Eskaloi situata me Teatrin e Gostivarit, aktorët Hasani dhe Saliu kanë qëndruar në Stacion Policor

Situata me Teatrin e Gostivarit ka eskaluar dje, ngaqë në Stacion Policor janë dërguar aktorët e përjashtuar nga shfaqja “Nathani i Urtë”, Argjend Hasani dhe Berat Saliu. Shkuarja në Stacion Policor ka ardhur pasi ata kanë shkuar në provat e shfaqjes, për të marrë sqarim për largimin e tyre, të cilin moment edhe Portalb.mk nuk arriti ta zbardh, edhe pse ka kontaktuar paraprakisht të gjitha palët e përfshira në problem.

Policia është thirrur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatri të Gostivarit, Visar Vishka, nën arsyen se Hasani dhe Saliu nga Debreshi i Gostivarit kanë penguar aktivitetet në Teatrin e Gostivarit,. Pas kësaj policët kanë ardhur në Pallatin e Kulturës ku zhvillohen provat e shfaqjes dhe nga Hasani e Saliu kanë kërkuar që ta lëshojnë hapësirën. Ata kanë shprehur rezistencë, dhe si pasojë, janë dërguar në Stacionin e Policisë.

Rasti tërësisht është zbardhur dhe kundër A.H. është përgatitur shkresë adekuate për kundërvajtje.

Aktorët Argjend Hasani dhe Berat Saliu sot dhanë sqarim për ngjarjen e mbrëmshme dhe kërkojnë përgjigje dhe reagime të institucioneve kompetente.

“Ne kishim ardhur në prova me aktorët tjerë, por ishim larguar me pranga në duar nga teatri. Kinse e kemi penguar punën. Është i paqartë reagimi i drejtorit Visar Vishka, sepse ne kërkuam dhe ende kërkojmë shpjegim se pse jemi larguar nga shfaqja e cila filloi të përgatite në prill të këtij viti. Ne i kërkojmë të drejtat dhe kërkojmë që të kthehemi në ekipin e aktorëve”, thotë Argjend Hasani.

Kolegu i tij Berat Saliu, i cili paraprakisht ishte emëruar si drejtor i Teatrit të Gostivarit, vlerëson se veprimet e tilla kanë prapavijë politike dhe motive të cilat nuk kanë lidhje me kulturën dhe teatrin.

“Isha i angazhuar që nga fillimi i përgatitjeve të shfaqjes ‘Nathani i urtë’, ndërsa pas ndërrimit tim si drejtor, isha larguar dhe nga shfaqja në mënyrë të paqartë. Kinse nuk i kemi respektuar disiplinën dhe urdhrat e regjisorëve. Por, më se e qartë është se motivet për këtë ‘lojë’ janë të motivuara politikisht”, thotë Saliu.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit të Gostivarit, Visar Vishka konfirmoi se ai e kishte thirr policinë, sepse ishte penguar procesi i punës.

“Isha i detyruar për një hap të tillë dhe si përgjegjës për rendin, u desh që të kërkoj ndihmë nga policia. Ata edhe paraprakisht kishin penguar provat, por arritëm që të merremi vesh disi. Thelbi i gjithë punës është që ata dy aktorë edhe paraprakisht kishin kërkuan që të ndërrohet regjisori Sulejman Rushiti. Kjo nuk është logjike. Ndërsa, që të vazhdojmë me punën dhe obligimet, vendosëm që të gjejmë zëvendësim për ta. Ata janë larguar sepse nuk e respektonin disiplinën dhe nuk vinin në prova”, deklaroi Visar Vishka.

Aktorët të cilët ishin larguar nga shfaqja paralajmërojnë ende reagime dhe siç thanë drejtësi do të kërkojnë në rrugë institucionale.

Përplasja mes regjisorit të shfaqjes funksionalizuese të Teatrit të Gostivarit, “Nathani i Urtë”, Sulejman Rushiti dhe aktorëve Berat Saliu dhe Argjend Hasani, erdhi pasi u ndryshua kasta e aktorëve. I pari akuzon se “aktorët janë larguar vetë”, ndërkaq të dytët se “janë larguar pa pëlqimin e tyre dhe pa paralajmërim”.

Përndryshe, për shfaqjen “Nathani  i urtë”, të autorit Gotold Efraim Lesing, në regji të Sulejman Rushitit, në fillim, në kastën e aktorëve ishin Argjend Hasani, Visar Vishka, Vjollca Baftiu Zulbehari, Berat Saliu, Emre Tosun, Ajshe Useini, Bereda Reshit, Sheqerie Iljazi dhe Driton Lazami. Provat filluan në muajin prill, ndërkaq premiera u paralajmërua pas një muaji, maj-qershor. Provat zgjatën gjashtë javë, premiera nuk u realizua, kurse u ndryshua kasta e aktorëve dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit.

Tash, në vend të Hasanit dhe Saliut, në kastën e aktorëve kanë ardhur Elmir Sejfullai dhe Senad Abduli, e kurse si ushtrues detyre i drejtorit është emëruar, Visar Vishka. Institucioni Nacional “Teatri i Gostivarit” u themelua më 31 tetor të 2018-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button