Meta-fakt: Nuk janë gazifikuar 3000 amvisëri për dy vite

Nuk ka 3000 amvisëri të reja që janë kyçur në rrjetin e gazsjellësit dhe që u është dhënë mundësia të përdorin gazin natyror për ngrohjen e banesave. Synimi ambicioz i vendosur në Planin për ajër të pastër, i cili duhej të zbatohej në vitin 2020, si kundërpërgjigje ndaj ndotjes ekstreme të ajrit në vend, nuk është as afër realizimit. Sipas programit strategjik të Qeverisë nga viti 2018, parashihej që ndotja në Shkup do të zvogëlohej deri në 50 për qind, ndërsa në qytetet tjera për 30 deri në 50 për qind, ndërsa ngrohja shtëpiake renditet si sektori kryesor që është burimi më kritik i ndotjes, shkruan Meta.mk.

Mirëpo, edhe pse ngrohja e shtëpive njihet si një nga faktorët më të mëdhenj të ndotjes, aktualisht janë vetëm dy komuna në vend, Kumanovë dhe Strumicë, ku ekziston një rrjet gazsjellësi që ofron mundësinë e kyçjes, përveç kompanive dhe objekteve publike, edhe familjet. Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator për Energjetikë, licencat për shpërndarjen e gazit natyror u janë dhënë kompanive publike “Strumica gas” dhe “Kumanova gas”, si dhe TIRZ-it, përmes të cilit kjo me këtë energjes furnizohen disa kapacitete prodhuese, por jo edhe mavisëritë.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut aktualisht funksionojnë tre sisteme më të vogla të shpërndarjes së gazit natyror në Zonën zhvillimore teknologjiko-industriale TIRZ Shkup 1 dhe Shkup 2 afër fshatit Bunarxhik me gjatësi të rrjetit shpërndarës 5.6 kilometra, Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Strumicës. Përmes këtyre sistemeve të shpërndarjes së gazit natyror shpërndahet gazi natyror për nevojat e konsumatorëve industrialë dhe komercialë, institucioneve publike dhe amvisërive”, thonë nga KRRE.

Megjithatë, numri i qytetarëve në këto dy komuna së bashku, të cilët aktualisht përdorin këtë metodë të ngrohjes, është shumë herë më i vogël se sa parashikonin autoritetet se do të rritej për vetëm dy vjet. Shtesat e reja të bëra vitin e fundit mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.

Nga këtu mund të konstatojmë se ky premtim nuk është realizuar.

Në Kumanovë rreth njëqind amvisëri dhe 31 persona juridikë janë të kyçur në rrjetin shpërndarës të “Kumanovo Gas”. Prej tyre, tre janë objekte banimi, në të cilat ka edhe 150 amvisëri. Në vitin 2022, sipas drejtorit Marko Mitrovski, janë kyçur vetëm pesë amvisëri të reja.

“Rrjeti në Kumanovë është 22 kilometra dhe nuk shfrytëzohet sa duhet. Numri i shfrytëzuesve mund të rritet, prandaj Komuna subvencionon lidhjen për amvisëritë”, thotë Mitrovski.

Në Strumicë gaz natyror përdorin 340 amvisëri, ndërsa në vitin 2022 janë shtuar vetëm dy të reja. Drejtori i “Strumica gas”, Bllagoj Milanoviq, thotë se arsye për këtë është çmimi i lartë i gazit. Rrjeti i cili ekziston që nga viti 2012, sipas tij, ka funksionuar pa ndërprerje apo probleme.

“Në Strumicë ka 43 kilometra rrjet dhe kapacitet për të kyçur një numër të madh të përdoruesve, si amvisëri ashtu edhe objektet prodhuese. Për ato arsye, Komuna jep subvencionim prej 10 denarë për çdo metër kub gaz të konsumuar për amvisëri”, thotë Milanoviq.

Burimet:

  • Plani për ajër të pastër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, verifikuar më 28.02.2023.
  • Konferencë për shtyp për prezantimin e Planit për ajër të pastër, publikuar në ueb-faqen e Qeverisë më 15 nëntor 2018, verifikuar më 28 shkurt 2023.
  • Deklarata për media e Jani Makradulit e publikuar më 15 nëntor 2018, e verifikuar më 28 shkurt 2023.
  • Teksti i Radio MOF i publikuar më 29 janar 2019 me titullin: “Do të ketë masa cilësore kur mjedisi do të jetë më i rëndësishëm se interesi ekonomik”, verifikuar më 28 shkurt 2023.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button