Komuna e Tetovës e ka “bllokuar” komisionin për bulevardin “Bllagoja Toska”

Edhe pse ka më shumë se 1 muaj nga kur u krijua Komisioni për Bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë, i cili është paraparë të krijojë zgjidhje për problemet pronësore-juridike të personave, shtëpitë e të cilëve do të duhet të rrënohen, ky komision ende nuk ka dalë në teren dhe është jofunksional. Nga Komuna e Tetovës refuzojnë të japin përgjigje për këtë, shkruan Portalb.mk.

Premtimi shtatëvjeçar i kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka filluar të konkretizohet në muajt e fundit të mandatit të dytë të saj. Megjithatë, hapja e këtij bulevardi do të kërkoje rrënimin e disa shtëpive, me këtë, jo gjithkush ka mbetur i lumtur.

Bëhet fjalë për rreth 17 palë të cilët do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me të cilën pajtohen që prona e tyre të ju merret nga autoritetet komunale, në këmbim, atyre u janë ofruar mjete financiare. Nga këto, vetëm tre palë nuk kanë ngelur të kënaqur, edhe atë, siç thonë nga Komuna e Tetovës, kryesisht problemet i kanë pasur mes vete.

Për këtë, më 28 janar u formua “Komisioni për Bllagoja Toskën”

Përveç formimit të këtij komisioni dhe votimit të të njëjtit me shumicë votash nga ana e këshilltarëve komunal të Komunës së Tetovës në seancën e janarit, nuk është ndërmarrë asnjë hap tjetër konkret për realizimin e obligimeve të këtij komisioni.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASh), Arif Selami, fajin e adreson te kryetari i këshillit komunal, Bekim Memeti. Selami potencoi se është duke pritur thirrjen për të dalë në teren dhe të funksionalizohet komisioni.

“Është e vërtetë se kryetari i këshillit, neve kordinatorëve na ka bë pjesë të atij komisioni. Unë desha të jem pjesë e atij komisioni për shkak se dua të jem prezent për realizimin e një projekti shumë vital për komunën e Tetovës. Ne nuk kemi dalë në teren, është çështje që duhet ta startojmë. Kryetari vetëm e ka përmend njëherë se kur do nisim dhe unë ju tregova se kur jam në dispozicion për ti takuar palët që nuk pajtohen për realizimin e projektit. Pra, janë 17 palë të cilëve ka nis të ju bëhet eksproprijimi, ka disa palë që nuk pajtohen me të hollat të cilat duhet të dëmshpërblehen. Ka ngelë që të dalim në teren” tha Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët (ASh).

Kush janë anëtarët e “Komisionit jofunksional për bulevardin Bllagoja Toska”?

Portalb.mk siguroi vendimin e themelimit të këtij komisioni, në të cilin theksohen të gjithë emrat e anëtarëve të cilët duhet të dalin në teren dhe të zgjidhin kontestet konkrete për hapjen e këtij bulevardi, në këtë vendim gjithashtu potencohen edhe detyrimet e komisionit.

Bëhet fjalë për gjithsej 7 anëtarë, edhe atë: Bekim Memeti (BDI), Goran Jovanovski (VMRO-DPMNE), Besar Durmishi (Lëvizja BESA), Arif Selami (ASh), Adnan Bilalli (PDSH), Zhive Aleksovski (LSDM), Minire Ademi (BDI).

Në këtë dokument thuhet se:

“Komisioni ka për detyrë të përcjellë zbatimin e procedurës për eksproprijim në bulevardin “Blagoja Toska”.

Edhe pse është themelues dhe përgjegjës kryesor për funksionimin e këtij komisioni, kryetari i këshillit komunal në Tetovë, Bekim Memeti, nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk se kur pritet që këta anëtarë të dalin në teren dhe të kryejnë punën e tyre.

Teuta Arifi: Kemi filluar me pagesat për pronarët e objekteve

Duke mos treguar shumën konkrete dhe ofertën e tyre, kryetarja e Komunës së Tetovës potencoi se kanë filluar të paguajnë dëmshpërblimin për pronarët e pronave të cilat do të ju merren, ajo shtoi se të njëjtëve u është dhënë afat se kur duhet të lëshojnë objektin.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Për sa i përket bulevardit “Blagoja Toska”, jemi në përfundim të procesit për pagesat e eksproprijimit. Në të njëjtën kohë, marrë parasysh faktin se kjo ka qenë një ndër angazhimet tona shumë të rëndësishme, të gjithë ata të cilët kanë pranuar pagesat kanë marrë edhe informacionin dhe afatin kohor kur duhet të lëshojnë objektin që të dalim në terren për të pastruar trasenë dhe për të bërë përgatitjet e fundit”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Informojmë se një pjesë e objekteve të cilat do të rrënohen nuk kanë qenë të legalizuara. Andaj, në mënyrë që pronarët të mos ngelen pa dëmshpërblim, Komuna e Tetovës ka legalizuar këto objekte dhe sipas Arifit “kjo ka marrë mjaftë kohë”.

Qeveria e RMV-së, komunës së Tetovës i ka ndarë më shumë se 30 milionë denarë për këtë bulevard

Fillimisht, me 26 nëntor të këtij viti, Qeveria e RMV-së i ndau komunës së Tetovës 26,5 milionë denarë për rekonstruimin e bulevardit “Blagoja Toska”.

Atëherë, nga komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se mjetet do t’i shfrytëzojnë për shpronësimin e objekteve të cilat pengojnë hapjen e këtij bulevardi.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milionë e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thanë nga Komuna e Tetovës.

Rreth 1 muaj më vonë, me datë 27 dhjetor nga Qeveria e RMV-së sërish ndau mjete për bulevardin “Blagoja Toska” në Tetovë, kësaj radhe rreth 1 milion denarë, por këto mjete do të shfrytëzohen edhe për disa projekte tjera të vogla.

Hapja e këtij bulevardi premtohet nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi nga mandati i parë i kësaj të fundit, edhe atë nga viti 2013 ndërkaq ky premtim ende nuk është realizuar. Portalb.mk disa muaj më herët përgatiti “maratonën” e premtimeve shtatëvjeçare të Teuta Arifit për këtë bulevard.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës, por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button