Themelimi i Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit”, mori dritë jeshile nga Qeveria e Maqedonisë

Në seancën e 98-të të Qeverisë së Maqedonisë që u mbajt dje, është sjellë vendimi për themelimin e Institucionit Nacional të ri në Gostivar “Teatri i Gostivarit”, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e Maqedonisë e ka shqyrtuar nevojën për themelimin e Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit” – Gostivar dhe ka sjellë vendim për themelimin e tij, duke e pasur parasysh mendimin e ministrit të Financave, si dhe arsyetimin për themelimin e institucionit të ri nacional”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Miratimi i këtij vendimi vjen pas përpilimit të strategjisë nga grupi i punës i Ministrisë së Kulturës, në përbërje të artistëve nga Gostivari: Sulejman Rushiti, Berat Saliu dhe Argjend Hasani.

Selia e Teatrit do të jetë në Qendrën e Kulturës, respektivisht ambienti skenik do të jetë i përbashkët, derisa në objekt ekzistojnë kushte për funksionimin administrativ të të dyja institucioneve.

Mjetet për themelimin e këtij institucioni, për punësimet e reja, do të sigurohen nga buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 dhe 2019 në shumë të përgjithshme 10.225.000.00 denarë. Mjetet për aktivitetet programore të institucionet do të sigurohen nga buxheti i Republikës së Maqedonisë, sipas procedurës së përcaktuar me Ligjin e Kulturës.

Me themelimin e këtij institucioni në Gostivar, do të përmbushet nevoja disadekadëshe për realizimin e artit profesional teatral dhe prezantimin e krijimtarisë së pasur teatrore në këtë qytet. Njëkohësisht, do të mundësohet zhvillimi i balancuar kulturor në këtë rajon, kurse do të hapet edhe mundësia për punësimin e kuadrove profesionalë nga sfera e artit dramatik, si dhe do të pasurohet oferta kulturore në Gostivar, njoftuan nga Ministria e Kulturës.

 

Në Ministrinë e Kulturës nisin punimet për themelimin e Teatrit të Gostivarit (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button