Tetovë, “Bllagoja Toska”, bulevardi që ‘pret’ për afër një dekadë, filloi të ndërtohet në prag të zgjedhjeve lokale (VIDEO)
Pas pothuajse tetë vite në gjendje të pandryshuar, një muaj e ca para zgjedhjeve, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi sot në një deklaratë për mediat, u shpreh se përfundimisht po shënon fillimin e punimeve te vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska”. Ky premtim për fillim të punimeve vjen në prag të zgjedhjeve, gjë që lë shumë për të dëshiruar, transmeton Portalb.mk.
“Jemi për të shënuar përfundimisht fillimin e punimeve te vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska”. Siç e dini ka qenë një rrugë e gjatë, në të cilën kemi ecur bashkërisht, prandaj dëshiroj edhe t’i falenderoj shokët e pranishëm këtu, ministrat, për arsye se Qeveria dhe mbështetja qeveritare për këtë projekt për ne ka qenë shumë e rëndësishme. Siç e dini, komuna e Tetovës e ka përgatitur këtë projekt me mjete nga rebalanci i qeverisë, 29 milion denar, kemi arritur që të sigurojmë për sa i përket eksproprimeve dhe pagesave të eksproprimeve dhe në të njëjtën kohë mjetet tjera nëpërmjet marrëveshjes me kompaninë TAV dhe qeverinë”, deklaroi kryetarja e Tetovës Teuta Arifi.
Kryetarja tha se ky bulevard pritet të përfundojë brenda afatit të paraparë, por se cili është ky afat nuk e specifikoi.
“Faktikisht, siç u informuam, kjo hapësirë do të arrijë të përfundohet brenda afatit të përcaktuar. Siç e dini, shtë fjala për dalje deri tek shkolla tekstile, për dy anët e rrugës, në gjersinl prej 20 metrave dhe në të njëjtën kohë me standarde të bulevardit ashtu siç ka qenë edhe bulevadi industrial, të cilin e përfunduam kohë më parë”, tha Arifi.
Arifi tha se nuk do mund ta realizonin nëse nuk do mund ta mbyllnin procesin e eksproprimit.
“Deri te shkolla Tekstile e kemi mbyllur procesin e eksproprimit, mund të ketë mbetur ndonjë vonesë pagesore, mirëpo në aspektin formalo-juridik nuk kemi problem për të vazhduar më tutje.Formalo-juridikisht procesin e eksproprijimit e kemi përfunduar, në 95% të rasteve ku ka pasur bashkë-pajtueshmëri domethënë edhe pagesat janë kryer, në ndonjë rast ku ka çështje e cila ka vazhduar edhe me procedurë gjyqësore vendimet janë po ashtu në kuadër të ligjeve pozitive për tu vazhduar procesi. Formalo-juridikisht nuk kemi problem për të vazhduar. Mendoj se do jemi në rregull. Për ne është me rëndësi që në kuptimin formal, juridik, financiar jemi në rregull”, shtoi Arifi.
Maratonë premtimesh nga Teuta Arifi për bulevardin “Bllagoja Toska”
- Viti 2014
Në mandatin e parë të kryetares Arifi, hapja e këtij bulevardi u pa si një ndër prioritetet e programit të saj.
Madje, nga Këshilli i Komunës së Tetovës ishin aq të sigurt se ky projekt do të përfundojë në dy-vjeçarin e parë të qeverisjes së Arifit, saqë të njëjtin e buxhetuan për vitin 2014 dhe punët i ndanë në dy faza, ku në vitin 2015 pritej që të përfundoje tërësisht hapja e bulevardit.
“Komuna e Tetovës për vitin 2014 e ka prioritet hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe kjo do të bëhet në dy faza pra në vitin 2014 dhe në vitin 2015, mendoj se do të fillojmë afër urës së spitalit për të hapur atë pjesë që ka ngelur” tha Teuta Arifi për Portalb.mk vitin 2014.
- Viti 2015
Viti 2014 kaloi ndërsa punimet për hapjen e këtij bulevardi ende nuk kishin filluar, në fund të vitit 2015 nga Komuna e Tetovës thanë se punojnë intensivisht që ta zgjidhin këtë problem.
“Hapja e një bulevardi dhe depërtimi në zonat e banuara, është një punë me rëndësi dhe veprim i ndjeshëm, prandaj ne jemi duke punuar intensivisht dhe me kujdes të madh që ta zgjidhim këtë problem dhe sa më shpejtë të nisim me punët” thanë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq, në bazë të projektit për hapjen e këtij bulevardi, për të cilin edhe u nda buxhet në vitin 2014, ishte paraparë që hapja e këtij të fundit të bëhet në vitin 2015, kjo nuk ndodhi.
- Viti 2016
Meqenëse edhe viti 2015 kaloi kurse as një gur nuk u lëviz për hapjen e këtij bulevardi, nga Komuna e Tetovës ishin të sigurt që në vitin 2016 do të gjindet zgjidhje për realizimin e këtij projekti.
“Në programin e vitit 2016 e kemi realizimin e bulevardit “Bllagoja Toska” edhe atë në një shumë prej 30 milion e 500 mijë denarësh. Shpresojmë që këtë vit do të gjinden një zgjidhje më e mirë që të nisim me realizimin e këtij projekti” thanë nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës, në fund të vitit 2015.
Në ndërkohë, as në vitin 2016 nuk u bë kjo punë kurse nga Komuna e Tetovës, nga ky vit e deri sot arsyetimi për mos nisjen e punimeve në këtë bulevard ka qenë i njëjtë.
“Kemi pasur probleme gjatë eksproprijimit dhe pagesës së pronave të cilat duhet të rrënohen, një pjesë e punëve do të nisin shpejt” thanë nga Komuna e Tetovës në vitin 2016.
- Viti 2017
Gjatë këtij viti, arsyetimi për mos hapjen e këtij bulevardi ishte i njëjtë me atë të vitit paraprak, respektivisht se kjo e fundit ka probleme për shkak të procedurës së eksproprijimit dhe legalizimin e pronave.
“Ngecjet që u bënë në këtë drejtim ishin për shkak të eksproprijimit të pronave të cilët ishin në këtë bulevard. Bazuar në Ligjin për legalizim, pronat që nu ishin të legalizuara, nuk kanë mundur të jenë lëndë për eksproprijim dhe ne e kemi pasur vështirë se çka do të bëjmë me këta prona që të hapet ky bulevard” kishte deklaruar për gazetën Koha, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.
- Viti 2018
Në vitin 2018, udhëheqësi i Sektorit për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore i Komunës së Tetovës tha se punojnë intensivisht në hapjen e këtij bulevardi, për shkak se siç potencoi ai, kjo “është bë temë e madhe”.
“Meqenëse është bë shumë temë e madhe kjo puna e bulevardit Bllagoja Toska, ne punojmë intensivisht dhe presim në të ardhmen e shpejtë të arrimë të kompletojmë dokumentacionin dhe të fillojmë me punë” tha Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.
Kurse për Portalb.mk po të njëjtin viti nga kjo komunë na siguruan që ky projekt është i tenderuar, dhe se krejt problemi qëndron te eksproprijimi.
- Viti 2019-2020
Pasi hapat e para për hapjen e këtij bulevardi u bënë në vitin 2018, gjegjësisht u rrënuan disa baraka dhe nga Komuna e Tetovës na thanë se hapja e bulevardit do të bëhej në qershor të atij viti, asgjë nuk u ndërmor që atëherë.
Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës… por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.
- LEXO: Tetovë, qershi mbi tortë, e konsideron Arifi bulevardin “Bllagoja Toska”, edhe pse projekti tërësisht është financuar nga Qeveria
- LEXO: 5 muaj para zgjedhjeve, Komuna thotë se do të hapet bulevardi “Blagoja Toska” në Tetovë
- LEXO: Zaev: Bulevardi “Blagoja Toska” do të finalizohet në 2021, komuna duhet t’i arsyetojë mjetet qeveritare për të
- LEXO: Tetovë, maratonë premtimesh nga Teuta Arifi për bulevardin “Bllagoja Toska”
- LEXO: 29.5 milionë denarë janë ndarë Komunës së Tetovës për bulevardin “Blagoja Toska”, premtohet 7 vite