Tetovë, maratonë premtimesh nga Teuta Arifi për bulevardin “Bllagoja Toska”

Çdo vit, çdo fushatë parazgjedhore dhe në çdo pyetje gazetareske nga viti 2013 e deri sot është premtuar hapja e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë. Megjithatë, ky premtim po mbush një dekadë kurse arsyetimi i Komunës së Tetovës për mos realizimin e tij është te problemet pronësore-juridike. Portalb.mk ju sjell një “maratonë premtimesh” për këtë të fundit.

Një bulevard i cili fillon nga unaza e ish restorantit “Mema” dhe përfundon te Stadiumi i qytetit së shpejti po i mbush një dekadë nga koha kur është premtuar, edhe atë për çdo vit me radhë nga kryetarja Teuta Arifi.

  • Viti 2014

Në mandatin e parët të kryetares Arifi, hapja e këtij bulevardi nga ana e e kësaj të fundit u pa si një ndër prioritetet e programit të saj.

Madje, nga Këshilli i Komunës së Tetovës ishin aq të sigurt se ky projekt do të përfundoje dy vjeçarin e parë të qeverisjes së Arifit, saqë të njëjtin e buxhetuan për vitin 2014 dhe punët i ndanë në dy faza, ku në vitin 2015 pritej që të përfundoje tërësisht hapja e bulevardit.

“Komuna e Tetovës për vitin 2014 e ka prioritet hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe kjo do të bëhet në dy faza pra në vitin 2014 dhe në vitin 2015, mendoj se do të fillojmë afër urës së spitalit për të hapur atë pjesë që ka ngelur” tha Teuta Arifi për Portalb.mk vitin 2014.

  • Viti 2015

Viti 2014 kaloi ndërsa punimet për hapjen e këtij bulevardi ende nuk kishin filluar, në fund të vitit 2015 nga Komuna e Tetovës thanë se punojnë intensivisht që ta zgjidhin këtë problem.

“Hapja e një bulevardi dhe depërtimi në zonat e banuara, është një punë me rëndësi dhe veprim i ndjeshëm, prandaj ne jemi duke punuar intensivisht dhe me kujdes të madh që ta zgjidhim këtë problem dhe sa më shpejtë të nisim me punët”  thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq në bazë të projektit për hapjen e këtij bulevardi, për të cilin edhe u nda buxhet në vitin 2014, ishte paraparë që hapja e këtij të fundit të bëhet në vitin 2015, kjo nuk ndodhi.

  • Viti 2016

Meqenëse edhe viti 2015 kaloi kurse as një gur nuk u lëviz për hapjen e këtij bulevardi, nga Komuna e Tetovës ishin shumë të sigurt që në vitin 2016 do të gjindet zgjidhje për realizimin e këtij projekti.

“Në programin e vitit 2016 e kemi realizimin e bulevardit “Bllagoja Toska” edhe atë në një shumë prej 30 milion e 500 mijë denarësh. Shpresojmë që këtë vit do të gjinden një zgjidhje më e mirë që të nisim me realizimin e këtij projekti” thanë nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës, në fund të vitit 2015.

Në ndërkohë, as në vitin 2016 nuk u bë kjo punë kurse nga Komuna e Tetovës, nga ky vit e deri sot arsyetimi për mos nisjen e punimeve në këtë bulevard ka qenë i njëjtë dhe konzistent.

“Kemi pasur probleme gjatë eksproprijimit dhe pagesës së pronave të cilat duhet të rrënohen, një pjesë e punëve do të nisin shpejt” thanë nga Komuna e Tetovës në vitin 2016.

  • Viti 2017

Gjatë  këtij viti, arsyetimi për mos hapjen e këtij bulevardi ishte i njëjtë me atë të vitit paraprak, respektivisht se kjo e fundit ka probleme për shkak të procedurës së eksproprijimit dhe legalizimin e pronave.

“Ngecjet që u bënë në këtë drejtim ishin për shkak të eksproprijimit të pronave të cilët ishin në këtë bulevard. Bazuar në Ligjin për legalizim, pronat që nu ishin të legalizuara, nuk kanë mundur të jenë lëndë për eksproprijim dhe ne e kemi pasur vështirë se çka do të bëjmë me këta prona që të hapet ky bulevard” kishte deklaruar për KOHA, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.

  • Viti 2018

Në vitin 2018, udhëheqësi i Sektorit për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore i Komunës së Tetovës tha se punojnë intensivisht në hapjen e këtij bulevardi, për shkak se siç potencoi ai, kjo “është bë temë e madhe”.

“Meqenëse është bë shumë temë e madhe kjo puna e bulevardit Bllagoja Toska, ne punojmë intensivisht dhe presim në të ardhmen e shpejtë të arrimë të kompletojmë dokumentacionin dhe të fillojmë me punë” tha Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.

Kurse për Portalb.mk po të njëjtin viti nga kjo komunë na siguruan që ky projekt është i tenderuar, dhe se krejt problemi qëndron te eksproprijimi.

  • Viti 2019-2020

Pasi hapat e para për hapjen e këtij bulevardi u bënë në vitin 2018, gjegjësisht u rrënuan disa baraka dhe nga Komuna e Tetovës na thanë se hapja e bulevardit do të bëhej në qershor të atij viti, asgjë nuk u ndërmor që atëherë.

Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit "Blagoja Toska", Tetovë.
Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit “Blagoja Toska”, Tetovë.

Sot që flasim, edhe pse viti i 8 me radhë që jepet ky arsyetim, nga Komuna e Tetovës na thanë se ky projekt ende ka ngecur në fazën e eksproprijimit dhe se nuk kanë para ti përballojnë kompensimet për shkak të pandemisë me virusin korona.

“Disa prona deri te shkolla tekstile janë në procedurë të kompensimit që të mund të depërtojmë, vlerësimi është kry në masë të konsiderueshme. Të përfundoje kjo procedurë, pra e eksproprijimit, do të fillojmë me punë por nuk mund ti përballojmë ti paguajmë përnjëherë të gjithë për shkak se prej pandemisë na kanë rënë të hyrat shumë” thanë për Portalb.mk nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, edhe atë vetura, baltë, përdorues të drogës por jo edhe mjete për ndërtimin e këtij të fundit edhe pse hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button