Ndërtimi i rr. “Kolektori Lindor-II” në Strugë, premtim parazgjedhor që vazhdon të mbetet në letër

Nga vëzhgimi në terren, konkludojmë se ende s’kanë filluar punët ndërtimore për ndërtimin e rrugës Kolektori Lindor pjesa e dytë. Në pyetjen e redaksisë sonë se deri ku është puna në realizimin e këtij projekti, nga Komuna e Strugës na u përgjigjen se për projektin në fjalë po përgatitet dokumentacioni teknik.

“Për pjesën prej te “Matadori” deri te rruga magjistrale “Strugë Qafë Thanë” është duke u përgatitur dokumentacioni teknik”, deklaruan nga Komuna e Strugës.

Nga një analizë sipërfaqësore vërejtëm se ilustrimi vizual i paraqitur në Agjendën e Gjelbër, për premtimin në fjalë, është konfuz për elektoratin struganë dhe opinionin publik në përgjithësi. Përshkrimi i segmentit rrugor në gjuhën shqipe ndryshon nga ai në gjuhën maqedonase. Përshkrimi i segmentit rrugor në gjuhën maqedonase thotë se parashikohet ndërtimi i rrugës nga restorant Apolonia (në fakt tashmë ish-Apolonia pasi aktualisht ajo hapësirë është shndërruar në një market) deri në fshatin Misleshovë. Përshkrimi i segmentit rrugor në maqedonisht përputhet më shumë me ilustrimin vizual të planit urbanistik, pra bëhet fjalë për ndërtimin e segmentit rrugor nga ish-restorant Apolonia deri fshatin Misleshovë, lokacioni i të cilit është në anën tjetër të rrugës Magjistrale Strugë – Qafë Thanë. Edhe pse në këtë pjesë të qytetit ekziston një rrugicë që i lidh pjesën e ish restorant Apolonisë me fshatin Misleshovë, nga informacioni i plasuar në Agjendën e Blertë mundet të nënkuptohet se nuk bëhet fjalë për rikonstruim të rrugës aktuale por flitet për ndërtimin e një rruge komplet të re. Për më tepër ndërtimi i kësaj rruge është vazhdim i rrugës Kolektori Lindor pjesa e parë, një tjetër premtim i dhënë në “Agjendën e Blertë” dhe i pa realizuar deri më sot.

Nga partia opozitare më e madhe në Komunën e Strugës, Aleanca për Shqiptarët, e kritikojnë cilësinë dhe profesionalizimin në përpunimin e programit zgjedhor “Agjenda e Blertë”.

“Ramis(z) Merko nga frika se nuk mund ti fitoj zgjedhjet lokale në vitin 2021, dhe nga paragjykimi i stafit të tij se qytetarët nuk lexojnë dhe nuk mbajnë mend premtimet dhe atë se çfarë kanë premtuar në programin zgjedhor, “Agjenda e Blertë” për Strugën, e ka mbushur me projekte megalomane nga të cilat edhe pse po kalojnë dy vite, deri më sot nuk ka realizuar asnjë prej tyre”, deklaroi Lulzim Nasufi, kryetar i degës së ASh-së në Strugë..

Bazuar në ilustrimin vizual të premtimit në fjalë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, përmes fotografive më poshtë ju paraqesim situatën aktuale në terren.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugës Kolektori Lindor (pjesa e dytë), Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

BURIMI
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 52, verifikuar më 27.02.2023

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button