RMV, Enti Shtetëror për Pronësi Industriale nuk është në dijeni të vërejtjeve të Komisionit Evropian, doli kundër tyre

Еnti Shtetëror për Pronësi Industriale (ESHPI) nuk ishte në dijeni të vërejtjeve të Komisionit Evropian mbi mosfunksionalitetin adekuat të trupit koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Portalb.mk, kërkoi prononcim nga ky Ent, i cili është kompetent për këtë çështje, por nga atje fillimisht u përgjigjën me kërkesë për t’i informuar më saktësisht mbi këto vërejtje, duke shtuar se as në skrining nuk janë përmendur këto kritika.

“Në lidhje me pyetjen e parashtruar kundrejt Neve, do ju kisha lutur të na informoni se cilat janë vërejtjet e Komisionit Evropian. Ne kemi qenë ne Skrining dhe nuk kemi pasur vërejtje që ju apostrofoni”, na thanë nga (ESHPI).

Portalb.mk, Entit më pas i dërgoi foto-printscreen nga Raporti, ku janë të nënvizuara vërejtjet e KE-së për ekzistencën e trupit koordinues, i cili nuk merret me sfidat kryesore në këtë fushë.

Vërejtjet e KE-së në Kulturë

Pas kësaj, Enti në vend se të sqarojë qëndrimin mbi vërejtjet e KE-së, dërgoi një raport mbi punën e tij, funksionin e trupit koordinuar dhe përbërjen e tij, punën dhe adresimin e sfidave kyçe, duke anashkaluar dhe mos u përgjigjur për vërejtjet e Komisionit Evropian.

Funksioni kryesor i këtij organi është marrja e masave për të luftuar piraterinë dhe falsifikimin me qëllim arritjen e nivelit të mbrojtjes së pronësisë intelektuale në përputhje me prioritetet në kapitullin 7: “E drejta e pronësisë Intelektuale”, thuhet në përgjigjen e ESHPI-së, duke sqaruar për funksionin dhe përbërjen e këtij trupi koordinues.

Ata më tej tregojnë për pjesëmarrjen në organizimin dhe realizimin e asgjësimit publik të sendeve të sekuestruara pirate dhe të falsifikuara për të cilat, siç thonë, ka vendime gjyqësore të formës së prerë.

“Trupi Koordinues për Pronësi Intelektuale gjatë vitit 2022 ka mbajtur gjashtë seanca në lidhje me aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të trupit, në të cilat janë planifikuar dhe organizuar aksione të koordinuara me qëllim eliminimin e parakushteve për tregtimin e mëtejshëm të produkteve të falsifikuara apo pirate, si një nga rolet e Trupit Koordinues për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, dhe u arrit pajtueshmëri edhe për zbatimin e daljeve në terren nga ana e anëtarëve të Trupit Koordinues të cilët kanë kompetencë të marrin masa për konstatimin e shkeljes së të drejtave të pronësisë industriale kundër shkelësve të atyre të drejtave”, thuhet në përgjigjen e Entit për pronësi industriale, duke treguar për inspektimet në personat juridik.

Megjithatë, nga ESHPI nuk thanë asgjë për raportin e KE-së për vitin që lamë pas, ku u theksua se legjislacioni për pronësinë industrialeduhet të përafrohet, veçanërisht me Direktivën e Zbatimit dhe Direktivën e Sekreteve Tregtare.

“Sa i përket zbatimit, është ngritur platforma e informacionit për organet e zbatimit të ligjit për të shkëmbyer të dhëna të lidhura me DPI-të por duhet të bëhet funksionale në mënyrë që të ofrojë një pasqyrë të plotë mbi trajtimin institucional të shkeljeve të DPI-ve. Trupi koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale ekziston, por ende nuk i ka adresuar sfidat kryesore në lidhje me DPI-të. Drejtoria doganore ka ruajtur nivelin e saj të konfiskimit të mallrave të falsifikuara, kryesisht nga Turqia”, thuhet në raportin e KE-së.

Në kapitujt 4, 6 dhe 7 të Klasterit të dytë për harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të BE-së, për dallim nga tre kaputjt e parë të këtij klasteri, përkatësisht në dy prej tyre niveli i përgatitjes së vendit në raportin e KE-së është vlerësuar si mesatar, ndërsa në njërin kapitull vlerësohet me nivel të mirë përgatitjeje, megjithatë, pa diskutim që nuk mungojnë kritikat, herë të ashpra e herë diplomatike për vonesat e reformave. Në disa kapituj kërkohet me shpejtësi zbatimi i legjislacionit. Nënvizohet gjithashtu se edhe pse ekziston trup koordinues për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, megjithatë nuk i adreson sfidat kryesore në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button