhe opsionit politik, ideal i të cilit unë frymoj. Por, unë frymoj në një ideal për një shoqëri më të mirë të shqiptarëve por gjithsesi, jo me ata që i urrejnë shqiptarët, atë nuk e lejoj”, deklaroi deputeti i Alternativës.

Po ashtu, edhe PLD dhe DOM janë deklaruar se nuk do të mbështesin këtë interpelancë. Deputetët Monika Zajkova dhe Bobi Mojsoski, kanë thënë për Fokus se, nuk do të votojnë mosbesim të kryetarit të tyre, i cili është ministër aktual i Vetëqeverisjes Lokale.

Edhe Maja Moraçanin nga DOM, ka thënë se nuk do të votojë mosbesim të Qeverisë.

Paraprakisht, edhe Lidhja Demokratike ka konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në Qeveri politike me shumicë të re parlamentare nga ana e liderit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Pavle Trajanov tha se, nuk duhet proces i ri, zgjedhje të reja, harmonizim i ri për bashkëpunim me parti të tjera politike.

Ndërkohë, pas zhvillimeve të fundit politike që ndodhën në Maqedoninë e Veriut, sidomos pas paralajmërimeve për formimin e shumicës së re parlamentare nga opozita, Bashkimi Demokratik për Integrim dje mblodhi Këshillin e Përgjithshëm, në të cili partia autorizoi liderin Ali Ahmeti që të sjell vet vendime.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani pas mbledhjes tha se, me atë autorizim që e ka Këshilli Qendror, Ahmeti vazhdon të bisedojë me përfaqësues të partive të tjera, me qëllim që të mbahet stabiliteti politik. Osmani tha se, Ahmeti do të bisedojë me të gjitha partitë përpos, siç theksoi, partitë destruktive, duke shtuar se të gjitha opsionet janë në tavolinë me të gjitha forcat konstruktive në shtet.

“Ato janë parti që me program janë të përcaktuar kundër interesave strategjike të qytetarëve dhe shtetit sepse vlerësojmë se, ai është vullneti i qytetarëve dhe vullneti i aleatëve tanë dhe interes i shtetit që kominatorika të mos jenë pjesë e çfarë do planifikimi. Ndryshe, do të vazhdojmë me të gjitha partitë, të analizojmë dhe diskutojmë”, tha Osmani.

Kujtojmë se vendi fillimisht u fut në krizë politike, pasi lideri i LSDM-së dhe kryeministri, Zoran Zaev më 31 tetor, paralajmëroi dorëheqje nga dy këto pozita, pas disfatës që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale. Megjithatë, Zaev tha se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pasi shumica parlamentare është stabile.  Por, Lëvizja Besa ndryshoi qëndrim, pas vendimi që të përsëriten zgjedhjet në njërin prej vendvotimeve në Komunën e Zhelinës, ku ka fituar kandidati i Lëvizjes Besa, është bërë shkak që kjo parti të shqyrtojë qëndrimin e saj në Qeveri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button