Tetovë, hapja bulevardit “Bllagoja Toska” do të rrënojë disa shtëpi

Hapja e bulevardit të ri “Bllagoja Toska”, një nga arteriet kryesore të qytetit të Tetovës që vite të tëra mbetet një rruge e papërfunduar do ta lehtësonte komunikacionin e stërngarkuar në Tetovë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, paralajmëroi hapjen e këtij bulevardi duke e përfshirë atë edhe në buxhetin e vitit 2014. 


Bulevardi fillon nga unaza te ish Restorant ‘Mema’ dhe përfundon te Stadiumi i qytetit, hapja e këtij bulevardi përpos kostos së madhe, do të duhet të rrënojë dhe disa shtëpi njëkohësisht dhe të zgjidh disa çështje pronësore juridike.


Ende mbetet e paqartë cila është zgjidhja me shtëpitë të cilët duhet të rrënohen për tu arritur ky qëllim?

Arifi nuk ka theksuar se cila do të jetë zgjidhja e ofruar banorëve të shtëpive që duhet të rrënohen.

“Komuna e Tetovës për vitin 2014 e ka prioritet hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe kjo do të bëhet në dy faza pra në vitin 2014 dhe në vitin 2015, mendoj se do të fillojmë afër urës së spitalit për të hapur atë pjesë që ka ngelur” tha Teuta Arifi.


Deri më tani vetëm disa akse të këtij bulevardi janë të hapura, por kjo nuk ndikon shumë në lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Banorët e kësaj lagje thonë se hapja e këtij bulevardi do të ndihmonte shumë si në zhvillimin e qytetit po ashtu edhe në lehtësimin e komunikacionit. Portalb tentoi të flas me banorët të cilët drejtpërsëdrejti do të ndikohen nga hapja e rrugës, por ata assesi nuk deshën të prononcohen.

“Mendoj se do të ishte një bulevard i bukur do e zbukuronte edhe qytetin, por duhet të zgjidhet çështja e këtyre shtëpive” thotë Dançe banor në  bllok 70 në Tetovë.

“Duhet të hapet kjo rrugë, por edhe duhet tu gjendet një zgjidhje këtyre banorëve, me siguri nuk do i lënë në rrugë’ thotë Aliu një tjetër banor në këtë lagje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button