Asgjë nga seanca e përbashkët Kosovë – RMV, Qeveria e Maqedonisë hesht
Katër muaj pas prolongimit të seancës mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ende nuk janë ndarë detaje konkrete me opinionin se kur do të mbahet ky aktivitet, i cili fillimisht ishte planifikuar të ndodhë më 25 janar, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse mbajtja e seancës së përbashkët të dy qeverive, edhe pas zgjedhjeve në Kosovë ishte paralajmëruar se do të mbahet, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ndan detajet rreth këtij aktivitet.
Portalb.mk ka tentuar disa herë që të marrë informata rreth kësaj, por nuk ka hasur në transparencë nga ana e Qeverisë në vend. Për më tepër se një muaj, Portalb.mk vazhdimisht ka kërkuar përgjigje nga Qeveria në forma të ndryshme, si sms porosi, e-mail zyrtar dhe paraqitje telefonike, por në asnjërën nga këto kërkesa nuk i është dhënë përgjigje konkrete, edhe pse është premtuar nga ana e zëdhënësit qeveritar se do t’i sigurojnë informatat e nevojshme. Madje, zëdhënësi qeveritar së fundmi premtoi se do t’i siguronte të dhënat, sapo të njëjtat të konfirmohen nga ana e zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, por edhe pse kanë kaluar më shumë se një javë nga kjo, nuk kanë dërguar përgjigje.
Seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, cila ishte planifikuar që të mbahej më 25 janar, në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti. Megjithatë, me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 14 shkurt seanca u prolongua. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, pat deklaruar atëherë për Portalb.mk se, menjëherë pas formimit të qeverisë, do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës.
“Mbledhja e përbashkët në mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ishte paraparë të mbahet në fund të këtij muaji, me kërkesë të palës kosovare e njëjta nuk do të realizohet për shkak të situatës politike në Republikën e Kosovës, përkatësisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë të caktuara me 14 shkurt. Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve, do të vazhdohet me komunikimet e ndërsjella për definimin e datës së mbajtjes së kësaj mbledhje, në të cilën pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të përbashkëta në sfera të ndryshme që janë interes të qytetarëve të të dyja vendeve”, deklaroi Hoxha.
Edhe pas formimit të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufin, në muajin prill, u pajtuan për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeveritare.
Po ashtu, ishte paralajmëruar se, gjatë kësaj seance do të nënshkruhen shumë marrëveshje, mes të cilave edhe marrëveshja për pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.