5 muaj para zgjedhjeve, Komuna thotë se do të hapet bulevardi “Blagoja Toska” në Tetovë
Pas pothuajse tetë vite në gjendje të pandryshuar, gjashtë muaj para zgjedhjeve, Komuna e Tetovës është aktivizuar për të kryer punët në bulevardin “Blagoja Toska”. Nga komuna thanë sot se është kryer shpronësimi i të gjitha pronave ndërsa pronarëve ju është dorëzuar vendimi për prishje të objekteve dhe se ky bulevard do të hapet gjatë këtij mandati. Gazetari i Portalb.mk ishte sot në terren ku verifikoi se punët për hapjen e këtij bulevardi ende nuk kanë filluar.
As edhe një shtëpi nuk është rrënuar nga ana e komunës së Tetovës për hapjen e bulevardit “Blagoja Toska”, i cili premtohet nga fushata e vitit 2013 të kryetares aktuale të komunës, Teuta Arifi.
Megjithatë, Komuna beson që deri në fund të mandatit do të hapet i njëjti.
“Shpronësimi është bërë. Pronareve ju ka shkuar vendimi për prishje, ne terren nëse keni dalë e keni vërejtur qe disa kane filluar vete ti prishin objektet. Ata që nuk i kanë prishur vetë do t’i prishë komuna. Po, ketë mandat” thanë nga Komuna e Tetovës sot.
Arsyetimi i komunës për mos-fillimin e punëve ka qenë konflikti pronësoro-juridik i dy familjarëve. Njëri prej tyre sot për Portalb.mk tha se nuk është e vërtetë që po pengon fillimin e punëve
Gazetari i Portalb.mk sot në vendngjarje komunikoi me njërin prej palëve që sipas komunës së Tetovës është një prej arsyet për mos-fillimin e punëve për këtë bulevard dhe për krijimin e komisionit për Bllagoja Toskën.
Sipas tij, konflikti që ai ka me njërin prej familjarëve të tij nuk e pengon në asnjë moment fillimin e punëve për hapjen e këtij bulevardi, ai potencoi se këtë ja ka thënë edhe kryetarit të këshillit komunal, Bekim Memetit.
“Po, është e vërtetë se ka një konflikt pronësoro-juridik, ka tendenca për të ndërtuar diçka të paligjshme pa pëlqimin tim, gjë që ligjërisht nuk lejohet. Megjithatë, unë asnjëherë nuk do e pengoja fillimin e punëve për bulevardin blagoja toska, unë madje e inkurajoj fillimin e punëve, nuk janë të vërteta ato deklarata nga ana e komunës” tha ai për Portalb.mk.
Nga komuna e Tetovës vazhdimisht premtojnë, por nuk japin arsye pse po zvarriten punët
Autoritetet komunale dhe vetë kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, vazhdimisht kanë shmangur pyetjen se pse punët në terren për rrënimin e objekteve ende nuk kanë filluar, marrë parasysh se shpronësimi i objekteve është bë ndërsa banorët janë kompensuar për këtë.
“Komisioni për Blagoja Toskën” mbajti vetëm një takim, vazhdon të mos jetë efektiv
Për të “zbutur gjakrat” e banorëve të pakënaqur me dëmshpërblimin apo me rrënimin e shtëpive të tyre, komuna e Tetovës me datë 28 janar formoi komisionin për bulevardin “Blagoja Toska”.
Deri tani, edhe pse ky komision ka më shumë se tre muaj nga kur është themeluar, vetëm një herë ka qenë në teren për të biseduar me banorët e lagjes dhe atëherë sipas informacioneve të Portalb-it, nuk ka rezultuar me ndonjë efekt.
Njoftojmë se në qoftë se ky komision nuk funksionalizohet dhe arrin të krijojë një marrëveshje mes palëve të pakënaqura të lartpërmendura, procedura e tyre rrezikon të shkoje deri në instancat gjyqësore dhe kështu rrezikon zvarritja e procesit së hapjes të këtij bulevardi.
- LEXO: Komuna e Tetovës e ka “bllokuar” komisionin për bulevardin “Bllagoja Toska”
- LEXO: Pas lajmit të Portalb, është zhbllokuar komisioni për bulevardin “Blagoja Toska”, Arifi: Se shpejti fillojnë punimet
Kush janë anëtarët e “Komisionit për bulevardin Bllagoja Toska”?
Portalb.mk siguroi vendimin e themelimit të këtij komisioni, në të cilin theksohen të gjithë emrat e anëtarëve të cilët duhet të dalin në teren dhe të zgjidhin kontestet konkrete për hapjen e këtij bulevardi, në këtë vendim gjithashtu potencohen edhe detyrimet e komisionit.
Bëhet fjalë për gjithsej 7 anëtarë, edhe atë: Bekim Memeti (BDI), Goran Jovanovski (VMRO-DPMNE), Besar Durmishi (Lëvizja BESA), Arif Selami (ASh), Adnan Bilalli (PDSH), Zhive Aleksovski (LSDM), Minire Ademi (BDI).
Maratonë premtimesh nga Teuta Arifi për bulevardin “Bllagoja Toska”
- Viti 2014
Në mandatin e parë të kryetares Arifi, hapja e këtij bulevardi u pa si një ndër prioritetet e programit të saj.
Madje, nga Këshilli i Komunës së Tetovës ishin aq të sigurt se ky projekt do të përfundojë në dy-vjeçarin e parë të qeverisjes së Arifit, saqë të njëjtin e buxhetuan për vitin 2014 dhe punët i ndanë në dy faza, ku në vitin 2015 pritej që të përfundoje tërësisht hapja e bulevardit.
“Komuna e Tetovës për vitin 2014 e ka prioritet hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe kjo do të bëhet në dy faza pra në vitin 2014 dhe në vitin 2015, mendoj se do të fillojmë afër urës së spitalit për të hapur atë pjesë që ka ngelur” tha Teuta Arifi për Portalb.mk vitin 2014.
- Viti 2015
Viti 2014 kaloi ndërsa punimet për hapjen e këtij bulevardi ende nuk kishin filluar, në fund të vitit 2015 nga Komuna e Tetovës thanë se punojnë intensivisht që ta zgjidhin këtë problem.
“Hapja e një bulevardi dhe depërtimi në zonat e banuara, është një punë me rëndësi dhe veprim i ndjeshëm, prandaj ne jemi duke punuar intensivisht dhe me kujdes të madh që ta zgjidhim këtë problem dhe sa më shpejtë të nisim me punët” thanë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq, në bazë të projektit për hapjen e këtij bulevardi, për të cilin edhe u nda buxhet në vitin 2014, ishte paraparë që hapja e këtij të fundit të bëhet në vitin 2015, kjo nuk ndodhi.
- Viti 2016
Meqenëse edhe viti 2015 kaloi kurse as një gur nuk u lëviz për hapjen e këtij bulevardi, nga Komuna e Tetovës ishin të sigurt që në vitin 2016 do të gjindet zgjidhje për realizimin e këtij projekti.
“Në programin e vitit 2016 e kemi realizimin e bulevardit “Bllagoja Toska” edhe atë në një shumë prej 30 milion e 500 mijë denarësh. Shpresojmë që këtë vit do të gjinden një zgjidhje më e mirë që të nisim me realizimin e këtij projekti” thanë nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës, në fund të vitit 2015.
Në ndërkohë, as në vitin 2016 nuk u bë kjo punë kurse nga Komuna e Tetovës, nga ky vit e deri sot arsyetimi për mos nisjen e punimeve në këtë bulevard ka qenë i njëjtë.
“Kemi pasur probleme gjatë eksproprijimit dhe pagesës së pronave të cilat duhet të rrënohen, një pjesë e punëve do të nisin shpejt” thanë nga Komuna e Tetovës në vitin 2016.
- Viti 2017
Gjatë këtij viti, arsyetimi për mos hapjen e këtij bulevardi ishte i njëjtë me atë të vitit paraprak, respektivisht se kjo e fundit ka probleme për shkak të procedurës së eksproprijimit dhe legalizimin e pronave.
“Ngecjet që u bënë në këtë drejtim ishin për shkak të eksproprijimit të pronave të cilët ishin në këtë bulevard. Bazuar në Ligjin për legalizim, pronat që nu ishin të legalizuara, nuk kanë mundur të jenë lëndë për eksproprijim dhe ne e kemi pasur vështirë se çka do të bëjmë me këta prona që të hapet ky bulevard” kishte deklaruar për gazetën Koha, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.
- Viti 2018
Në vitin 2018, udhëheqësi i Sektorit për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore i Komunës së Tetovës tha se punojnë intensivisht në hapjen e këtij bulevardi, për shkak se siç potencoi ai, kjo “është bë temë e madhe”.
“Meqenëse është bë shumë temë e madhe kjo puna e bulevardit Bllagoja Toska, ne punojmë intensivisht dhe presim në të ardhmen e shpejtë të arrimë të kompletojmë dokumentacionin dhe të fillojmë me punë” tha Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.
Kurse për Portalb.mk po të njëjtin viti nga kjo komunë na siguruan që ky projekt është i tenderuar, dhe se krejt problemi qëndron te eksproprijimi.
- Viti 2019-2020
Pasi hapat e para për hapjen e këtij bulevardi u bënë në vitin 2018, gjegjësisht u rrënuan disa baraka dhe nga Komuna e Tetovës na thanë se hapja e bulevardit do të bëhej në qershor të atij viti, asgjë nuk u ndërmor që atëherë.
Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës… por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.