Rexhepi theu heshtjen: Nuk e lejoj që nënshkrimi im të jetë në një listë me “Të majtën”
Deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi (Zejdi), i cili ditëve të fundit përflitej në media se nuk do të nënshkruaj për rrëzimin e Qeverisë, më në fund sot ka folur publikisht duke konfirmuar informatat se nuk do të pranojë që nënshkrimi i tij të jetë në listë me partinë e “E majta”. Në një deklaratë për Alsat, Rexhepi tha se çdoherë do të jetë për rrëzimin e BDI-së, por jo me çdo çmim, transmeton Portalb.mk.
“Në esencë janë nënshkruar katër lista, detajet askush nuk i din por, unë do isha gjithmonë dakord për çdo nënshkrim që të rrëzohet kjo Qeveri, që të bie pushteti i BDI-së. Por, në asnjë rast nuk do të pranoj që nënshkrimi im të rrije ngjit me nënshkrimin e atyre karrierën e tyre politike e rrisin, e zgjerojnë duke na sha neve shqiptarëve, si në aspektin kombëtar edhe atë fetar, këtë nuk e lejoj në asnjë rast”, deklaroi ai.
Rexhepi tha se, fillimisht “E majta”, nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes.
“Të gjithë deputetët kemi qenë të bindur se “E majta” nuk do të nënshkruan. Marrëveshja ishte që do nënshkruaj LDP-ja, Besa, VMRO-ja dhe ne. Në frymën e kësaj u dakordova që do ta jap nënshkrimin dhe do ta jap gjithmonë çdo nënshkrim që duhet të largohet e keqka e quajtur BDI për shqiptarët, por kjo nuk është me çdo kusht. Edhe qëndrimi i Alternativës gjithmonë ka qenë i tillë që ne nuk guxojmë të identifikojmë veten me një subjekt politik i cili është antishqiptar me të gjitha elementet. Kështu nuk e lejoj në jetën time ta njollosë identitetin tim familjar për asnjë çmim”, tha ai.
I pyetur rreth deklaratës së Mickoskit, ku ai ka shprehur bindjen e tij se, Rexhepi do të qëndroj pas nënshkrimit të tij, ai tha se:
“Ai duhet ta testojë bindjen time se sa i rri besnik dinjitetit tim. Nuk i kam borxh as Mickoskit, as Zaevit, as Ali Ahmetit askujt. I kam borxh dinjitetit tim dhe opsionit politik, ideal i të cilit unë frymoj. Por, unë frymoj në një ideal për një shoqëri më të mirë të shqiptarëve por gjithsesi, jo me ata që i urrejnë shqiptarët, atë nuk e lejoj”, deklaroi deputeti i Alternativës.
Lideri i VMRO – DPMNE-së të premten njoftoi se ka siguruar numrat për të rrëzuar Qeverinë. Për këtë, VMRO – DPMNE gjatë ditës së premte mblodhi nënshkrime nga partitë ASH, Alternativa, Besa dhe “E majta”.
Kujtojmë se vendi fillimisht u fut në krizë politike, pasi lideri i LSDM-së dhe kryeministri, Zoran Zaev më 31 tetor, paralajmëroi dorëheqje nga dy këto pozita, pas disfatës që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale. Megjithatë, Zaev tha se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pasi shumica parlamentare është stabile. Por, Lëvizja Besa ndryshoi qëndrim, pas vendimi që të përsëriten zgjedhjet në njërin prej vendvotimeve në Komunën e Zhelinës, ku ka fituar kandidati i Lëvizjes Besa, është bërë shkak që kjo parti të shqyrtojë qëndrimin e saj në Qeveri.
- LEXO: Ahmeti për shumicën e re parlamentare: Nuk do të veprojmë me emocione dhe eufori
- LEXO: Mickoski: Nëse Zaev nuk e dorëzon dorëheqjen do të votojmë mosbesimin e Qeverisë (VIDEO)
- LEXO: Thellohet kriza politike në RMV, Lëvizja Besa po shqyrton mundësinë që ta lëshojë Qeverinë
- LEXO: Hoxha i Besës kërcënon me rrëzimin e qeverisë pasi KShZ-ja pranoi ankesën e BDI-së për Zhelinën
- LEXO: RMV, KShZ-ja ka pranuar 23 ankesa për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale
- LEXO: RMV, KShZ-ja ka pranuar 13 ankesa për parregullsi zgjedhore
- LEXO: LEXO: RMV, u mbajt rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale 2021, gjithçka që ndodhi
- LEXO: Harta me fituesit e zgjedhjeve lokale në RMV (Infografik)