Pas ceremonisë ku mori pjesë dhe Ali Ahmeti, nuk punohet në terren për sallën sportive në Dollogozhdë të Strugës

Para gjashtë muajve në fshatin Dollogozhdë të Strugës, në prezencën e zyrtarëve të lartë të BDI-së u hodh gur-themeli për ndërtimin e sallës sportive. Megjithatë, deri më sot nuk është bërë asgjë më shumë që nga kjo ceremoni. Ndërtimi i sallës sportive në Dollogozhdë është premtim elektoral i kryetarit aktual të Komunës së Strugës dhe nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se për këtë premtim, punët janë në vijim, shkruan Portalb.mk.
Një ndër premtimet parazgjedhore të kreut aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në kategorinë e investimeve të parapara nëpër fshatra ishe ndërtimi i sallës sportive në fshatin Dollogozhdë. Këtë projekt të rëndësishëm për 1,714 banorët e këtij fshati, kandidati fitues në zgjedhjet lokale të vitit 2021 e prezantoi përmes programit zgjedhor “Agjenda e Blertë”(faqe 64), pa caktuar një afat përfundimi.

 

Agjenda e Blertë 2021-2025 Komuna e Strugës
Agjenda e Blertë 2021-2025 Komuna e Strugës
Siç është bërë e ditur në profilin e Facebook-ut të komunës së Strugës realizimi i këtij projekti ka filluar para 1 viti me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e sallës në fjalë bashkë me ministrin e Arsimit, Jeton Shaqirin.
Në ambientet e Ministrisë së arsimit dhe shkencës, kryetari i Komunës së Strugës Ramis Merko bashkë me Ministrin Jeton Shaqiri, nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e sallës sportive në f. Dollogozhdë të Strugës. Një nga faktorët vendimtar në rritjen e gjeneratave të shëndosha është edukimi fizik cilësor që inkurajon nxënësit të merren me sport dhe të arrijnë rezultate më të larta. Prandaj, Komuna e Strugës në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e arsimit dhe shkencës me investime dhe ndërtimin e objekteve të reja krijojnë kushte më të mira ku fëmijët do të mund të realizojnë orë dhe aktivitete të tjera sportive. Salla e sportit në Dollogozhdë do të jetë e dedikuar për lloje të ndryshme të sporteve si hendboll, basketboll, volejboll, futboll të vogël dhe gjimnastikë. Vazhdojmë me projekte gjigande, duke punuar për një qytet më të mirë dhe qytetarë më të kënaqur! – njoftuan nga Komuna e Strugës më 27 prill të vitit 2022.

Gur-themeli për ndërtimin e Sallës sportive në Dollogozhdë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të BDI-së përfshirë këtu vetë kreun e partisë Ali Ahmetin, ministrin e Jashtëm Bujar Osmani madje dhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi, u hodh më 4 nëntor të vitit 2022. Gjatë ceremonisë, Ali Ahmeti u shpreh se uron që ky projekt i rëndësishëm të realizohet sa më shpejtë.

“Kujtimin për dëshmorët e ruajmë më së miri duke vendosur emrat e tyre kudo në shkolla dhe salla sportive, si përkujtim dhe frymëzim brezash. Me kënaqësi të madhe këtë synim vazhdojmë ta realizojmë kësaj rradhe në fshatin Dollogozhdë të Strugës, ku sot vendosëm gurëthemelin e sallës sportive që me krenari do mbajë emrin e dëshmorit të kombit, Nuri Mazari. Uroj mbarësi në realizimin sa më të shpejtë të këtij projekti të rëndësishëm që është nevojë e padiskutueshme e të rinjve të kësaj zone”. deklaroi Ali Ahmeti.

Nga vëzhgimi në terren vërejtëm se pas pas 6 muaj nga hedhja e gur-themelit nuk është bërë asnjë hap tjetër në realizimin e këtij projekti. Redaksia jonë dërgoi kërkesë për informacion deri tek Komuna e Strugës për të na informuar se sa buxhet është ndarë për këtë projekt, cilat janë fazat e ndërtimit dhe kur planifikohet të përfundohet projekti në fjalë. Nga zyra e PR në këtë komunë na thanë se kërkesa jonë është përcjell në sektorin përkatës megjithatë edhe nga data 13 prill kur dërguam kërkesën deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Komuna e Strugës.

Nga partia më e madhe opozitare në Strugë, Aleanca për Shqiptarët, thonë se përveç ceremonisë së gur-themelit nuk është bërë asgjë më shumë në vazhdimin e punëve për ndërtimin e sallës sportive në Dollogozhdë.

“Për Dollogozhdën nga 4 projekte të premtuara, në prezencë të krerëve më të lartë politik të BDI –së, është nisur vetëm salla e sportit në kuadër të Shkollës fillore. Si duket në ceremoni panë se numri i nxënësve është i vogël, janë hapur vetëm themelet, i kanë stopuar komplet punimet dhe vendi është shndërruar nga kantier ndërtimi në germadhë”, deklaroi kryetari i degës së AH-së në Strugë, Lulzim Nasufi.

“Shqetësuese është fakti i jo transparencës së harxhimit të pareve nga Buxheti Komunës, ashtu që paret paguhen kurse në teren nuk ka asnjë vepër”, u shpreh kryetari i degës së AH-së në Strugë, Lulzim Nasufi.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren për ndërtimin e sallës sportive në fshatin Dollogozhdë, Portalb.mk konkludon se ky premtim i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, është në fazën fillestare të realizimit.

BURIMI:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button