“Teatri i Gostivarit” e nisi mbrapsht rrugëtimin artistik

Fuksionalizimi i Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit” është vështirësuar ende më shumë, duke u shndërruar kështu në përplasje mes regjisorit të shfaqjes së parë të “Teatrit të Gostivarit”, “Nathani i Urtë”, Sulejman Rushiti, dhe aktorëve Berat Saliu dhe Argjend Hasani, pasi u ndryshua kasta e aktorëve. I pari akuzon se “aktorët janë larguar vetë”, ndërkaq të dytët se “janë larguar pa pëlqimin e tyre dhe pa paralajmërim”, transmeton Portalb.mk. E paqartë mbetet pse është larguar edhe aktori Emre Tosun.

Akuza ndaj regjisorit për shkarkim të paligjshëm

Në praktikë, të ndryshohet kasta e aktorëve të një shfaqje, është e drejtë ekskluzive e regjisorit, i cili edhe pse i ka përzgjedhur të njëjtit, ka të drejtë ligjore t’i ndërrojë në bazë të masave që parashihen në kontratën e aktorit. Regjisori duhet t’i paralajmërojë aktorët nëse u kërcënohet largimi dhe më pas nëse sërish nuk përmirësohen, ai ka të drejtë t’i largojë ata.

Sipas aktorëve Saliu dhe Hasani, regjisori Rushiti nuk i ka paralajmëruar për largimin, ndërkaq nga ana tjetër Rushiti thotë se akuzat janë të pabaza.

Saliu nuk ka kontratë për angazhimin si aktor, sepse në atë kohë ka qenë ushtrues detyre i drejtorit, ndërkaq Hasani po. Në kontratën e Hasanit thuhet se “kontrata mund të shkëputet me pëlqim reciprok të palëve që e nënshkruajnë kontratën, në këtë rast, “Teatri i Gostivarit” dhe aktori.

Kontrata e nënshkruar

Saliu dhe Hasani pyesin publikisht: “Pse ne jemi larguar nga shfaqja?”.

E Rushiti përgjigjet: “Sepse, ata, të njëjtët aktorë, janë larguar vetë më herët, për shkak se sipas atyre nuk u pëlqente teksti, nuk u pëlqente shfaqja dhe nuk u pëlqeja unë si regjisor. Sipas atyre, unë nuk dija ta bëj regjinë e shfaqjes. Ata u larguan nga roli, sepse nuk u pëlqente teksti. Berati, në cilësinë e drejtorit dhe pse i kishte miq, nuk deshi t’i zëvendësojë të njëjtit dhe donte ta ndryshonte shfaqjen. Kur u pa se kjo nuk mund të ndodhte, sepse është institucion shtetëror, donin me dhunë të hynin në shfaqje. Unë e kam njoftuar institucionin, dhe në atë kohë institucioni ishte vetë Berati. Është njoftuar Ministria përkatëse”, tha Rushiti.

Sulejman Rushiti

Portalb: A mund të na tregoni, cili është momenti apo dita kur ata kanë shprehur pakënaqësinë ndaj tekstit të shfaqjes?

Sulejman Rushiti: “Këto çështje janë detaje që nuk mund t’i sqaroj tash dhe në këtë mënyrë. Këto janë çështje që do të sqarohen me procedura ligjore. Kjo do të thotë se pohimet e mija janë dokumentuara. Nëse ka ndonjë të drejtë të pakontestueshme regjisore, është përcaktimi i kastingut, i aktorëve të cilët duan ta bëjnë shfaqje. Kështu që, unë e kam për detyrë që t’i vendos aktorët të cilët do ta bëjnë shfaqjen, ata që nuk e pëlqejnë shfaqjen, nuk u pëlqen roli i caktuar nga regjisori, kanë të drejtë të largohen. Pastaj, sigurisht, drejtësinë gjithsecili mund ta kërkojë në rrugë të tjera, dhe jo dhunshëm”, tha Rushiti.

Por Saliu e demantoi këtë, ngaqë sipas tij largimi ka bazë interesi dhe politike.

“Krejt është interesi dhe çështje politike po unë i kam duruar vetëm të bëhet institucioni se në fund prapë ne do e gëzojmë”, tha Saliu.

Pse nuk u realizuan provat e 20 gushtit?

Një moment që aktorët Saliu dhe Hasani kërkojnë të sqarohet në opinion, është edhe ajo se pse nuk u realizuan provat e 20 gushtit, moment të cilin Portalb-i e raportoi si “rrugë qorre” për funksionalizimin e “Teatrit të Gostivarit”, shtuar kësaj edhe ndryshimit të postit të ushtruesit të detyrës së drejtorit, i cili tash është Visar Vishka.

“Së pari duhet të japin llogari Visar Vishka dhe Sulejman Rushiti për mos ardhjen e tyre për në 20 gusht për rindërtimin e shfaqje. Ata të dy nuk erdhën në prova. Ndërsa me dëshmi themi se gjithë aktorët tjerë kanë qenë”, pyeti Argjend Hasani.

Hasani dhe Saliu
Hasani dhe Saliu

Në atë kohë, regjisori Sulejman Rushiti nuk pati mundësi të deklarohet për Portalb për rastin, ndërkaq tash tha se për këto detaje do të përgjigjet para trupës gjyqësore (nëse Saliu dhe Hasani vendosin të ngritin padi, pasi ata pretendojnë të jenë palët e prekura) dhe para inspektoratit përgjegjës.

“Këto çështje janë detaje, që nëse mua më fton një Inspektorat për ta zgjidhur në aspekt ligjor, unë si pjesë e procesit, që kam kontratë me Teatrin, këto do të sqarohen ligjërisht. Këto detaje nuk i ndihmojnë aspak kësaj pune, sepse nuk mund të bëjmë gjykim të opinioni, atëherë çështja nuk do të zgjidhet”, tha Rushiti.

Përplasje për motive “aspak artistike dhe banale”

“Nuk janë motive artistike”, përgjigjen palët në pyetjen “Se pse po ndodh kjo përplasje?”. Ata akuzojnë njëri tjetrin edhe për zvarritje të të funksionalizimit të “Teatrit të Gostivarit”. 

Megjithatë, përskaj përplasjeve të cilat kryesisht erdhën si rezultat i ndërrimit të aktorëve dhe ndryshimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit, siç deklaroi Rushiti, shfaqja “Nathani i Urtë” do ta vazhdojë rrugëtimin artistik. Premiera e saj, me të cilin parashihet edhe vënia në funksion të “Teatrit të Gostivarit”, u paralajmërua për në fund të vitit 2019, fillim të vitit 2020.

“Besoj se deri në fund të dhjetorit do të jetë gati”, tha Rushiti.

“Me emërimin e ushtruesit të drejtorit, presim fuqishëm të vazhdohet me aktivitet, dhe në afat real, me fillimin e vitit të ri, të realizohet edhe premiera e parë e institucionit”, thanë paraprakisht nga Ministria e Kulturës.

Në kuadër Programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, “Teatrit të Gostivarit” iu ndanë mjete për realizim të tre projekteve kulturore, të cilat do të vazhdojnë pas mbarimit të të gjitha procedurave administrative.

Përndryshe, për shfaqjen “Nathani  i urtë”, të autorit Gotold Efraim Lesing, në regji të Sulejman Rushitit, në fillim, në kastën e aktorëve ishin Argjend Hasani, Visar Vishka, Vjollca Baftiu Zulbehari, Berat Saliu, Emre Tosun, Ajshe Useini, Bereda Reshit, Sheqerie Iljazi dhe Driton Lazami. Provat filluan në muajin prill, ndërkaq premiera u paralajmërua pas një muaji, maj-qershor. Provat zgjatën gjashtë javë, premiera nuk u realizua, kurse u ndryshua kasta e aktorëve dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit.

Tash, në vend të Hasanit dhe Saliut, në kastën e aktorëve kanë ardhur Elmir Sejfullai dhe Senad Abduli, e kurse si ushtrues detyre i drejtorit është emëruar, Visar Vishka. Institucioni Nacional “Teatri i Gostivarit” u themelua më 31 tetor të 2018-s.

LEXO EDHE: Teatri i Gostivarit dhe premiera e “Nathanit të Urtë”, në rrugë qorre

Trupa e shfaqjes “Nathani i urtë”, ushtruesi i drejtorit të Teatrit të Gostivarit, Berat Saliu dhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi
Trupa e shfaqjes “Nathani i urtë”, ish aktorët Berat Saliu, Emre Tusun, Arjgend Hasani dhe ish ministri i Kulturës, Asaf Ademi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button