Ministria sot e publikoi zgjidhjen e problemit të Teatrit të Gostivarit, por Saliu dhe Hasani s’janë të njoftuar formalisht
Ministria e Kulturës publikisht e ka shpallur të zgjidhur problemin me Institucionin Publik “Teatri i Gostivarit”, ndërkohë që ish ushtruesi i detyrës së drejtorit, Berat Saliu, i cili bashkë me aktorin Argjend Hasanin akuzonin se janë përjashtuar në mënyrë të paligjshme nga kasta e aktorëve të shfaqjes “Nathani i Urtë”, ka deklaruar se “zgjidhja e Ministrisë” nuk u është dërguar dhe ajo nuk korrespondon me atë çfarë presin t’u kumtohet në mënyrë formale, njofton Portalb.mk.
Bërjen publike të zgjidhjes së problemit me funksionalizimin e Teatrit të Gostivarit, Ministria e bëri nëpërmjet një kumtese që e shpërndau në orët e vona në uebfaqen e saj.
“Mosmarrëveshja midis regjisorit dhe aktorëve, e pamundëson zhvillimin normal të një procesi të krijimtarisë artistike, edhe pse Ministria e kulturës kërkoi që të kthehen në shfaqje, aktorët Berat Saliji dhe Argjend Hasani, për hirë të mbarëvajtjes së punës të Teatrit, u pajtuan të mos jenë pjesë e shfaqes Nathani i urtë, dhe se të njëjtit në të ardhmen do të vazhdojnë të kontribuojnë për të mirën e Teatrit të Gostivarit”, kumtuan nga Ministria e Kulturës.
Por në një prononcim për Portalb.mk, Berat Saliu nuk dëshiroi të konfirmojë se problemi është zgjidhur, ngaqë siç tha ai, formalisht ata nuk kanë marrë njoftim. Ata në njoftimin që e presin nga Ministria, gjithashtu dëshirojnë t’u konfirmohet se në mënyrë të paligjshme janë larguar nga kasta e aktorëve dhe se do të kthehen në shfaqje. Megjithatë, konfirmojnë se do të vazhdojnë kontributin për Teatrin.
“Ne nuk kemi marrë njoftim për këtë që e ka kumtuar Ministria. Unë mund ta konfirmoj vetëm pjesën se do të vazhdojmë kontributin ndaj Teatrit, por jo edhe atë se është zgjidhur problemi. Duhet zyrtarisht të na dërgohet ‘zgjidhja’ që ne ta vlerësojmë më pas. Me zgjidhjen, duam që të na konfirmohet se ne jemi larguar në mënyrë të paligjshme dhe se kthehemi në kastën e aktorëve”, tha Saliu.
Në kumtesën e Ministrisë nuk kumtohet ajo çfarë Saliu dhe Hasani presin t’u konfirmohet me njoftimin, e që është largimi i paligjshëm dhe kthimi në kastën e aktorëve.
Ndërkaq, edhe pse në zgjidhjen e problemit të Teatrit të Gostivarit pati ndërhyrje të forcave policore, ngaqë aktorët Saliu dhe Hasani u dërguan në Stacion Policor, sërish, dikasteri përgjegjës dhe themelues i këtij institucioni zgjodhi të heshtë. Këtë heshtje, Ministria e ka bërë me qëllim, për siç thonë ata, që ajo të mos ndikojë negativisht në problemin, e ndërkaq pas disa muajve është ajo që e shpall si të zgjidhur problemin.
“Me qëllim që të gjindet zgjidhje e përhershme, dhe kjo mos të ndikoj negativisht në situatë, Ministria e Kulturës e RMV-së, nuk u prononcua në lidhje me ndodhitë në Teatrin e Gostivarit, dhe si e tillë ishte vëzhguese e situatës, njëjtë si i gjithë opinioni publik”, thanë nga Ministria.
Këtë e kanë bërë edhe duke qenë të vetëdijshëm se ky problem ka pamundësuar zhvillimin normal të shfaqjes, me të cilën duhet të funksionalizohet edhe Teatri i Gostivarit.
Përndryshe, shkuarja në Stacion Policor erdhi pasi Saliu dhe Hasani kanë shkuar në provat e shfaqjes, për të marrë sqarim për largimin e tyre, të cilin moment edhe Portalb.mk nuk arriti ta zbardh, edhe pse ka kontaktuar paraprakisht të gjitha palët e përfshira në problem.
- LEXO: Teatri i Gostivarit, “Gjakrat janë ftohur, palët janë dakorduar” tha ministri i Kulturës
- LEXO: Eskaloi situata me Teatrin e Gostivarit, aktorët Hasani dhe Saliu kanë qëndruar në Stacion Policor
- LEXO: “Teatri i Gostivarit” e nisi mbrapsht rrugëtimin artistik
- LEXO: Teatri i Gostivarit dhe premiera e “Nathanit të Urtë”, në rrugë qorre
Përplasja mes regjisorit të shfaqjes funksionalizuese të Teatrit të Gostivarit, “Nathani i Urtë”, Sulejman Rushiti dhe aktorëve Berat Saliu dhe Argjend Hasani, erdhi pasi u ndryshua kasta e aktorëve. I pari akuzoi se “aktorët janë larguar vetë”, ndërkaq të dytët se “janë larguar pa pëlqimin e tyre dhe pa paralajmërim”.
- LEXO: Në Gostivar filluan përgatitjet për shfaqjen historike “Nathani i urtë”, premiera pas një muaji
Përndryshe, për shfaqjen “Nathani i urtë”, të autorit Gotold Efraim Lesing, në regji të Sulejman Rushitit, në fillim, në kastën e aktorëve ishin Argjend Hasani, Visar Vishka, Vjollca Baftiu Zulbehari, Berat Saliu, Emre Tosun, Ajshe Useini, Bereda Reshit, Sheqerie Iljazi dhe Driton Lazami. Provat filluan në muajin prill, ndërkaq premiera u paralajmërua pas një muaji, maj-qershor. Provat zgjatën gjashtë javë, premiera nuk u realizua, kurse u ndryshua kasta e aktorëve dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit.
Tash, në vend të Hasanit dhe Saliut, në kastën e aktorëve kanë ardhur Elmir Sejfullai dhe Senad Abduli, e kurse si ushtrues detyre i drejtorit është emëruar, Visar Vishka. Institucioni Nacional “Teatri i Gostivarit” u themelua më 31 tetor të 2018-s.