Teatri i Gostivarit, “Gjakrat janë ftohur, palët janë dakorduar” tha ministri i Kulturës
Gjithçka është në rregull, gjakrat janë ftohur tha sot në një konferencë për shtyp ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në lidhje me rastin e Teatrit të Gostivarit. Ai për Portalb.mk shtoi se me intervenimin e tij, të gjitha palët e përfshira në këtë rast janë dakorduar me njëri tjetrin, ish drejtori megjithatë tha përderisa nga ana e ministrisë nuk intervenohet, nuk ka asgjë konkrete, shkruan Portalb.mk.
Deri më tani, qëndrimi i ministrit të Kulturës Hysni Ismaili në lidhje me këtë kishte ngelur enigmë.
Sot, në një konferencë për shtyp ministri e theu akullin duke komentuar këtë rast, ai për Portalb.mk u shpreh shumë optimist se ky rast ka marrë fund për arsye se sipas tij, të gjitha palët janë dakorduar edhe gjakrat janë ftohur.
“Jo zyrtarisht kam intervenuar edhe biseduar me personalitetet të cilat janë të përfshira në këtë rast, sipas informatave më të fundit gjithçka është në rregull dhe mosmarrëveshjet kanë qenë personale apo individuale, dhe asgjë tjetër. Të gjitha palët janë dakorduar, gjakrat janë ftohur andaj mendoj se puna do të vazhdoj ashtu siç duhet. Sa ju përket spekulimeve se ish drejtorit i është bërë presion ta lëshojë postin, janë shpifje për arsye se nuk ka ndodhur edhe nuk do të ndodhë që në ministrin time ndonjë drejtori të ketë shtypje apo shantazhe” tha ministri i Kulturës Hysni Ismaili për Portalb.mk.
I kontaktuar nga Portalb.mk, ish drejtori i Teatrit të Gostivarit Berat Saliu tha se është në pritje që ministria e Kulturës publikisht të deklarohen për të vërtetën e institucionit “Teatri i Gostivarit”, deri atëherë nuk mund të thuhet se ka diçka konkrete.
“Ne jemi marr vesht që ministria e Kulturës të intervenoje për këtë rast, deri në momentin që nuk ka asnjë intervenim nga ana e tyre, nuk ka asgjë konkrete. Topin aktualisht e ka ministria kurse ne presim prej tyre të deklarohen për të vërtetën e teatrit në Gostivar” tha ish drejtori i Teatrit të Gostivarit Berat Saliu.
Teatri i Gostivarit që nga fillimi e nisi mbrapsht rrugëtimin e tij artistik, situata u vështirësua para dy javësh kur aktorët Argjend Hasani dhe Berat Saliu me urdhër të drejtorit Visar Vishka, janë larguar me forca policore nga hapësirat e Teatrit, ku ata kishin shkuar për provat e shfaqjes “Nathani i Urtë”.