Zaev: Bulevardi “Blagoja Toska” do të finalizohet në 2021, komuna duhet t’i arsyetojë mjetet qeveritare për të

Kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës së tij në Tetovë tha se të gjitha mjetet të cilat Qeveria e RMV-së ia ka dhënë komunës së Tetovës për bulevardin “Blagoja Toska” do të duhet që kjo e fundit ti arsyetojë, për shkak se, siç tha ai, bëhet fjalë për mjete qeveritare. Zaev shtoi se punët për këtë bulevard duhet të fillojnë në shkurt-mars dhe të përfundojnë gjatë vitit 2021, shkruan Portalb.mk.

Sa i përket ngecjes së punëve, Zaev tha se Komuna e Tetovës është e obliguar të dorëzoje raport financiar për mjetet qeveritare të lëshuara për të.

Zoran Zaev.
Zoran Zaev.

“Problemi më i madh me bulevardin “Blagoja Toska” është eksproprijimi (shpronësimi). Procedurat administrative kanë mbaruar dhe kemi lëshuar fillimisht rreth 29 milionë denarë për t’u paguar eksproprijimi, dhe më pas do të lëshojmë dhe rreth 45 milionë për realizimin e saj. Për të gjitha këto para, duhet të dorëzohet raport deri në Qeveri për shkak se mjet e qeverisë duhet të jenë të arsyetuara.” tha Zaev, kryeministër i RMV-së.

Ndërkaq, me ironi kryeministri tha se komuna duhet të motivohet nga zgjedhjet që po afrohen në mënyrë që të realizojë sa më shpejtë këtë premtim të kahmotshëm.

“Besoj se ky edhe disa projekte tjera që i financojmë ne si qeveri në Komunën e Tetovës do të realizohen shpejtë. Ja ka edhe një motivim për Komunën e Tetovës për shkak se zgjedhjet afrohen, të realizojnë projektet, kështu qytetarët do të jenë më të motivuar t’i votojnë ata” shtoi Zaev.

Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit "Blagoja Toska", Tetovë.
Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit “Blagoja Toska”, Tetovë.

Për vetëm 1 muaj, Qeveria e RMV-së, komunës së Tetovës i ka ndarë më shumë se 30 milion denarë për këtë bulevard

Fillimisht, me 26 nëntor të këtij viti, Qeveria e RMV-së i ndau komunës së Tetovës 26,5 milionë denarë për rekonstruimin e bulevardit “Blagoja Toska”.

Atëherë, nga komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se mjetet do t’i shfrytëzojnë për shpronësimin e objekteve të cilat pengojnë hapjen e këtij bulevardi.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milionë e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thanë nga Komuna e Tetovës.

Rreth 1 muaj më vonë, me datë 27 dhjetor nga Qeveria e RMV-së sërish ndau mjete për bulevardin “Blagoja Toska” në Tetovë, kësaj radhe rreth 1 milion denarë, por këto mjete do të shfrytëzohen edhe për disa projekte tjera të vogla.

Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit "Blagoja Toska", Tetovë.
Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit “Blagoja Toska”, Tetovë.

Maratonë premtimesh nga Teuta Arifi për bulevardin “Bllagoja Toska”

  • Viti 2014

Në mandatin e parë të kryetares Arifi, hapja e këtij bulevardi u pa si një ndër prioritetet e programit të saj.

Madje, nga Këshilli i Komunës së Tetovës ishin aq të sigurt se ky projekt do të përfundojë në dy-vjeçarin e parë të qeverisjes së Arifit, saqë të njëjtin e buxhetuan për vitin 2014 dhe punët i ndanë në dy faza, ku në vitin 2015 pritej që të përfundoje tërësisht hapja e bulevardit.

“Komuna e Tetovës për vitin 2014 e ka prioritet hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe kjo do të bëhet në dy faza pra në vitin 2014 dhe në vitin 2015, mendoj se do të fillojmë afër urës së spitalit për të hapur atë pjesë që ka ngelur” tha Teuta Arifi për Portalb.mk vitin 2014.

  • Viti 2015

Viti 2014 kaloi ndërsa punimet për hapjen e këtij bulevardi ende nuk kishin filluar, në fund të vitit 2015 nga Komuna e Tetovës thanë se punojnë intensivisht që ta zgjidhin këtë problem.

“Hapja e një bulevardi dhe depërtimi në zonat e banuara, është një punë me rëndësi dhe veprim i ndjeshëm, prandaj ne jemi duke punuar intensivisht dhe me kujdes të madh që ta zgjidhim këtë problem dhe sa më shpejtë të nisim me punët”  thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq, në bazë të projektit për hapjen e këtij bulevardi, për të cilin edhe u nda buxhet në vitin 2014, ishte paraparë që hapja e këtij të fundit të bëhet në vitin 2015, kjo nuk ndodhi.

Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit "Blagoja Toska", Tetovë.
Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit “Blagoja Toska”, Tetovë.
  • Viti 2016

Meqenëse edhe viti 2015 kaloi kurse as një gur nuk u lëviz për hapjen e këtij bulevardi, nga Komuna e Tetovës ishin të sigurt që në vitin 2016 do të gjindet zgjidhje për realizimin e këtij projekti.

“Në programin e vitit 2016 e kemi realizimin e bulevardit “Bllagoja Toska” edhe atë në një shumë prej 30 milion e 500 mijë denarësh. Shpresojmë që këtë vit do të gjinden një zgjidhje më e mirë që të nisim me realizimin e këtij projekti” thanë nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës, në fund të vitit 2015.

Në ndërkohë, as në vitin 2016 nuk u bë kjo punë kurse nga Komuna e Tetovës, nga ky vit e deri sot arsyetimi për mos nisjen e punimeve në këtë bulevard ka qenë i njëjtë.

“Kemi pasur probleme gjatë eksproprijimit dhe pagesës së pronave të cilat duhet të rrënohen, një pjesë e punëve do të nisin shpejt” thanë nga Komuna e Tetovës në vitin 2016.

  • Viti 2017

Gjatë  këtij viti, arsyetimi për mos hapjen e këtij bulevardi ishte i njëjtë me atë të vitit paraprak, respektivisht se kjo e fundit ka probleme për shkak të procedurës së eksproprijimit dhe legalizimin e pronave.

“Ngecjet që u bënë në këtë drejtim ishin për shkak të eksproprijimit të pronave të cilët ishin në këtë bulevard. Bazuar në Ligjin për legalizim, pronat që nu ishin të legalizuara, nuk kanë mundur të jenë lëndë për eksproprijim dhe ne e kemi pasur vështirë se çka do të bëjmë me këta prona që të hapet ky bulevard” kishte deklaruar për gazetën Koha, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.

  • Viti 2018

Në vitin 2018, udhëheqësi i Sektorit për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore i Komunës së Tetovës tha se punojnë intensivisht në hapjen e këtij bulevardi, për shkak se siç potencoi ai, kjo “është bë temë e madhe”.

“Meqenëse është bë shumë temë e madhe kjo puna e bulevardit Bllagoja Toska, ne punojmë intensivisht dhe presim në të ardhmen e shpejtë të arrimë të kompletojmë dokumentacionin dhe të fillojmë me punë” tha Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.

Kurse për Portalb.mk po të njëjtin viti nga kjo komunë na siguruan që ky projekt është i tenderuar, dhe se krejt problemi qëndron te eksproprijimi.

  • Viti 2019-2020

Pasi hapat e para për hapjen e këtij bulevardi u bënë në vitin 2018, gjegjësisht u rrënuan disa baraka dhe nga Komuna e Tetovës na thanë se hapja e bulevardit do të bëhej në qershor të atij viti, asgjë nuk u ndërmor që atëherë.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës… por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button