“Cvetan Dimovi” i premtuar nga Visar Ganiu me 6 korsi, vazhdon të mbetet arteria e bllokuar e Çairit

Zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov” vazhdon të jetë sfidë për autoritetet lokale dhe problem i përditshëm i qytetarëve të Çairit, të cilët për të kaluar rrëmujën e kësaj rruge një kilometër të gjatë, u duhen disa dhjetëra minuta, shkruan Portalb.mk.

E ashtuquajtura rruga e “Jahja Pashës” është një prej rrugëve më të frekuentuara të Çairit, e cila është arteria kryesore që lidh këtë komunë me qendrën e Shkupit. Ndër vite, rruga është një “makth” për shoferët të cilët për të kaluar këtë rrugë, duhet të përballen me qytetarët e pandërgjegjshëm që i parkojnë veturat në rrugë, por edhe me këmbësorët që kalojnë rrugën edhe ku nuk ka viza të bardha.

This slideshow requires JavaScript.

Nga Komuna e Çairit për Portalb.mk thonë se po bëjnë projektmin e dokumentacionit për vlerësimin e pronave.

“Ne si Komunë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Qytetin e Shkupit, si bartës të këtij investimi kapital që është me rëndësi të veçantë për banorët e Çairit dhe që paraqet zgjidhje të kaosit shumëvjeçar në trafik. Në përfundim është faza finale e projektimit të dokumentacionit dhe fillimi i vlerësimit të pronave që përfshihen në këtë projekt. Si publikisht, ashtu edhe në komunikimin tonë zyrtar me Qytetin e Shkupit, shprehim gatishmërinë tonë dhe vëmë në dispozicion gjitha kapacitetet tona për realizimin e këtij projekti”, thonë nga Komuna e Çairit.

Portalb.mk dërgoi pyetje edhe deri te Qyteti i Shkupit, megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, prej atje nuk na dërguan përgjigje.

Aktivitetet e deritanishme, nuk e kanë zgjidhur problemin. Në kohën e kryetarit të Shkupit Petre Shilegov, gjatë orës policore, u vendos një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës. Megjithatë, kaosi vazhdon. Edhe atë, prej mbarimit të urës së Bit Pazarit deri tek Ura e Jahja Pashës, e cila pavarësisht se u ndërtua për këmbësorët që të mos e pengojnë komunikacionin, megjithatë e njëjta është thuajse e papërdorshme.

Kryetari aktual, gjatë fushatës zgjedhore premtoi se me 7 milionë euro do ta zgjerojë këtë bulevard me qëllim që të mënjanohet kaosi i trafikut.

Premtimi i Visar Ganiut për bulevardin "Cvetan Dimov"
Premtimi i Visar Ganiut për bulevardin “Cvetan Dimov”

“Zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov” është njëri ndër projektet më të rëndësishme që përfundimisht do lehtësojnë trafikun dhe do të shpejtojë linjat e komunikimit. Përtej kësaj, pajisje me shtigje të biçikletave do të përmirësojë dhe ulë ndotjen. Kjo rrugë me gjatësi prej 1.000 metra do zgjerohet në të dy anët e rrugës me gjerësi prej 35 metra, e cila do ketë 6 korsi dhe gjelbërim midis korsive, trotuare në të dyja anët dhe shtigje për biçikleta gjithashtu në dy anët e rrugës. Ky investim kap shifrën e 7.000.000 euro”, ky është premtimi i kryetarit të Komunës së Çairit Visar Ganiu, në programin e tij zgjedhor “ të titulluar “Zgjidh jetë voto blertë”.

Megjithatë, prej 5 nëntorit të vitit 2021, kur e mori postin e kryetarit të komunës, kanë kaluar një vjet e gjysmë, ndërkaq situata në terren është e njëjtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button